Intervistë me Petar Atanasovin: Desha të bëhem ministër sepse në arsim po bëhet pak

Në arsim, qeveria pak ose jo mjaftueshëm. Prandaj reagimi im dhe dëshira për të udhëhequr këtë departament, me përgjegjësi të plotë, tha në një intervistë me “Meta” deri para pak ditë zëvendësministri i arsimit Peter Atanasov, i cili me këtë e vërteton se një nga arsyet për dorëheqjen është ambicia për t’u bërë ministër, transmeton Portalb.mk.

Të njëjtën, në intervistë televizive, e tha kryeministri Zaev: “bëri atë, sepse nuk u bë ministër i Arsimit. Kërkoi prej meje të bëhej ministër i Arsimit, por nuk u bë ministër”. Atanasovi paralajmëron se “duhet të ndizet drita e kuqe” dhe të punohet shumë për të përmirësuar arsimin. Dorëheqja e Atanasovit shkaktoi reagime në publik dhe e hapi pyetjen, deri ku jemi me ndryshimet dhe reformat në arsim.

Njoftuat se doni të vazhdoni karrierën tuaj akademike. A do të ktheheshit përsëri në politikë përsëri?

Puna akademike është profesioni im i rregullt. Dëshira ime ishte që përmes politikës të ndryshohen dhe të lëvizin gjërat. Unë s’kërkova t’i bashkëngjitem LSDM-së. Ata më thirrën në vitin 2013 kur ngecën edhe në aspektin programor edhe atë ideologjik. Kërkonin mbështetje dhe ndihmë. Nuk ishte kohë për tr’u marrë me politikë, sidomos me politikë opozitare. Ishte kohë e jetesës së rrezikshme. Vendosa të pranoj angazhimin politik sepse gjërat në vend nuk po shkonin në drejtimin e duhur. Në këtë pikë duket se rrugët tona po ndahen. Qeveria në disa resorë dhe sektorë bën gjëra të mira, por në disa jo. Në arsim po bën pak ose jo mjaftueshëm. Së këndejmi ishte reagimi dhe dëshira ime për ta udhëhequr këtë resor, me përgjegjësi të plotë. Them se drita e kuqe duhet të ndizet dhe duhet shumë punë për të përmirësuar arsimin. E arsimi, siç thoni, është shtylla e shoqërisë. Mund të kthehem në politikë vetëm nëse ndërtohet ndonjë program i fortë politik ne ekip të mirë për ta thyer këtë mungesë të perspektivës dhe anemi. Maqedonia dhe maqedonasit mund të bëjnë shumë më tepër.

Me vite të tëra i keni ndjekur problemet në arsim, prandaj pritshmëritë e publikut, se punët do të lëvizin në drejtim të mirë, kur e morët postin, ishin të mëdha. Përse ky epilog, çfarë ndodhi?

Po, gjatë gjashtë viteve të fundit, e kam ndjekur arsimin intensivisht në të gjitha nivelet. Disa vite isha kryetar i Komisionit të LSDM-së për arsim. Me ekipin tim në parti, krijuam një program ambicioz zgjedhor dhe pritëm që ne do të zbatojmë reformat. Për fat të keq, partia ose kreu i partisë, para dy vitesh Ministrinë e arsimit ia dha ta udhëheqë kuadër tjetër. Më në fund, në shtator 2018, mora postin e zëvendësministrit, por nuk m’u mundësua të angazhoj një pjesë të njerëzve të mi. Pavarësisht, puna ime në MASH ishte me dinamikë të lartë dhe shpresa të mëdha, por gjatë këtyre 10 muajve mungoi mbështetja e nga kabineti i ministrit. Megjithëse kryeministri u përpoq të rregullonte gjërat, nuk ndryshoi asgjë e rëndësishme. Mënyra në të cilën MASH ishte mësuar t’i kryejë punët është sikur sistemi ynë arsimor të ishte në gjendje të shkëlqyeshme dhe ka nevojë vetëm për ndryshime të rregullta të vogla. Por sistemi ynë arsimor është shkatërruar, për shumë arsye të ndryshme. Pikërisht për këtë nevojiten hapa të guximshëm dhe të mëdhenj për të lëvizur gjërat nga pozicioni i tanishëm letargjik. Gjithashtu, kur kam hyrë në MASH unë kam sjellë shumë të analiza dhe përvoja, si dhe debat aktiv disavjeçar me të gjithë aktorët në arsim. Por kjo përvojë nuk u përdor për shkak se ndryshimet që MASH përpiqej t’i bënte bazoheshin vetëm në analizën e OECD-së dhe këshillat e UNICEF-it. Por kjo nuk është e mjaftueshme sepse kapacitetet e institucionit janë të pamjaftueshme për ndërhyrje më të mëdha.
Ju jeni angazhuar për ndryshim, por në praktikë shohim se asgjë nuk ndodh sidomos kur është fjala për zgjidhjen e problemeve në arsim, ndërsa s’ka as reforma të rëndësishme për të përmirësuar cilësinë e sistemit.

Çka dhe kush po e frenon procesin?

Nga njëra anë, për të pasur ndryshime, njerëzit e parë duhet të bashkëpunojnë shumë më tepër në një procedurë normale dhe të rregullt. Në MASH, unë nuk isha fare i njoftuar për atë se çka punon dhe çka realizon kabineti i ministrit. Ndonjëherë ka ndodhur me javë të tëra s’kemi pasur takime me ministrin. Nga ana tjetër, sistemi arsimor është organizëm i gjallë. Nuk përmirësohet ose zgjidhet me korrespondencë ose nëpërmjet komunikimit zyrtar. Kështu që një ligj, sado i rëndësishëm, nuk zgjidh proceset vetvetiu. Duhet të punohet me mësimdhënësit, shkollat, t’u ndihmohet dhe t’u jepet shembull. Disa mësimdhënës nuk kanë pas kurrë mundësi të shohin se si duket një sistem më i mirë arsimor. Sidomos përfaqësuesit e institucioneve arsimore duhet të jenë çdo ditë në terren me mësimdhënësit. Kjo nuk ndodh në rastin tonë. Institucionet janë inerte dhe joefektive. Politika kadrovike gjithashtu nuk është në nivel të kënaqshëm. Ka njerëz të gabuar në vendet e duhura. Arsimi u bë vend për punësimin e mbështetësve të partisë. Madje nuk punësohen as kuadrot më të mira të partive, por kryesisht bëhen pazarllëqe politike.

Në praktikë, nuk ka asgjë nga ideja e digjitalizimit të mësimdhënies, e cila përveç furnizimit të pajisjeve kompjuterike kërkon përgatitjen e një koncepti tërësisht të ri. Disa muaj keni punuar në një program për përfshirjen e digjitalizimit dhe shkrim-leximit mediatik në nivelet e para të arsimit, por projekt-masat po thoni se kanë ngelur në zyrën e kryeministrit Zaev. Çfarë, sipas jush, është arsyeja për mungesën e interesit të qeverisë për këtë çështje?

Për ndryshime të mëdha nevojiten ekipe të mira dhe të përgatitura. Kur s’i keni ato, atëherë kërkoni mbështetje nga institucione të tjera dhe struktura të brendshme. Po, kam përgatiture dhe hartuar një pilot-projekt dhe kërkova mbështetje nga institucione të tjera, sepse MASH nuk ishte gatshëm për këtë. Kërkoja mënyrë që, nga shtatori të provojmë të projektojmë një klasë virtuale dhe të fillojmë me mënyrë të re ligjërimit. Por kur nuk e kontrolloni sistemin, as nuk mund ta ndryshoni. Sipas mendimit tim, për këtë dhe për projekte të tjera, mendoj se nevojitet një Institut i ri për Zhvillimin e Arsimit, në vend të BZHA, që do të ishte institucion shtetëror ku do të krijohen programe të reja. Ja, pas disa muajsh analiza, erdhëm në përfundim se digjitalizimi nuk mund të instalohet pa i përforcuar njëkohësisht përmbajtjet për shkrim-lexim mediatik. Natyrisht, për këtë kemi nevojë për më shumë ndihmë, por nuk po w shoh që strukturat janë të interesuara për këtë.

Nuk ishit të përfshirë në takimet, ngjarjet dhe aktivitetet e tjera që i organizonte kabineti i Ademit. Pse ju të dy nuk bashkëpunuat dhe përse nuk patët komunikim që nga fillimi?

Bashkëpunimi ynë varej nga Ministri,e jo nga unë. Mendoj se s’kishte dëshirë të sinqertë për bashkëpunim. Arsyet për këtë nuk i kam të njohura. Për shembull, Ministria e arsimit të Bullgarisë ka katër zëvendësministra dhe secili është përgjegjës për dy ose tre departamente. Kolegët janë të kënaqur, sepse me fillimin e euro-integrimeve, puna e tyre është rritur disa herë. Unë nuk isha përgjegjës për ndonjë gjë konkrete, as kisha kompetenca. Pra edhe po të doja, nuk mund të bëja shumë. Ajo situatë ngadalë bëhej gjithnjë e më e vështirë.

Meqenëse keni pasur mundësinë të paktën një vit të jeni brenda dhe t’i shihni probleme nga një kënd tjetër, më intereson cili është mendim juaj për resorin – që është shtylla e shtetit? A mund të presim ndryshime të mëdha, serioze dhe thelbësore në drejtim të përmirësimit të arsimit dhe shkencës në vend?

Ministria e Arsimit është institucioni më i rëndësishëm në sistemin arsimor. Unë mendoj se shumë kompetenca u transferuan në nivel lokal shumë herët. Komunat nuk ishin të përgatitura për atë. Tani sistemi po zgjerohet edhe më shumë dhe u ngadalësua, ndërsa proceset do të ndryshohen shumë më vështirë. Në të njëjtën kohë, shumica e njerëzve që i udhëheqin institucionet arsimore mësojnë për ato institucione shumë pak kohë para se të marrin detyrën, pa përgatitje paraprake. Prandaj krejt kjo është shumë e pakoordinuar. Prandaj kapaciteti për ndryshim është i vogël. Është e nevojshme të angazhohen të gjitha burimet ekzistuese dhe njerëzit nga praktika, si dhe të merren parasysh përvojat nga projektet e deritanishme të suksesshme, për t’iu qasur ndryshimeve serioze. Duhet të formohen këshilla të ndryshme, komisione, organe ekspertësh, grupe aksionale, shumë gjëra për të harmonizuar vizionin e asaj që e duam nga arsimi dhe mundësitë tona. Një aleancë e të gjithëve për të gjithë, diçka që do të marrë titullin e një qëllimi shoqëror dhe mbipartiak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button