Mbi 14 mijë civilë të torturuar për vdekje nga viti 2011 në Siri

Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) njoftoi se mbi 14 mijë civilë janë torturuar për vdekje, shumica nga regjimi i Bashar al-Asadit, nga marsi i vitit 2011, transmeton Anadolu Agency.

SNHR publikoi një raport me rastin e 26 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Solidarizimit me Viktimat e Torturës.

Në raport thuhet se nga marsi i vitit 2011, kur filluan kryengritjet popullore, nga torturat jetën kanë humbur gjithsej 14.227 civilë, përfshirë 177 fëmijë dhe 62 gra.

Përmes kësaj metode, regjimi i Asadit ka vrarë 14.070 civilë, prej të cilëve 173 fëmijë dhe 45 gra.

Ndërkaq, organizata terroriste YPG/PKK ka torturuar për vdekje gjithsej 43 civilë, përfshirë një fëmijë dhe dy gra.

Po ashtu, organizata terroriste DEASH ka vrarë përmes torturave 32 civilë, prej të cilëve një fëmijë dhe 14 gra, kurse 15 civilë janë torturuar deri në vdekje nga palë të panjohura.

SNHR tha se shifra e publikuar është bazuar vetëm në rastet që kanë mundur të konfirmohen dhe se bilanci i vërtetë shumë më i rëndë.

Krahas torturave në burgjet e regjimit, kushtet e qelive, ushqimi i pashëndetshëm dhe i pakët dhe gjumi i parregullt ka shkaktuar çrregullime psikologjike te të burgosurit, thuhet në raport.

Në një raport të publikuar më 30 prill, Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) kishte njoftuar se regjimi nga maji i vitit 2018 ka njoftuar regjistrat civilë se 890 nga qindra mijëra persona të burgosur apo të zhdukur kanë vdekur në burgje.

Burimet opozitare theksojnë se aktualisht, në burgjet dhe qendrat interrogative të regjimit mbahen të paktën 500 mijë persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button