Ja si po e dëmtojnë sanksionet amerikane ekonominë iraniane

Prej disa ditësh rri pezull një konflikt masiv ndërmjet Iranit dhe SHBA-ve. Presidenti Donald Trump lëshoi në twitter një paralajmërim drastik: Por edhe Teherani e nxeh edhe më tej konfliktin.

Trump ka paralajmëruar ashpër qeverinë iraniane, në rast se kjo do të sulmojë ushtarakisht ShBA-të. “Çdo sulm i Iranit kundër diçkaje amerikane do të kundërshtohet me forcë të madhe dhe dërrmuese. Dërrmuese do të thotë në disa fusha asgjësuese”, u shpreh Trump përmes Twitter-it. “Deklarata tepër injorante që dha sot Irani na tregon vetëm që Irani nuk e kupton realitetin”.

Më parë presidenti i SHBA-ve kishte shpallur vendimin për sanksione të reja ndaj Iranit si pjesë e fushatës së “presionit maksimal” kundër shtetit të Lindjes së Mesme. Urdhri ekzekutiv i Trumpit të hënën parashikonte sanksione financiare ndaj udhëheqësit më të lartë të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei dhe bashkëpunëtorëve të tij. Si reagim ndaj kësaj, presidenti iranian Hassan Rohani i kishte cilësuar sanksionet e reja si “shenjë paaftësie mendore”.

Mbështetje nga Rusia

Teherani dhe Uashingtoni kanë ngecur prej kohësh në një ngërç që në fund të javës së kaluar u ashpërsua edhe më tej, kur Irani rrëzoi një dron zbulues amerikan, që sipas udhëheqjes iraniane, kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore. Sipas Shteteve të Bashkuara droni kishte fluturuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Pas goditjes së dronit Shtetet e Bashkuara hartuan planet për një sulm ushtarak, të cilin Trumpi tha se e kishte ndalur në minutën e fundit.

Irani mori mbështetje nga Rusia, e cila tha se ka shenja që flasin se droni kishte qenë mbi zonën ajrore të Iranit, tha këshilltari i sigurisë ruse, Nikolai Patrushev gjatë një takimi me kolegët e tij amerikanë në Jerusalem. Këtë informacion ia kishte dhënë atij Ministria e Mbrojtjes në Moskë.

OKB-ja bën thirrje për vetëpërmbajtje maksimale

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje maksimale dhe ka kërkuar prej palëve në konflikt që të “ndërmarrin masa dhe veprime për ta reduktuar përshkallëzimin dhe ulur tensionet”, tha ambasadori i Kuvajtit në OKB, Mansur al-Otaibi, në cilësinë e kryetarit të radhës së OKB-së, pas një takimi të posaçëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.

Konflikti me Iranin po ndizet edhe më keq edhe për shkak të parlajmërimit që ka bërë ky, se duke filluar nga data 7 korrik nuk do t’i respektojë më disa nga detyrimet e marrëveshjes ndërkombëtare atomare të vitit 2015. Teheranit i ka ardhur në majë të hundës me “paturpësinë” e europianëve, që e detyrojnë Iranin të respektojë marrëveshjen, pa e përmbushur vetë atë pjesë të kontratës që u takon, bëri të ditur agjencia e lajmeve Fars duke cituar një deklaratë ekskluzive të kryetarit të Sigurisë Kombëtare, Ali Shamhani.

Vitin e kaluar edhe Trump e nxorri SHBA-në nga marrëveshja e rëndësishme bërthamore e bërë mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore në 2015. Që nga ajo kohë, ai vendosi sanksione të gjera, me synim që t’i jepte fund eksporteve të naftës iraniane, të dëmtonte burimin kryesor të këmbimit valutor dhe ta detyronte Teheranin të hiqte dorë nga ambiciet bërthamore.

Sa e kanë dëmtuar Iranin sanksionet amerikane?

Veprimet e SHBA-ve e kanë goditur rëndë ekonominë iraniane. Ndërsa eksportet e lëndës së parë prej vendit të pasur me naftë kanë rënë, inflacioni dhe papunësia janë rritur. Irani, i cili është vendi i katërt në botë për nga rezervat e naftës dhe i dyti për nga rezervat e gazit, në prill 2018, pra, para se Trump ta nxirrte SHBA-në nga marrëveshja,dergonte deri në mbi 2,5 milionë fuçi në ditë pertej oqeanit. Kurse në maj 2019, numri i fuçive në ditë ishte 400,000 deri në 500,000, njofton agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar burime të industrisë.

Heqja e sanksioneve ndërkombëtare në vitin 2016 nxiti rritje të shpejtë ekonomike në Iran, me një rritje prej 12% në vitin 2016. Por rivendosja e sanksioneve vitin e kaluar shkaktoi një goditje masive.

Ekonomia iraniane, e dyta për nga madhësia në rajon, pas Arabisë Saudite, vitin e kaluar u tkurr me 3.9% , bën të ditur Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Për vitin 2019, FMN-ja parashikon një tkurrje të Irani deri në masën 6%.

Frustrimi mbi sanksionet po rritet ndër iranianë, të cilët vitin e kaluar u përballën me një zhvfleftësim të valutës iraniane me rreth 60%. Inflacioni u rrit me 37% dhe çmimet e ushqimeve dhe barnave mjekësore janë rritur me 40% deri në 60%, sipas shifrave të BE-së, transmeton DW.

“Gjatë këtyre javëve dhe muajve, çmimet e produkteve të përditshme janë rritur në mënyrë dramatike për çdo iranian,” i tha DW Michael Tockuss, drejtor i Dhomës Tregtare Gjermano-Iraniane. “Sanksionet nuk janë më specifike, nuk janë të drejtuara kundër ndërmarrjeve të veçanta ose kundër sunduesve të vendit, por ato godasin iranianët e zakonshëm në të gjithë vendin”.

Cili është efekti tek papunësia?

Shumë kompani të huaja, përfshirë prodhuesit e makinave si Daimler dhe Peugeot dhe grupi i naftës Total, i kanë mbyllur veprimtaritë e tyre në Iran gjatë muajve të fundit. Kjo e ka rritur edhe më shumë papunësinë në vend. Papunësia e përgjithshme është aktualisht 12%. Shkalla e papunësisë së të rinjve është afro 30%, një gjendje dramatike kjo, po të kemi parasysh se 60% e popullsisë 80 milionëshe janë nën 30 vjeç.

Një raport parlamentar shtatorin e kaluar paralajmëroi se papunësia në rritje mund të kërcënojë stabilitetin e vendit. Në raport gjithashtu thuhej, se nëse rritja ekonomike e Iranit mbetet nën 5% gjatë viteve të ardhshme, papunësia mund të shkojë deri në 26%. Presidenti iranian Hassan Rouhani thotë se vendi i tij po përballet me “luftë ekonomike”. Por Uashingtoni thekson se presionet ekonomike ndaj Teheranit u drejtohen qeverisë, e jo iranianëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button