Shfaqje mbi politikën e shantazhuar dhe militantizmin partiak

Shfaqja“Një letër e humbur”, një satirë politike e autorit rumun, Jon Luka Karaxhale, me regji mjeshtërore të Kushtrim Bekteshit, me asistencë të regjisores së re, Kaltrina Tefikut, me skenografi funksionale të Betim Zeqirit, me kostumografi inventive të Damka Ferrit, projekt i Teatrit të Tetovës, kishte ritëm dhe ekspresivitet, kurse loja e aktorëve ishte harmonike dhe e koordinuar deri në detaje. Kjo shfaqje e gjatë e mban publikun të përqendruar përgjatë gjithë kohës.

Autori i veprës, Jon Luka Karaxhale (Ion Luca Caragiale, 1852 – 1912), është dramaturg, romansier, poet dhe regjisor rumun. Sipas Joneskos, ai është “njëri nga dramaturgët më të mirë të panjohur”.

Ngjarja në këtë vepër të shkruar në vitin 1884 ndodh në një provincë. Një letër dashurie e prefektit humb para zgjedhjeve lokale. Letra komprometuese bëhet armë shantazhi ndërmjet rivalëve politikë.

Derisa e shikon shfaqjen, që shënjestron korrupsionin, moralin e rrejshëm, provincializmin politik, militantizmin partiak, ndjen se mesazhet përcillen me mjeshtri te publiku. Kjo vepër komunikon natyrshëm me sistemin tonë kulturor. Ke ndjesinë se në skenë shfaqet përditshmëria jonë, me politikanë të korruptuar e të shantazhuar, të shtrënguar që të pranojnë kërkesa të papranueshme për ta fshehur të vërtetën që i dëmton. Veprojnë ata në një botë ku interesat personale i kanë hijezuar interesat publike. Në këtë sistem të degjeneruar vetëm flitet për parime dhe moral, por mungojnë edhe parimet edhe morali. Çdokush ka ambicie për poste politike, shtetërore e publike, pavarësisht kompetencës që ka për postin të cilin e pretendon. Në kësi rrethanash duket si më i kthjellët I dehuri. Ai shpesh pyet se kë duhet ta votojë, për sa kohë zgjedhjet nuk ofrojnë zgjidhje dhe nuk sjellin ndryshime, sepse të gjitha palët janë njësoj. Edhe i dehuri, nëpërmjet shantazhit, kërkon që të bëhet prokuror dhe si i tillë, mbase, ëndërron ta shërojë shoqërinë e sëmurë moralisht, ku të gjithë korruptohen, sepse duan që të korruptohen. Në përplasjet politike dominon dredhia, demagogjia, injoranca dhe fryma e militantizmit partiak. Synohet korruptimi ose manipulimi i turmës, që, si zakonisht, udhëhiqet nga pasionet e çastit. Turma, si përherë, vendos nxitimthi dhe sipas interesave utilitare. Në shoqërinë e këtillë ka vdekur edhe fryma konservatore, që na lidh me traditën. Idealet e vjetra janë rrënuar, kurse të rejat mungojnë. Populli është i heshtur dhe vetëm shërben si Skarthi…

Nuk mund të ketë shfaqje të mirë pa regji dhe lojë të mirë aktoreske. Ose, siç thuhet, në një shfaqje gjithçka është rekuizitë e vdekur nëse mungon shpirti i regjisorit dhe i aktorëve. Në këtë shfaqje kudo ndjehet mjeshtëria regjisoriale, kurse aktorët, përkundër kushteve të rënda teknike, lanë mbresë të jashtëzakonshme te publiku. Ata kishin krijuar karaktere mbresëlënëse. Zaharia Trahanake u interpretua me shumë spontanitet e mjeshtri nga aktori Muzbajdin Qamili, ashtu sikurse edhe Gicë Pristanda nga Arsim Kaleci, Zhoicikë Trahanake nga Vjollca Bekteshi – Hamiti, I dehuri nga Blerim Osmani, Shtefan Tipëtesku nga Arsim Fazlia, Naje Kacavenku nga Muzafer Etemi, Take Farfuridi nga Burhan Amiti, Jordake Brënzovenesku nga Shkumbin Zeqiri, Agamicë Dandanake & Veterani i luftës nga Elmir Sejfullai, Skarthi nga Bekim Jahiu, Jonesku nga Shpëtim Beadini, Popesku nga Jetmir Arifi, Djali i madh i veteranit të luftës nga Hasim Memishi – Sopi, Djali i vogël i veteranit të luftës nga Sami Mustafa, Fshatarët nga Bekim Smajli, Rrahim Ramadani dhe Abedin Alimi dhe Petkoshi nga Arben Rasimi. Për fotografitë është kujdesur Halim Luta.

Shfaqja “Një letër e humbur”, pra, është projekt i suksesshëm artistik i Teatrit të Tetovës, me regji mjeshtërore dhe lojë shumë të mirë e harmonike aktoreske. Nuk duhet që ta harrojmë publikun e Tetovës, i cili merr pozicion aktiv estetik dhe meriton kushte më të mira teknike gjatë përjetimit të shfaqjeve të këtilla teatrore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button