fbpx

Pas një debati maratonik në Kuvendin e RMV-së, u shkarkuan Fazliu, Tevdovski dhe Lika

Seanca për emërim të ministrave të rinj është për caktuar nesër, 27 qershor 2019, ora 11:00.

21:10 – Pas një debati maratonik në seancën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë shkarkuar tre ministra, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Suhej Fazliu, ministrin e Financave, Dragan Tevdovski dhe zëvendëskryeministrin për Zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika.

Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi
Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi

Për ministrin e Ambientit Jetësor dhe Planifikimin Hapësinor, Sadullah Duraku, ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski dhe ministrin pa resor, Zoran Shapuriq të cilët vetë kanë dhënë dorëheqje, siç vendosi kryeparlamentari Talat Xhaferi, nuk kishte nevojë të debatohet.

Debati në Kuvend zgjati për më shumë se dhjetë orë, pasi deputetët e partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-së kanë dërguar kritika të ashpra deri te kryeministri Zoran Zaev, për siç thoshin ata se, ndryshimet e paralajmëruara nuk i përmbushën pritshmëritë dhe se një pjesë e madhe e ministrave do të duhet të ishin të ndërruar.

Më së shumti kritika u adresuan në lidhje me propozimin e Zaevit që ai vetë të bart funksionin e ministrit të Financave, nga e cila hoqi dorë, për shkak të rekomandimit të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit.

Seanca për emërim të ministrave të rinj është caktuar për nesër, 27 qershor 2019, ora 11:00.

Për ministër të ministrisë së re, atë të Sistemit Politik, është propozuar Sadullah Duraku – radhë e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) i cili dje dha dorëheqje nga posti i ministrit të Ambientit Jetësore dhe Planifikimit Hapësinor, të cilin pritet ta udhëheqë Naser Nuredini – BDI.

Për ministër të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është propozuar, Trajan Dimovski – radhë e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), për të Kulturës, Hisni Ismaili, radhë e Alternativës dhe për të Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski.

Për shkak të shkarkimit të ministri Fazliu, lideri i partisë nga ku vjen ai, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) njëherit edhe deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të RMV-së, Vesel Memedi ka deponuar sot dorëheqjen nga të gjitha postet në Kuvend. Siç ka paralajmëruar ai, “nëse LSDM–ja dhe BDI-ja ia shkarkojnë ministrin, do të dalë nga koalicioni qeveritar”.

Përndryshe, propozimi i Zaevit për ta emëruar veten si ministër i Financave, ka ngjallur reagime të shumta në publik. Për ekspertët, ky vendim paraqet një mundësi për qendërzim të fuqisë së Zaevit, e ndërkaq të tjerët venë në dyshim se angazhimet e mëdha që i ka ministri i Financave, do ta pamundësojnë efikasitetin për ta kryer këtë funksion

Ndryshe, ndryshimet në Qeveri vijnë në kuadër të procesit të ashtuquajtur nga vetë ai, “Fshesa”, i paralajmëruar në kuadër të fushatës zgjedhore presidenciale. Paralelisht me këtë proces, ndryshime kanë filluar edhe në kuadër të partisë së udhëhequr nga vetë Zaevi, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), e ndërkaq në kuadër të partisë bashkë-qeverisëse, Bashkimi Demokratik për Integrim janë duke u zhvilluar zgjedhje për emërim të të gjithë kryetarëve të degëve, pasi që atyre paraprak u ka skaduar mandati.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button