Babai i “El Çekës” – Mustafa mohoi se mes birit të tij dhe Ali Ahmetit ka diçka personale

Babai i personit me nofkën “El Çeka”, Mustafa Ahmeti për “TV 21” ka sqaruar se mes birit të tij, Sheqerim Ahmeti nuk ka asgjë personale me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti dhe partisë së tij, por qëllimi i vetëm i publikimit të materialeve të përgjuara – “bombave”, është që të dekonspirohet çdo shërbim i nëntokës i instaluar në sistem, transmeton Portalb.mk.

“E ke parasysh, në qoftë se është personale, unë e kisha zgjidh problemin. Nuk është personale. Jo, jo. Nuk ka personale. S’kemi ne asnjë gjë personale me askënd o vëlla. Këto janë probleme gjithëkombëtare shqiptare. Qëllimi ynë është t’i dekonspirojmë çdo shërbim të nëntokës që kanë vepruar me këto njerëz që sot janë instaluar. Nëpërmjet LPK-së së dikurshme, sot janë instaluar brenda sistemit”, tha Mustafa Ahmeti, babai i Sheqerimit – “El Çekës”.

Në publik qarkulluan informacionet se materialet “El Çeka” i ka marrë nga tash shefi i Agjencisë së Zbulimit, Erolld Musliu. Megjithatë, babai i tij, Mustafa e mohoi çfarë do lloj lidhje mes Sheqerimit dhe Erolldit.

“Ne me babain e Erolld Muslliut kur s’kemi pasur marrëdhënie të mira. Jo, jo, jo. S’ka lidhje. Eroll Musliu është njeri i shërbimeve shumë të hershme”, tha Ahmeti.

Ai gjithashtu u mënjanua nga çdo parti politike opozitare. Sipas tij, opozita shqiptare në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë është e ngordhur.

“Partitë politike kanë kërkuar takime, por nuk kam pranuar. Ne jemi vetëdijesuar më. Partive politike u intereson të futen prapë në atë sistem. Dëgjo, unë them se opozita shqiptare është e ngordhur. E vdekur. Le të thotë kushdo çkado. Opozitë shqiptare në Maqedoni, dhe as në Shqipëri nuk kemi. As në Kosovë”, tha Ahmeti.

Përndryshe, këto deklarata Ahmeti i dha para se të fillojë protesta që u mbajt dje në Tetovë. Protesta u paralajmërua nga Sheqerim Ahmeti i njohur me emrin “El Çeka”, për siç thanë dje, që të shprehet pakënaqësi ndaj “padrejtësive që u bëhen shqiptarëve” dhe ndaj “rastet e montuara politike”. “El Çeka” u bë i njohur që kur filloi me publikimin e disa materialeve të përgjuara – “bombave”, ku dëgjohen duke biseduar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti me pjesëtarë të tjerë të partisë për procese të ndryshme. Në fillim bisedat ishin kryesisht private, ndërkaq këto të fundit flasin për një lidhjes mes pjesëtarëve të partisë me procese të caktuara gjyqësore dhe shoqërore.

Megjithëse në fillim “El Çeka” i publikonte nga profili i tij në rrjetin social “Fejsbuk”, i njëjti është bllokuar nga organet e rendit, dhe tash nuk asnjë faqe aktive të veten, ndërkaq materialet publikohen në “Fan page” të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button