Kuvendi i Kosovës e miratoi raportin që konstaton shkelje gjatë dëbimit të shtetasve turq

Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, në mars të vitit 2018. Me gjithë kritikat dhe kundërshtimet që u dhanë gjatë debatit nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe grupit parlamentar 6+, raporti u miratua me 59 vota për, 2 kundër dhe 4 abstenime, njofton REL.

Duke prezantuar gjetjet e raportit, kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Xhelal Sveçla, tha se janë identifikuar 31 shkelje në procesin, e siç tha, jashtëligjshëm të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Duke u thirrur në raportin hetimor, Sveçla tha se vendimi për revokim të leje-qëndrimeve në Kosovë dhe urdhri për dëbim me forcë të shtetasve turq ishin në kundërshtim me ligjet, Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare.

“Lidhur me operacionin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq konstatohen një varg i gjatë i shkeljeve, parregullsive dhe mospërputhjeve me ligje dhe akte nënligjore në fuqi, si dhe me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në raportin që e kemi dorëzuar, kemi identifikuar 31 shkelje, të cilat janë të njohura tashmë, si dhe një listë rekomandimesh për Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, duhet theksuar se në kuadër të këtyre shkeljeve, vendimet për revokim të leje-qëndrimin dhe urdhrat për largim me forcë janë nxjerrë jashtëligjshëm, e këtë e konfirmon edhe vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ, e cila ka anuluar këto vendime”, theksoi Sveçla.

Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, tha se kjo ngjarje “është rasti më eklatant i shkeljes së çdo norme dhe dispozite ligjore e kushtetuese nga autoritetet shtetërore”.

Sipas Selmanajt, në këtë ngjarje janë lënë anash Prokuroria e Shtetit, gjykatat dhe disa departamente të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai theksoi se gjatë operacionit, Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) ka tejkaluar mandatin e saj duke kryer autorizime policore.

“AKI-ja ka marrë autorizime policor, ka tejkaluar mandatin e saj kushtetues, në zyrat e Policisë së Kosovës kanë hyrë agjentë të AKI-së dhe kanë menaxhuar operacion policor. Policia në terren nuk ka komunikuar me përgjegjësit e tyre, shefat e tyre, kanë komunikuar me dy agjentë të AKI-së, atyre u kanë dhënë llogari, me ata janë konsultuar. Dhe, kjo në fakt tregon që siguria individuale dhe nacionale në Kosovë është në pikëpyetje sepse AKI-ja është në gjendje të suprimojë të gjitha institucionet tjera, por normalisht dikush tjetër është mbi AKI-në, por të cilin do ta them pak më vonë”, tha deputeti Selmanaj.

Megjithëse tha se në raport nuk kanë dëshmi që pohojnë se urdhri është dhënë nga presidenti Hashim Thaçi, deputeti Selmanaj këtë përgjegjësi ia hodhi presidentit.

Ai tha po ashtu se gjatë intervistimit janë përballur me mospërputhje të deklaratave dhe dëshmi të rreme nga ish-shefi i Policisë së Kosovës, tash shef i AKI-së, Shpend Maxhuni, dhe ish shefi i AKI-së Driton Gashi, lidhur me atë se a ka qenë në dijeni për operacionin kreu i Policisë.

Kurse deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqaj, tha se janë të interesuar që ky rast të zbardhet, por pati kritika për raportin, të cilin e quajti jokredibil. Sipas Beqajt, interpretimet në raport janë bërë në formë selektive, për interesa politike dhe personale nga anëtarët e komisionit.

Pos kësaj, deputeti Beqaj tha në së paku tri raste komisioni ka marrë dëshmi pa kuorum, gjë që, sipas tij, i zhvleftëson provat sa të mos mund të përdoren në raport.

“Komisioni në disa raste ka vepruar kundër nenin 16, të Ligjit për hetim parlamentar, publiciteti i mbledhjeve të komisionit, nuk kanë zbatuar në mënyrën e duhur çështjen e seancave të mbyllura, të administrimit të provave dhe të ruajtjes së sekretit zyrtar. Publikimi i informatave dhe ecurisë së punës së komisionit, nga kryesuesi dhe anëtarët e komisionit, është bërë në kundërshtim me Ligjin për hetim parlamentar”, tha Beqaj.

Ai po ashtu, tha se nuk mund të konstatohet se ka pasur tejkalim të mandatit nga AKI-ja, duke shtuar se raporti nuk e ka fuqinë që duhej ta kishte dhe se “nuk i ndihmon organet e drejtësisë, por vetëm ua vështirëson punën”.

Ndërsa, i ka replikuar Selmanajt duke thënë që nuk ka asnjë dëshmi që e bën përgjegjës për urdhërdhënie presidentin Hashim Thaçi.

Por, presidentin Thaçi përgjegjës e ka bërë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, të cilin e ka quajtur “dirigjent të kësaj ngjarjeje të rëndë”.

Sipas deputetit Konjufca, “deportimi skandaloz dhe i jashtëligjshëm”, pos që ka prekur drejtpërdrejtë funksionimin e ligjit, nivelin e demokracisë dhe relacionet mes institucioneve në Kosovë, e ka dëmtuar atë edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq. Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grushtshtet në Turqi në vitin 2016.

Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime ashpra nga shtetet perëndimore, por edhe vetë kryeministri Ramush Haradinaj, që pati deklaruar se nuk ishte në dijeni të këtij operacioni.

Më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button