MAMLI

Ndodhia është nga koha e diferencimit kundër nacionalizmit e irredentizmit shqiptar, aksion ky që e zhvilloi Partia komuniste e Maqedonisë. Asokohe punoja në një redaksi, kurse kafenë e paraditës e pinim në kafenenë Buket..

Derisa pinim kafe me shokët ai vinte qetë dhe pa pyet fare e ngrehte një karrikë nga tavolinat shprazëta dhe ulej pranë nesh gatise pa u hetuar. Qetë e prorosiste një koka kolë e një sanduiç. Dhe, dëgjonte bisedat tona.Quhej Memleqet, kurse ne e thërrisnim Mamli. Ne rrinim çdo ditë para dite në kafene, pasi shumicën e punëve e bënim në shtëpi. Ai vinte pas nesh dhe e zinte vendin e tij. Në një qosh.

Tema e bisedave tona zakonisht ka qenë kauza shqiptare ose letërsia. Saherë që flisnim për ndonjë shkrimtar, Mamli shikonte papërcaktueshëm në një pikë në tavan dhe herë pas here e pindonj ndonjë gllënjkë koka kole, ndërkaq ku biseda bëhej për presionin që bënte pushteti i atëhershëm mbi shqiptarët, ai e porosiste edhe një kafe dhe në çdo koment tonin e tundte kokën majtas e djathtas kinse po shprehte habinë e tij të cilën unë do ta kisha përkthyer me “a është e mundur?!”… Mamli si vinte qetas, ashtu edhe ikte para nesh qetas, pa paguar koka kolën e sanduiçin e tij, pasi afrohej koha të shpërndaheshim.

Kështu çdo ditë… Kështu me vite.

Pastaj unë u largova nga puna. Kuptohet nga presioni, sepse pushteti më vuri një kusht: ose do të flasësh kundër kolegut T. D. ose bëni çare vetes. Unë, ta merr mendja, u përcaktova për këtë dytën – t’i bëj çare vetes, pa menduar fare për pasojat e mundshme.

Filloi një jetë edhe më e rëndë. Miqtë filluan të rrallohen. Edhe farefisi nisi të ftohet. Halli im i binte, si e ke kërkuar, e ke gjetur.

Një ditë – zilja e telefonit. Mamli.

A mund të shihemi tash? më pyeti. Jam me një shok i cili deshi të njihet me ty. Ta pimë një kafe bashkë.

Më duhet të shkoj t’i marr do bileta për tren, në Putnik,  i thashë.

Epo mirë…

I mora biletat dhe sa po dilja, Mamli me shokun e tij, m’u afruan. Njëri në njërën anë, tjetri në tjetrën. Unë në mes. Ecim ngadalë. Të tretë heshtim.

Të të njoftoj, më tha dikur Mamli. Ky është shoku Jugosllav… Punon  në SPB.

Nuk i thashë asgjë, ndonëse u ndjeva shumë i fyer. Mamli i cili gjithmonë ka dëgjuar çdo fjalë që kemi këmbyer me shokët, paska shkuar t’i përcjellë në UDB! O zot!…Mamli!… A është e mundur?! mendova. Vazhduam të ecim. Dikur Jugosllavi më tha:

Duhet të më njohësh. Unë shpesh kam qenë në redaksinë tuaj. Atje të kam parë. Duhet të më njohësh.

Nuk mund t’i njoh unë sa njerëzit që hynë e dalin në redaksi.

Unë nuk jam nga ata “sa hynë e dalin”.

E ç’punë paskam unë me ju që punoni në SPB? A mos ke ardhur të më gërryesh? Shiko punën! I thashë i nervozuar.

Kaq iu desh. Jugosllavi u largua, duke i lëvizur duart me nervozë. Mbeti me mua Mamli. E shikova me habi Mamlin. “Mamlin e qetë” që me vite e merrte nga një koka kolë dhe një sanduiç nga shoqëria jonë dhe rrinte e dëgjonte heshtazi se çfarë flasim. Eh! bëra. Kah s’e pret të ardhka sherri!

Kush është ky, Mamli? Pse ma solle këtu? e pyeta i hidhëruar.

Jo, tha Mamli, Jugosllavi deshi të ta tërheqë vërejtjen të kesh kujdes me kë shoqërohesh.

Eu, Mamli! Po me kë shoqërohem unë, në mesin e tyre ke qenë edhe ti me koka kolë në dorë. Këtu mbaroi biseda ime me Mamlin.

Aty u ndamë. Unë rrugës sime, kurse Mamli u nis me ngut në kahen nga iku Jugosllavi.

Pas disa hapash, Mamli u ndal. U kthye nga unë e më tha:

Kujdes nga pasojat!

Më s’u pamë me Mamlin.

Po pasojat nuk qenë të lehta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button