Komuna e Çairit organizon pritje të kampionit Besir Alili, Qyteti i Shkupit ende s’ka vendosur për shpërblimin

Komuna e Çairit bashkë me Klubin e Mundjes “Liria” sot do të realizojë pritje solemne të kampionit evropian në mundje, Besir Alili, ndërkaq Qyteti i Shkupit ende s’ka vendosur se a do ta shpërblejë me mjete parash të njëjtin, transmeton Portalb.mk.

Pritja solemne do të bëhet sot, 24 qershor 2019, me fillim prej ora 18:00 në Sheshin “Skënderbeu”.

“Të mirëpresim me dinjitet dhe eufori festive atë që na e zbardhi fytyrën dhe me medaljen e artë në kampionatin evropian në Itali, të gjithëve na bëri të ndjehemi krenar”, njoftuan nga Komuna e Çairit.

Nga ana tjetër, Portalb.mk ka kontaktuar Qytetin e Shkupit për të parë nëse edhe ata do të jenë pjesë e pritjes, por të njëjtit nuk kishin informacione për një gjë të tillë. Të pyetur se a do të ndajë mjete si formë shpërblimi ndaj Besir Alilit, nga atje thanë se ende nuk është vendosur për një gjë të tillë.

“Nesër planifikojmë ta kemi në takim Besir Alilin. Për shpërblim ende nuk kemi vendosur, do të shohim nesër”, tha zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Salihi.

Që të ndahen mjete për shpërblim të titujve evropianë, vendimi duhet të kalojë në Këshillin e Qytetit të Shkupit, pasi i njëjti paraprakisht të jetë propozuar nga kryetari, Petre Shilegov. Mbetet të shihet se a do të propozohet ndarje e mjeteve për shpërblim të Alilit, dhe se si do të votojnë këshilltarët e Shkupit.

Përndryshe, në Itali është zhvilluar kampionati evropian në mundje për kadetë, ku mundësi i KM “Liria”Besir Alili rrëmbeu titullin kampion i Evropës në kategorinë deri 48 kg, duke mundur në finalen e madhe armenin Harutyun Hovhannisyan.

Ndryshe, kohë më parë Qyteti i Shkupit për titull të ngjashëm, kampion evropian në hendboll për Klubin e Hendbollit “Vardar”, poashtu privat, pati ndarë rreth 10 milionë denarë. Rreth 2.5 milionë denarë kanë qenë për udhëtim special – “çarter”, 2 milionë për pritjen solemne dhe 6 milionë për shpërblim. Krahas Qytetit të Shkupit, shpërblim për “Vardarin” ka dhënë edhe Agjencia për Rini dhe Sport në vlerë prej 6 milionë denarë.

Edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut pati paralajmërua shpërblim në vlerë prej 30.5 milionë denarë, por propozimi edhe pse ka qenë i vendosur në seancë qeveritare, është tërhequr, për t’u vendosur në miratim në ndonjë nga seancat e ardhshme. Nga kjo e fundit, dje kryeministri Zoran Zaev ka uruar Alilin vetëm nëpërmjet statusit në rrjetin social “Fejsbuk”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button