RACIZËM NË DEMOKRACI

Në mjedisin tonë labil të pagëzuar “një shoqëri për të gjithë” ditëve të fundit ndodhën dy ngjarje sociale që edhe një herë lëkundën raportet ndërtnike të brishta. Suksesi i hendbollistëve të Vardarit u njollos me parulla deja vu antishqiptare të tifozëve etnikë-maqedonas dhe rasti tjetër, “Alievski”, që do të shënohet në historinë e zezë të këtij vendi dhe të kësaj shoqërie.

Shkallaret e stadiumeve tanimë janë bërë skenë e shfryrjes së psiko-patologjisë të ngulitur thellë në vetëdijen e amigo-komitëve që si në shirit përsërisin parullat e njëjta (“shqiptarët e mallkuar”, “shqiptar i  mirë, i vdekur”), që nga garimet lokale deri te ballafaqimet ndërkombëtare. Ky kompleks do duhet kohë e gjatë që të shërohet; ndërkohë një fushatë edukuese duhet të ndërmerret nga instanca të ndryshme sociale. Edhe organet e rendit duhet ta bëjnë të veten, sepse sporti ka impakt në gjithë shoqërinë, të gjitha kategoritë sociale, sado që duket si veprimtari terciare. Të kujtojmë se tullat e para të “vëllazërim-bashkimit” jugosllav, pas Kosovës, u hoqën në stadiumet e “Zvezdës” dhe “Dinamos”, përmes parullave, brohoritjeve ultra-nacionaliste.

Rasti i dytë ndodhi në Prilep, në periferinë apo hinterlandin e shqiptarisë së RMV-së, ku futbollisti shqiptar Alievski u dëbua nga një lokal (“La Strada”) bashkë me shoqëruesit e vet, vetëm pse flisnin shqip. Një racizëm par exellance, një urrejtje që ka punuar në trurët e një pjese të popullatës, që të infektuar thellë, shfaqin botën e tyre destruktive të brendshme edhe në rrafshin social. Tridhjetë vite të demokracisë s’kanë arritur ta eliminojnë vetëperceptimin e vrazhdtë, ndjenjë negative ndaj tjetrit gjuhësor, kulturor, etnik, fetar… Madje as fryma ekonomike, e biznesit që nuk zgjedh se prej nga je, kush je, por vetëm pyetjen “sa para ke për të lënë në lokalin tim?” “Shkolla e tmerrit” i ka aktorët e vet edhe nëpër arena sportive, në rrjete sociale, në mure, grafite (“Thika për shqiptarët” – Aerodrom) e në shumë segmente të tjera të jetës sociale.

Por kjo e fundit, lojtari që luan me kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, që shënon dhe ngre namin e një shteti, të nënçmohet deri në atë shkallë është e dhimbshme. Do të thotë se s’e kemi mësuar leksionin e “shoqërisë së ndarë” që përjetoi edhe një konflikt ë armatosur. Evdiente është që “kultura” antishqiptare e imituar nga ideja serbomadhe dhe antishqiptare vazhdon ta prishë fuçinë e vet.

Rasti Alievski  të përkujton historinë famoze të Jugut të SHBA-ve kur mbizotëronin parullat “No dogs, no negroes, no mexicans” (Ndaluar për qenë, zezakë dhe meksikanë.), “We serve whites only, no spanish, no mexicans!” (Shërbejmë vetëm të bardhët, jo spanjollët, j meksikanët), “Imperial Laundry Co.: We wash for white people only.” (“Imperial Laundry Co.: Lajmë vetëm për njerëzit e bardhë).

Ndodhia në fjalë asocon edhe regjimin aparteidist të Afrikës së Jugut që ka nënkuptuar politikën e rregullimit të marrëdhënieve mes pakicës së bardhë dhe shumicës zezake, që ka sanksionuar segregacionin racor dhe diskriminimin politik dhe ekonomik kundër njerëzve me ngjyrë, ku qytetarët ishin kategorizuar në bantu (afrikanët e zinj), me ngjyrë (të racave të përziera) dhe të bardhët. Sipas ligjeve të aparteidit, zezakët e kishin të ndaluar t’u afroheshin “hapësirave të bardha”, nga zezakët kërkoheshin dokumente që i autorizonin të qëndronin në tokat e kufizimeve për ta. Përveç kësaj ndaloheshin kontaktet ndërracore, kishte bjekte publike të segreguara, standarde të veçanta arsimore, kufizime në punësime, ndalim për zezakët për t’u bërë pjesë e qeverive kombëtare etj.

Edhe në shoqërinë tonë, kuptohet jo me përmasa të njëjta, por si frymë ende është prezent kastizimi  social që herë pas herë del në sipërfaqe. Sesa është vrragëzuar kjo ndjenjë e vërejtëm edhe këtë të shtunë, më 22 qershor në qytetin e Kumanovës, ku në kuadër të Shkollës Rinore Ballkanike 2019 mbajtëm një ligjëratë lidhur me rëndësinë e shkathtësive të buta në shekullin tonë, në epokën e homo conncectus-it dhe të inteligjencës artificiale. Me të arrirë pamë një rrëmujë, nga njëra anë të rinjtë dhe një grup plakash që pretendonin se ata e ishin prenotuar më përpara sallën e ish-Komitetit për kohën gjegjëse.

Dhe teksa vëzhgonim debatin mes organizatorëve të Vizionit-M me palën tjetër, dy prej zonjave në moshë të thellë, me një vetëbesim të lartë, sikur të ishte malli i babës së tyre, pa një pa dy, të rinjve disa herë u drejtoheshin me fjalët: “Hajde, menjëherë lëshojeni sallën! Hiquni këndej.” Mbetëm të habitur nga sjellja e tyre, meqë dukeshin të kulturuara. Dhe ndërhymë, duke iu thënë se sallën mund ta braktisin por jo me një sjellje arrogante të tyren, jo me diktat si në kohën e komunizmit, jo me urdhër të prerë, jo me stil përzënës. “Mund ta braktisin për shkak të respektit ndaj moshës suaj, por jo si pasojë e urdhrit të ulët dhe pa takt.” Dhe leksioni ynë u mbajt në një sallë përballë, por mbeti përshtypja për perceptimin që ka “pala tjetër” për ne në këtë shoqëri apo shtet. Një nga mësimet e jetës është edhe ky: Shoqëritë ku s’ka barazi dhe drejtësi s’mund të kenë ardhmëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button