Familjarët e të vrarëve në Smillkovë: Pesë funksionarë të BDI-së janë përgjuar për rastin “Monstra”

Sot është anuluar seanca gjyqësore për rastin “Monstra”, për shkak se dy dëshmitarë nuk kanë ardhur që të japin dëshmi, në lidhje me vrasjen e pesëfishtë në vitin 2012-të në Liqenin e Smillkovës, njofton Portalb.mk.

Familjarët e të vrarëve, janë revoltuar duke akuzuar se po zvarritet zbardhja e procesit gjyqësor dhe kërkojnë nga Gjykata që të deklasifikohen 5 numrat që janë përgjuar me urdhër të Prokurorisë, sipas masave të veçanta hetuese, të cilët sipas tyre janë të funksionarëve të BDI-së.

“Na jepni fshehtësinë shtetërore. Ne tanimë i dimë funksionarët e BDI-së, Safet Neziri, Bujar Osmani, Nevzat Bejta dhe Bekim Neziri”, tha Goran Nakevski, babai i të vrarit Aleksandar, duke mos e përmendur emrin e funksionarit të pestë dhe duke akuzuar se emrat e tyre nuk tregohen pasi që po i mbron shteti.

Familjarët e të vrarëve që nga fillimi i gjykimit thonë se pesë numra telefonik, të cilët janë dëgjuar me masa të veçanta hetuese, janë klasifikuar si dëshmi shtetërore, dhe kërkojnë nga gjykata të deklasifikohen. Këto numra, thonë familjarët, kanë qenë numra të funksionarëve të BDI-së.

Portalb.mk, tentoi që të kontaktojë me funksionarët e lartëpërmendur, por vetëm Bejta ishte i kapshëm për redaksinë tonë, i cili mohoi se është i njoftuar se numri i tij i telefonit është përgjuar ndonjëherë.

“Nuk kam informacione për këtë, deri më tani askush s’më ka njoftuar se është përgjuar telefoni im për këtë rast. Askush s’më ka ftuar që të dëshmoj apo jap deklaratë, për çdo rast këtu jam unë”, tha Bejta për Portalb.mk.

Sipas paralajmërimeve, pritet që  pas 2-3 seancave, të fillohet me fazën e re – dëshmive të reja, në t0δ cilën PSP, duhet që t’i nxjerrë bisedat e përgjuara.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur janë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, Zoran Zaev duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë të akuzuarit aktual.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button