Saraçini bën hapjen e Panairit për Logjistikë dhe Transport 2012

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini sot bëri hapjen e Panairit të dytë ndërkombëtarë për transport dhe logjistikë 2012, ku morrën pjesë mbi 30 kompani nga sektori i transportit dhe logjistikës nga rajoni, sektor ky që përbën një nga faktorët kryesorë për zhvillimin e shkëmbimit tregtar në veçanti dhe ekonomisë në tërësi.

Kompanitë ekspozuese në Panair do të kenë mundësi të prezantohen, afirmohen dhe të kenë kontakte të drejtpërdrejta me komunitetin e afarist, të shkëmbejnë mendimet dhe përvojat e tyre, në tribunat që do të organizohen  gjatë ditëve në vijim, nga 26 deri 29 shtator.  

‘Me Panairin e dytë me radhë për transport dhe logjistikë dëshmuam edhe njëherë se Shkupi dhe Republika e Maqedonisë me vendndodhjen e vet në udhëkryqin e dy korridoreve 8 dhe 10 si dhe me dy aeroportet në Shkup dhe Ohër mund të jenë lider në organizimin e manifestimeve të këtilla, të cilat i bashkojnë subjektet më të rëndësishme të transportit, logjistikës dhe të biznesit të rajonit. E dyta, edhe më e rëndësishmja, sepse transporti dhe logjistika janë dy faktorë qenësor për zhvillimin e këmbimit tregtar të një vendi, duke kontribuar edhe në përmirësimin e klimës së biznesit, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe lidhjen e trendeve ekonomike botërore’, deklaroi ministri Saraçini.

Saraçini tha se  Qeveria ka bërë investime në transport dhe infrastrukturë,  gjatë këtij viti janë ndërtuar dhe rehabilituar gjithsej 190 rrugë lokale, në gjatësi prej 412 km, në vlerë prej rreth 30 milionë eurosh, ndërsa ka filluar edhe ndërtimi dhe rehabilitimi i 105 rrugëve lokale, me gjatësi prej 216 km, në vlerë prej 20 milionë eurosh në 43 komuna.

‘Me ndërtimin e Aeroportit “Aleksandri i Madh” në Shkup dhe me rikonstruktimin e aeroportit në Ohër, të cilët janë pjesë e këtij manifestimi të panairit me TAV – Maqedoni, si dhe përmes hapjes së fluturimeve të reja duke subvencionuar kompanitë me buxhet të ulët, kemi krijuar kushte për përparimin  edhe të komunikacionit ajror, si në pjesën e transportit të udhëtarëve ashtu edhe në transportin ajror të mallrave’ deklaroi ministri i ekonomisë Valon Saraçini. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button