Thaçi e Haradinaj akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e samitit të Parisit

Dështimi për të vazhduar atë që u nis në kryeqytetin e Gjermanisë në fund të prillit, ka vazhduar të komentohet me akuza e thirrje për vazhdim të dialogut.

Departamenti amerikan i shtetit, pas dështimit të Samitit të Parisit, u ka kërkuar palëve heqjen e pengesave dhe provokimeve, për t’u kthyer në dialog, raporton KTV.

Por, Marko Gjuriqi, që drejton zyrën për Kosovën në Qeverinë Serbe, dhe që u takua me ekipin e Kosovës në Berlin së fundmi, ka kërkuar një sqarim se kur Serbia ka provokuar, duke përmendur taksën për mallra serbe si provokim të Kosovës.

Në kundërpërgjigje të kryeministrit Haradinaj, presidenti serb Vuçiq, ka thënë se edhe po të vijnë 350 milionë amerikanë, nuk do ta njohin Kosovën shtet.

Lajmi për dështimin e samitit të Parisit, më në fund ka mbërritur edhe te presidenti Hashim Thaçi, i cili ka fajësuar institucionet shtetërore të Kosovës për këtë.

“Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën. Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka thënë Thaçi.

Anulimi i samitit të Berlinit, sipas presidentit Thaçi, duhet të jetë moment reflektimi për akterët vendorë e ndërkombëtarë, pasi sipas tij, shënon një hap prapa për dy vendet në rrugën evropiane.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Ramush Haradinaj, po ashtu në Facebook, që e ka akuzuar presidentin Thaçi që pjesë të dialogut e kishte bërë edhe territorin e Kosovës.

“Dëmi që i është shkaktuar Kosovës duke bërë Pazar me sovranitetin dhe integritetin është i madh, por bashkë jemi vënë në mbrojtje të shtetësisë, integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimit ekonomik,” ka shkruar Haradinaj.

Ngjashëm si kryeministri Haradinaj, edhe zëvendësi i tij dhe njëri nga kryesuesit e ekipit negociator, Fatmir Limaj, ka shprehur vullnet që Kosova t’i kthehet dialogut, por pa kushte.

Problematik, sipas tij, mbetet vullneti i palës serbe për diskutimet që çojnë drejt marrëveshjes për njohje.

Lajmi për anulimin e Samitit të Parisit, u konfirmua gjatë së premtes si nga zyra e kancelares Angela Merkel, e ashtu edhe nga kabineti i presidentit francez Emmanuel Macron.

Paraprakisht, pati një takim të fshehtë në Berlin të ekipeve të dialogut teknik nga Kosova e Serbia, takim që njëra palë e quajti përgatitor për Parisin, e tjetra vlerësues për nivelin e përmbushjes së marrëveshjeve të arritura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button