Përgjegjësia politike, a është morale apo penale?!

Në Ballkan, vazhdon seriali tashmë i njohur i konfuzionit psikolinguistik të terminologjisë politike dhe i mentalitetit ‘feudal’ të vlerave të përmbysura kundrejt atyre moderne europiane, si në rastin konkret kur koncepti i përgjegjësisë morale ngatërrohet me konceptin e përgjegjësisë penale.

Në një vend ku shteti kërkon fakte dhe dëshmi për indicie apo indikacione për vepër të kryer morale kur denoncohet krimi dhe imoraliteti i bartësve të posteve të larta politike publike dhe shtetërore dhe ku protestohet për mosreagimin e institucioneve shtetërore ndaj kryerësve të veprave dhe për mosndëshkueshmërinë e tyre, në vend që të shpërblehen denoncuesit për atë se e kryejnë obligimin e tyre ligjor dhe qytetar, në vend që të mbështeten protestuesit që alarmojnë për raste të tilla, në mënyrë që të bëjnë presionin e tyre politik ndaj pushtetarëve të turpëruar dhe të komprometuar, po ata të denoncuarit dhe të komprometuarit i keqpërdorin të gjitha kompetencat për fshehjen dhe fshirjen e gjurmëve të krimit, dhe ushtrimin e presionit dhe trysnisë ndaj bartësve të pushtetit gjyqësor…!

Një bartës i funksionit publik, e ka për obligim politik dhe qytetar të tërhiqet vetë nga posti, ose nga shokët e tij të politikës, vetëm për shkak se ekzistojnë indikacione dhe dyshime të bazuara për veprën e kryer, dhe kësisoj të mundësoj(n)ë hetimin e lirshëm dhe të drejtë të rastit në procedurë të rregullt hetimore dhe gjyqësore, deri në përfundimin e saj me vërtetimin e fajësisë apo pafajësisë…

Fundja, askush nuk është i pazëvendësueshëm dhe nuk ndalet historia dhe jeta e përditshme, nëse një funksionar ia lë vendin tjetrit, aq më tepër nëse ai vetë e di se nuk ka bërë krim dhe të tjerët ia veshin… Por mënyra e vetme për të siguruar opinionin publik për kredibilitetin dhe korrektësinë e politikës së partisë në pushtet është abstenimi personal nga pushteti, sepse nëse qëndron më tej, i përkrahur nga të tjerët, vetëm e vërteton fajësinë e vet karshi opinionit publik, i cili me të drejtë do të dyshojë dhe supozojë, se diçka po fshihet, se dikush tenton që nëpërmjet mekanizmave të pushtetit edhe presionit ndaj organeve gjyqësore, të shpëtojë veten dhe te tjerët nga ndjekja penale…!

Kjo është kultura e vërtetë politike në vende me demokraci të përparuara. Andej bien ministra dhe qeveri, japin dorëheqje gjykatës dhe prokurorë, vetëm për shkak të dyshimit të bazuar se ka indikacione apo dëshmi indirekte për keqpërdorimin e pushtetit dhe postit, dhe askush nuk thotë se nuk ka fakte dhe dëshmi, dhe të presim çka do të thotë gjykata apo deri në vërtetimin gjyqësor të dëshmive…

Vetëm në vendet ballkanike shpërblehen dhe avancohen me poste të larta qeveritare, ata që njëkohësisht kanë në rrjedhë e sipër procedura hetimore dhe penale gjyqësore, dhe nga ana tjetër etiketohen ata që kërkojnë përgjegjësi morale dhe politike nga bartësit e këtyre funksioneve, dhe thirren në ‘biseda informative’ (=si ne kohën e komunizmit!) të rinj dhe të reja që kanë gjetur mënyrë të protestojnë dhe shprehin pakënaqësinë e tyre, për të kërkuar drejtësi dhe trajtim të barabartë të të gjithëve përpara ligjit… Përkundrazi, protestuesit kthehen në shënjestra të organeve ligjzbatuese, sikur ata të ishin fajtorët kryesorë, pse pushtetmbajtësit i tejkalojnë kompetencat dhe vihen mbi ligjin dhe komandojnë me fatin e të gjithë qytetarëve, duke tentuar që jo vetëm t’ua mbyllin gojën e fjalës, por edhe gojën e bukës edhe familjarëve të tyre.

Nga ana tjetër, organet gjyqësore në vend që të bëjnë drejtësinë e Zotit në tokë, për të cilën janë të paguar dhe e kanë zgjedhur vetë këtë profesion, struken në vrimat dhe birrucat e miut, për të mos rrezikuar asnjë fije floku për vete dhe familjen, me çka nuk i dalin zot as vetes as fëmijëve të tyre, por kontribuojnë në mënyrë direkte, për sundimin e kaosit dhe anarkisë së kriminelëve dhe ortakëve të tyre në qeveri…

Kjo është përmbysje e vlerave njerëzore, kjo është ndërrim i vetëdijshëm i moralit me imoralitetin, i drejtësisë me padrejtësinë, i jetës së ndershme me të pandershmen! Ku na çon ky oportunitet i skajshëm i të gjithë atyre që heshtin dhe e kthejnë shikimin nga padrejtësia, duke pritur që punën t’ia bëjë tjetri, derisa krimi të afrohet te pragu i shtëpisë, kur do të jetë shumë vonë për të gjithë?!

O tempora, O mores!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button