Kur bashkohet njerëzorja me profesionin

Ndër këshillat e mençura të Babës së ndjerë, i cili ka qenë dhe mësuesi im i parë, e mbaj mend njërën që kishte të bëjë me njerëzit me të cilët na lidh diçka: Gjëja e parë që duhet të çmohet te miku, shoku, kolegu… është njerëzorja, pastaj vijnë të tjerat, thoshte Ai.

Unë e besoja fort Atë njeri të urtë e fjalëpakë, ndaj, te njerëzit e profileve, karaktereve e aftësive të ndryshme, kam çmuar dhe çmoj në rend të parë njerëzoren.

Kjo është arsyeja përse sot vendosa të shkruaj për një NJERI të veçantë, për një mjek të dalluar, tek i cili bashkëjetojnë në harmoni të përkryer njerëzorja me profesionin. Fjala është për Engin Eminin, të njohur nga tetovarët si mjek i medicinës sportive.

Natyrisht, ka dhe një arsye tjetër të lidhur me dëshirën time dhe misionin e PortAlbit, për të cilin shkruaj gati pesë vjet të plota, që mos ta ushqejmë publikun lexues vetëm me kronika të zeza: me përçarjet, zënkat, hajnitë, korrupcionin, paaftësinë dhe budallallëqet kronike të parësisë shqiptare, por edhe me ngjarje e histori suksesesh, bartës të të cilave janë individë të realizuar në profesione të ndryshme, si puna e doktor Engin Eminit.

Engini lindi në Tetovë në vitin 1976, nga e ëma administratore në një ndërmarrje të njohur tregtare dhe babai specialist i mirënjohur i medicinës sportive – doktor Sulejman Emini, që punoi mbi dyzet vjet në spitalin e Tetovës.

Tetë klasët e fillores i kreu në shkollën Istigball të Tetovës, ku, më pas, e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm edhe shkollën e mesme medicinale Nikolla Shtejn.

Me sukses të dalluar, Engini kreu në vitin 2000 edhe studimet në Fakultetin e Mjekësisë në universitetin e Stara Zagorës, në Bullgari.

Gjatë viteve 2009 – 2014 regjistroi në Shkup specializimin dhe fitoi diplomën e specialistit të medicinës interne. Një vit më vonë (2015) regjistroi edhe specializimin e dytë, kësaj herë në degën e medicinës sportive, pra në fushën në të cilën dëshmoi profesionalizmin e tij i jati i ndjerë doktor Sulejmani.

Engin Emini punoi një vit si profesor në Shkollën e mesme medicinale të Tetovës, kurse një vit të plotë akademik u angazhua si asistent i lëndës Fizioterapi në Universitetin e Tetovës. Disa vite shërbeu si mjek sportiv në Akademinë e klubit futbollistik Shkëndija të Tetovës dhe në klubin futbollistik Drita të Bogovinës. Por, të gjitha këto punë iu desh t’i braktisë për shkak të angazhimeve në ordinancën e tij private, ku, përveç pacientëve të tjerë që kërkojnë derman prej dijes dhe duarve të tij, prej vitesh bën diagnostifikimin dhe trajton me ultrasonografi lëndimet e muskujve, ligamenteve, tetivave dhe eshtrave të sportistëve të Tetovës.

Doktorin e vyeshëm e karakterizon sjellja shembullore – vëmendja që ua kushton pacientëve dhe këshillat dibiprurëse për ta, njohja e fushës së tij primare (medicinës sportive), durimi dhe preciziteti në punë. Kjo ka bërë që në ordinancën e tij, të pajisur me mjete moderne të medicinës sportive, t’i bëjnë kontrollet e rregullta gjashtëmujore gati të gjithë sportistët e klubeve tetovare.

Përndryshe, Doktori  edhe në jetën private është modest, i ndershëm, i shoqërueshëm dhe me energji të madhe pozitive. Kohën e paktë të lirë e kalon zakonisht me familjen – me të shoqen mjeke dhe dy fëmijët (vajzën e djalin), të cilët aktualisht janë nxënës të shkollës fillore. Pasioni i tij është futbolli dhe tenisi. Pëlqen të lexojë libra të ndryshëm, po më për shpirti i ka veprat historike mbi popujt e ndryshëm dhe ato mbi politikën e politikanët e mëdhenj të botës. Engin Emini jeton dhe punon në Tetovë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button