Shkup, është shënuar Dita Botërore e Refugjatëve

Fakulteti Juridik “Iustinianus Primus” në Shkup ka shënuar Ditën Botërore të Refugjatëve, ku janë ndarë certifikatat për studentët të cilët kanë kryer mësimin praktik në kuadër të “klinikës juridike”, raporton Anadolu Agency (AA).

Përpos studentëve dhe profesorëve, në këtë eveniment të pranishëm ishin përfaqësues të UNHCR-së, Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, Shoqatës Maqedonase të Juristëve të Rinj dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Përfaqësuesja e UNHCR-së, Monica Sandri tha se evenimenti në vete ndërlidh dy gjëra të rëndësishme: të drejtat e refugjatëve dhe rritjen e vetëdijes për këto të drejta.

“Ne në UNHCR jemi mirë të informuar me rëndësinë e investimit në arsim dhe në gazetari profesionale, duke marrë parasysh se ato janë agjentët kryesorë për transformimin e shoqërisë”, tha Sandri.

Profesori universitar, Sasho Georgievski foli rreth programit të Fakultetit Juridik për të drejtat e refugjatëve, për të cilin tha se është nisur vitin e kaluar dhe se u mundëson studentëve kombinimin e dijeve teorike me shkathtësitë praktike.

“Më duhet të them se 26 studentë i mbaruan dy ciklet e ‘programit klinik’. Ajo që është më e rëndësishmja, është se programi është organizuar në partneritet mes tre institucioneve: Fakultetit Juridik, UNHCR-së dhe Shoqatës së Juristëve të Rinj”, tha Georgievski.

Në kuadër të evenimentit, janë ndarë certifikatat për studentët të cilët kanë kryer mësimin praktik, si dhe janë ndarë çmimet për raportim profesional për gjendjen e refugjatëve në Maqedoninë e Veriut.

Shënimi i Ditës Botërore të Refugjatëve ka për qëllim të ngritë vetëdijen publike për vështirësitë me të cilat përballen miliona refugjatë në botë, të cilët janë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Sipas raportit të UNHCR-së, mbi 70 milionë njerëz u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre vitin e kaluar për shkak të luftërave, konflikteve dhe përndjekjeve, që siç theksohet në raport, është niveli më i lartë që ka parë në 70 vitet e fundit.

Rikujtojmë se gjatë krizës së refugjatëve në vitet 2015-16, Maqedonia e Veriut ishte pjesë e të ashtuquajturës “Rruga Ballkanike” përmes të cilës kalonin refugjatët të cilët vinin nga vendet e Lindjes së Afërt. Nga marsi i vitit 2016, kjo rrugë është shpallur e mbyllur.

Sipas të dhënave të Nismës Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI), përmes “Rrugës Ballkanike” gjatë viteve 2015-16 kanë kaluar më shumë se 1,1 milionë njerëz.

Sa i përket gjendjes momentale në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Zyrës së UNHCR-së në Shkup, në vend ka 76 refugjatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button