“Dështim” me çdo kusht

Të jemi të qartë, fakti që Këshilli i BE vendosi që në tetor t’i rikthehet shqyrtimit të caktimit të datës për fillim të negociatave për aderim të Maqedonisë së Veriut në BE nuk është asnjë formë e dështimit të qeverisjes aktuale në këtë proces. Ata që mundohen këtë ta përshkruajnë si dështim e kanë shumë gabim. Disa prej tyre, si për shembull, ish ministri i punëve të jashtme, Milloshovski, bile përhapin edhe dezinformata duke thënë se tri vende kanë qenë shprehimisht kundër dhënies së datës për Maqedoninë e Veriut. Mes këtyre vendeve ish ministri i punëve të jashtme numëroi Greqinë, Belgjikën dhe Luksenburgun.

E mira e punës është se në ditët e stome informatat nuk kufizohen vetëm nga një burim, kështu, me një kërkesë të thjeshtë të disa gazetarëve për sqarim nga ministritë e jashtme të të tri këtyre vendeve, shumë shpejt u kuptua se deklarata e ish-ministrit të jashtëm Milloshovski është tërësisht e pavërtetë. Të tri këto vende demantuan se përfaqësuesit e tyre në Këshillin e BE kanë qenë kundër dhënies së datës për Maqedoninë e Veriut dhe se fuqishëm kanë përkrahur pikërisht të kundërtën, pra janë angazhuar që vendi ynë ta marrë këtë datë, mbi të gjitha duke pasur parasysh angazhimin historik rreth nënshkrimit dhe implementimit të Marrëveshjes së Prespës. Si që u shpreh me sarkazëm një miku im: Kulmi i karrierës së një ish ministri të punëve të jashtme është që deklarata e tij të demantohet nga tri homologë në të njëjtën kohë!

Është evidente arsyeja pse i gjithë përparimi i gjertanishëm në këtë sferë kërkohet të propagohet me çdo kusht si “dështim”. Në sferën e euro-integrimeve Maqedonia e Veriut është pikërisht aty ku duhet të jetë në këtë moment, pikërisht para hapjes oficiale të negociatave për aderim në BE. Ata që pretendojnë se detyrat nuk qenkan përmbushur dhe se fajin sërish e kemi ne pse dhënia e datës është shtyrë për tetor, duhej të kishin punuar pak më shumë kur kishin pushtet në mënyrë që të hynim më herët në BE, atëherë kur hyrja nuk ishte kaq e komplikuar dhe e vështirë si tani.

Ky shtet e ndryshoi emrin me një marrëveshje historike për të rihapur rrugën e bllokuar të euro-integrimit. Për më tepër, ky shtet e luftoi dhe e ndryshoi një pushtet që e kishte bllokuar dhe robëruar shtetin nga brenda. Të bllokuar ashtu nga jashtë e brenda ne qëndruam të ngujuar dhe në rrethrrotullim për më tepër se 10 vite. Dhe tani pas 10 vitesh, pas të gjitha hapave historik që u bënë në këtë shoqëri, dikush, edhe atë nga pushteti robërues i të kaluarës, ka ende fytyrë të propagojë “dështim”? Është vërtet absurde.

Aq më tepër është absurde ajo tendencë kur dihet se pikërisht subjekte të tilla politike të së kaluarës bllokojnë edhe sjelljen e Ligjit të ri për prokurorinë publike me të cilin duhet të vazhdojë puna e prokurorisë speciale dhe bartja e përgjegjësisë për krimet e së kaluarës por edhe të së tashmes. Shihni pak kush e bllokon sjelljen e këtij ligji dhe bartjen e përgjegjësisë për ato krime dhe do i gjeni të njëjtat palë që tani flasin ashpër për “dështim”, atë dështim që ata me gjithë zemër e dëshirojnë, sepse pikërisht ai dështim do i mbrojë përjetësisht nga ajo prej të cilës frikësohen më së shumti: bartja e përgjegjësisë penale.

Tetori vjen shpejt, dhe shpresoj deri atëherë vendet e BE-së të kenë kohë të mjaftueshme ta lexojnë raportin më pozitiv të progresit që e kemi marrë ndonjëherë nga Komisioni Evropian. Kësaj rradhe u arsyetuan se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme ta lexojnë këtë raport, dhe prandaj nuk arritën që të dakordohen për datë për fillim të negociatave. Por herët a vonë, edhe BE do ta kuptojë se është koha që një vend që vet ata e quajtën shembull i shkëlqyer në rajon, të hapë bisedimet për aderim. Sepse alternativa tjetër në qoftë se nuk do të dakordohen për këtë nuk është e mirë as për ne e as për vetë BE-në. Alternativa sjell rritje të dukurive që nuk duhet të rriten dhe largim nga vlerat perëndimore e afrim drejt vlerave të tjera që presin gjithmonë aty rrotull, para ose anës derës. Alternativa e tillë i kushton më tepër BE-së se sa integrimi i plotë i një vendi si Maqedonia e Veriut aty. Alternativa ve në pyetje sigurinë e gjithë rajonit, sepse asnjëri nga shtetet në rajon nuk do të mbetet i përkushtuar në rrugën e integrimit po qe se sheh që shembulli i shkëlqyer i rajonit nuk arrin përparimin e duhur drejt cakut të përbashkët.

Herët a vonë, arsyeja do të mbizotërojë mbi frikën. Ndërsa ne e dimë që të gjitha gjërat e mira gjithmonë gjenden një hap matanë frikës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button