Kasapi, rrëfimi i tij i papritur dhe drejtësia!

Një ditë diku në Ballkanin perëndimor, kishte ndodhur një përleshje fizike me përdorim të armëve të ftohta-thikave. Me të parë ngjarjen, Kasapi me rroba të gjakosura nga prerja e mishit në dyqanin e tij, që ndodhej fare afër përleshjes, vrapoi për ta ndihmuar të lënduarin veçmë të shtrirë në tokë, i cili pas pak minutave kishte vdekur.

Të gjithë që e kishin parë Kasapin(dëshmitarët okularë) afër trupit të pajetë të shtrirë në tokë, e pranë tij thikën, e kishin paragjykuar dhe denoncuar si vrasës. Kësisoj, Kasapi kishte përfunduar në Prokurori si i dyshuar për vrasje.

Në deklarimin e tij para prokurorit ai mes tjerash kishte thënë:

”Zotëri prokuror, unë këtë vrasje nuk e kam kryer edhe pse duket ashtu. Unë jam Kasap dhe rrobat i kisha të gjakosura nga prerja e mishit, e jo nga përleshja me tashmë viktimën. Përkundrazi, me të parë ngjarjen, duke dashur ta ndihmoj tashmë viktimën, ndodha në vendin e krimit, në vendin ku ishte trupi i viktimës dhe thika pranë tij, e unë për ironi të fatit i tëri me rroba të gjakosura.

Por, mbase dyshimet për këtë vrasje, që do të vërtetohet se nuk e kam bërë, nuk paskan qenë të rastësishme. Paska ardhur koha të rrëfehem. Nuk mund të duroj më.

Po, zotëri prokuror, unë kam kryer vrasje, por jo këtë. E kam kryer një vrasje para 20 viteve, në një vend tjetër”.

Pas kësaj, Kasapi duke iu nënshtruar procedurave ligjore, u lirua nga vrasja për të cilën dyshohej, por u dënua për vrasjen të cilën vetë e zbuloi dhe pranoi, dhe e cila u vërtetua edhe shkencërisht në procedurë gjyqësore.

Sqarim: Nuk pranohet pranimi i fajit për vrasje nga kushdo në mënyre by default, pa u provuar ajo edhe shkencërisht, në procedurë gjyqësore, konform ligjeve relevante.

Literatura juridiko-penale dhe praktika gjyqësore, na mësojnë se nuk ka krim përsosur. Të gjitha krimet mund të lënë gjurmë. Ne fakt ato lënë gjurmë mjaftueshëm sa për t`u zbuluar. Duhet punuar shpejt dhe profesionalisht, për t’i siguruar dhe konservuar ato. Por, në çdo rast, edhe po të jetë ose duket një krim i përsosur, ai mund të zbulohet rastësisht dhe papritur, për shkak të një gabimi ose ,,rastësie”, që s`ka lidhje me të, por që e futë kryesin e krimit, në grackën dhe presionin e rrëfimit.

Kjo, sepse, e mbase, nuk ka vetëm ligj, pasojat e të cilit mund të parashkruhen(vjetërsohen), por ka edhe drejtësi(hyjnore), pasojat e te cilës nuk parashkruhen(vjetërsohen). E ajo, drejtësia pra, i kthehet si mëshirë dhe satisfaksion atij të cilit i është bërë padrejtësi dhe si dënim atij që e ka bëre atë. Herët apo vonë. Sot, nesër ose pasnesër. Ç`rëndësi ka, sepse një ditë gjithsesi!

Madje, ka edhe psikologji, që të shtynë të çlirohesh nga ankthi i fajit, i mbajtjes së sekretit, i frikës nga zbulimi dhe kapjes.

Kasapi ishte vrasës, madje vrasës serik e masiv, në këndvështrimin vegjetarian!

Autor: Agim Ibrahimi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button