RMV, do të punësohen infermiere për shërbime mobile patronazhi sipas shembullit të Skocisë

Do të punësohen infermiere në shtëpitë shëndetësore për formim të shërbimeve për patronazh, që do të japin mbrojtje të integruar shëndetësore-sociale për banorët në mjediset rurale dhe ata që janë në rrezik social, thonë nga Ministria për shëndetësi. Në përgatitje e sipër është thirrja publike për angazhim të infermiereve në shërbimin patronazh, që do të shpallet javën e ardhshme. Këto shërbime do të funksionojnë sipas shembullit të shërbimeve të patronazhit që tashmë janë hapur në Koçani, Resnjë dhe Veles, transmeton Portalb.mk.

“Ideja është të përforcohen shërbimet e patronazhit, që do të japin shërbime shëndetësore në kushte shtëpiake para se gjithash në mjedise rurale dhe për persona në rrezik social, por edhe gjithandej ku s’ka shërbim për mbrojtje shëndetësore. Njëkohësisht, dëshirojmë të mundësojmë shërbime për nënat jo vetëm pas lindjes, por edhe më tutje nëse kanë nevojë, si dhe për qytetarët tjerë të cilët kanë nevojë për vizitë dhe përkujdesje shtëpiake. Kështu funksionojnë shërbimet e patronazhit në Skoci, që patëm mundësi t’i shohim gjatë vizitës para pak kohe në Mbretërinë e Bashkuar dhe të njëjtën dëshirojmë ta implementojmë këtu”, thanë nga kabineti i ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe.

Shërbimet mobile të patronazhit në Koçani dhe Resnjë janë hapur në kuadër të pilot-projektit të Ministrisë për shëndetësi me Ministrinë për punë dhe politikë sociale me mbështetje nga Programi për zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), kurse shërbim i këtillë në suaza të këtij projekti duhet të hapet edhe në Manastir. Me këtë projekt, në këto ekipe krahas punonjësve shëndetësorë do të ketë edhe punonjës socialë.

“Sot pranuam njoftim nga Agjencia për pronë të konfiskuar se në spitalin e përgjithshëm me veprimtari të zgjeruar në Koçani për nevojat e shërbimeve të patronazhit do të ndahen edhe dy automjete, që ekipet të mund të shkojnë në vendet e largëta ku ka nevojë për vizitë shtëpiake”, thonë nga kabineti i Filipçes.

Institucioni shëndetësor Veles, sipas shembullit të këtyre shërbimeve me mbështetje nga Ministria për shëndetësi, Shoqata e infermiereve, teknikëve dhe obstetereve dhe në bashkëpunim me Qendrën mjekësore për simulime, para dy muajsh ka realizuar trajnim të infermiereve dhe ka filluar me dhënie të ndihmës së këtillë për qytetarët në kushte shtëpiake.

“Shërbimet në Koçani dhe Resnjë janë hapur në kuadër të projektit me UNDP, ky në Veles funksionon shkëlqyeshëm edhe pse nuk është pjesë e këtij projekti. Tani jemi në fazën e përgatitjes së shpalljes dhe do të shohim çfarë do të jetë interesi dhe ku ka mundësi dhe nevojë do të formojmë shërbime të këtilla. Në shtëpinë shëndetësore në Vevçani, për shembull, shërbimi i patronazhit funksionon shkëlqyeshëm, por në Kratovë, për shembull s’ka. Me ndihmën e UNICEF do të mbajmë trajnime dhe shërbime të këtilla do të hapen gjithkund ku mund dhe ku ka nevojë”, thonë nga kabineti i Filipçes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button