Nga 1 korriku mblidhni llogaritë fiskale, në dhjetor do të ketë kthim të TVSH-së

Kryeministri Zoran Zaev, bashkë me ministrin e Financave, Dragan Tevdovski dhe drejtoreshën e DAP-it, Sanja Llukarevska, sot e kanë paralajmëruar fillimin e projektit për kthim të 15% të TVSH-së te qytetarët nga 1 korriku, ndërkaq pagesa e parë në xhiro-llogaritë e tyre bankare do të bëhet në dhjetor. Një familje katër anëtarëshe nuk do të mundet të fitojë kthim të TVSH-së më shumë se 28.800 denarë, gjegjësisht më të pasurit këtu do të kufizohen, njofton Portalb.mk.

“Është e rëndësishme që kjo masë do të jetë e njëjtë për gjithë, gjegjësisht do të ketë kufij për të pasurit. Çdokush mund të bëjë llogaritje matematikore. Çdokush mund të fitojë 27 denarë në një llogari prej 1.000 denarëve. Ato janë 15% të TVSH-së së paguar nga 18% të llogarisë fiskale. Vlerësimet janë se evazioni fiskal është 30%, ndërkaq tani do të zvogëlohet. Pagesa do të bëhet në dhjetor që t’i largojmë të gjitha mangësitë të cilat mund të paraqiten, edhe pse besoj se sistemi është rregulluar shumë mirë. Më së miri është që çdokush të ketë evidencë, por nëse dikush nuk mundet të gjendet me llogaritë, mundet të kërkojë ndihmë nga familjarët ose të afërmit. Me rëndësi është që të mos i lihet hapësirë ekonomisë gri, dhe në këtë mënyrë, sipas projektimit tonë në buxhetin e shtetit do të kthehen rreth 50 milionë euro. Këto mjete do të jenë motivim shtesë për qytetarët, pasi që e dinë se me këto mjete shtesë do të munden të zgjidhin ndonjë çështje të caktuar buxhetore”, tha Zaev.

Tevdovski tha se llogaritë fiskale duhet që të skenohen me telefon celular më së voni 1- ditë nga dhënia e llogarisë fiskale. Llogaria fiskale që do të skenohet me aplikacion nga telefoni celular nuk mund të jetë më e lartë se 30.000 denarë.

“Kusht është që çdokush të ketë llogari transaksioni në emrin e tij nëse dëshiron që personalisht t’i marrë paratë. Skenimi duhet që të bëhet më së voni 10 ditë nga dita e dhënies së llogarisë. Për grupet e prekura ka mënyra alternative. Aplikacioni do të vlejë për të gjithë qytetarët mbi 15 vjet. Nëse qytetarët nuk kanë mundësi vetë, nga një telefon mund të shfrytëzohen disa profile, për atë drejtohuni te më të afërmit. Në dhjetor të vitit 2019-të do të bëhet pagesa e parë e parave. Më së shumti 28.800 denarë në vjet do të mundet të fitojë një familje katër anëtarëshe. Ky është kufizimi. Aplikacioni vetë do të tregojë nëse llogaria fiskale është pranuar. Kjo vlenë vetëm për qytetarët, jo edhe për ndëmarrjet që punojnë me fatura”, tha Tevdovski.

Sipas drejtoreshës së DAP-it, Sanja Llukarevska, aplikacioni do të skenojë bar-kodin e llogari fiskale të vlefshme, të paligjshmet nuk do t’i njohë. Ajo tha se aplikacioni do të ketë raport që të mundet të shihet se sa para i janë kthyer për shembull në dhjetor, gjatë pagesës së parë.

Reforma parasheh që nga 1 korriku çdo qytetar që ka mbi 15 vjet dhe ka letërnjoftim të vlefshëm, të ketë mundësi për kthim të TVSH-së. Është e nevojshme vetëm që të ketë llogari bankare dhe të jetë i regjistruar në sistemin e-tatime. Masa ishte paralajmëruar se çdo familje do të fitojë maksimum nga 500 euro në vit nga kthimi i TVSH-së. Sipas analizës së “Finance Think”, vetëm familjet më të pasura që harxhojnë nga mbi 20 mijë euro, do të munden të marrin nga shteti rreth 450 euro. Familjet mesatare në RMV, që harxhojnë për nevojat minimale rreth 530 euro, do të fitojnë nga 172 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button