Roli i bujqësisë në zhvillimin rural, aktivitet i rëndësishëm ekonomik në RMV

Grupi punues për bujqësi dhe zhvillim rural pranë Konventës Kombëtare të Bashkimin Evropian (BE) në Maqedoninë e Veriut ka mbajtur mbledhjen e pestë me radhë me temë “Aktorët lokalë në funksion të zhvillimit të mjediseve rurale”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë mbledhje të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve shtetërore përkatëse, respektivisht nga Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për Zhvillim Rural, përfaqësues nga Fakulteti i Bujqësisë si dhe përfaqësues nga organizatat e bujqve dhe fermerëve.

Aleksandra Martinovska Stojçeska, profesoreshë në Fakultetin e Bujqësisë në Shkup, tha se Konventa kombëtare si koncept ka filluar në Sllovaki dhe se në masë të madhe ka kontribuuar në adaptim më të lehtë të sektorëve të ndryshëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke theksuar rolin e aktorëve lokalë në zhvillimin e mjediseve rurale, ajo tha se edhe sesionet e mëparshme të këtij grupi kanë pasur në fokus zhvillimin e bujqësisë në këto mjedise.

“Roli i bujqësisë në zhvillimin rural është që të mirëmbahen bashkësitë lokale për të cilat bujqësia është aktivitet i rëndësishëm ekonomik i cili krijon mundësi për punësime lokale dhe që krijon përfitime të shumëfishta ekonomike, sociale dhe territoriale”, tha Martinovska Stojçeska.

Petar Gjorgievski, kryetar i Rrjetit për Zhvillim Rural në Maqedoninë e Veriut, tha se javën e kaluar është formuar “Parlamenti kombëtar rural”, i përbërë nga të gjithë aktorët relevant të cilët, siç theksoi ai, kanë hartuar “manifest” në të cilin numërohen të gjitha problemet në lidhje me zhvillimin rural.

“Në fund erdhëm në përfundim se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, bashkë me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe të gjitha institucionet relevante, vetëm në mënyrë të përbashkët mund të kontribuojnë në përmirësimin e jetës në mjediset rurale”, tha Gjorgievski.

Në kuadër të diskutimeve tematike, prezantim kishte edhe Anton Marcinçin, këshilltar i ministrit të Financave të Republikës së Sllovakisë, i cili vlerësoi punën që bën Konventa Kombëtare, duke theksuar se ajo është esenciale për zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Konventa Kombëtare e BE-së në Maqedoninë e Veriut është një forum i hapur për arritjen e konsensusit më të gjerë shoqëror për çështjet që ndërlidhen me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button