Prokurorja Fetai: Për rastin “Monstra” kemi me mijëra biseda të përgjuara

Prokurorja e PSP-së, Fatime Fetai mbrëmë në “1TV” ka deklaruar se ka shumë incizime dhe porosi për rastin “Monstra” dhe se sipas saj pjesa më e madhe tyre nuk janë thelbësore, megjithatë të gjitha do t’i dorëzojë në gjykatë si dëshmi, njofton Portalb.mk.

“Së shpejti do të fillojmë me fazën e dytë, me dëshmitë e reja. Ka mijëra incizime, porosi, transkriptime të cilat gjithsesi do të dorëzohen si dëshmi. Vlerësoj se pjesa më e madhe e atyre incizimeve dhe porosive nuk do të ndikojnë në mënyrë thelbësore, megjithatë edhe atë që personalisht nuk vlerësoj se është e rëndësishme do ta dorëzoj”, deklaroi Fetai.

Fetai paralajmëroi se do të ketë kualifikim adekuatë për të gjithë të përfshirët dhe i ftoi të gjithë qytetarët që të dorëzojnë çfarëdo lloj dëshmie që kanë.

“Mund të garantoj se do të ketë kualifikim adekuat juridik për çdo person i cili është përfshirë në ngjarje. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për lëndë të thjeshtë, apeloj deri te të gjithë ata që duan në opinion të ndajnë informata që të fitojnë publicitet të mos luajnë me ndjenjat e familjarëve të viktimave, por të vijnë në Prokurori dhe Gjykatë të tregojnë nëse e vërteta është më ndryshe, mbledhja e pëlqimeve (në rrjete sociale, shkrim i redaksisë), është jonjerëzore”, tha Fetai.

Në pyetjen nëse ajo ka menduar që të largohet nga Prokuroria, gjegjësisht të shkojë në ndonjë strukturë tjetër të gjyqësorit, tha se pa e mbaruar rastin “Monstra”, nuk lëvizë askund.

“Përpara se të mbarojë lënda Monstra që personalisht e ndjej si ngarkesë dhe njëkohësisht kam pasur dhe kam dëshirë që kur kam hyrë në PSP ta zbardhë këtë rast, jo vetëm që nuk do të lëvizë, por as nuk mendoj në drejtim tjetër, në fillim atë duhet ta mbarojë, më pas tjerat”, tha Fetai.

Ndryshe, javën e kaluar personi që përdor pseudonimin El Çeka dhe që publikon materiale nga biseda të përgjuara të ashtuquajtura “bomba” që thuhet të jenë mes funksionarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, ka publikuar një bisedë në gjuhën maqedonase që përmban të dhëna më konkrete për rastin “Monstra”.

Në këtë bisedë dëgjohen duke biseduar dy persona, një mashkull dhe një grua. Redaksia jonë nuk mund të konfirmojë identitetin e tyre dhe as kohën dhe datën kur është bërë biseda e incizuar. Gjatë bisedës, femra thotë kohën se nuk ka dëshmi për këtë rast, nuk është gjetur asgjë në terren.
Ajo përmend që burimi i saj është “Gordana” që ndoshta mund të jetë ish ministrja e punëve të brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska sepse ajo ka qenë në atë kohë kur është bërë vrasja në atë pozitë.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur janë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button