Shoqëria civile protestoi kundër projektligjit për financimin e partive: PDK dhe VV me reagime të ndryshme

Shoqëria civile në Prishtinë sot nisi ‘Marshin e Refuzimit’, si nismë kundër projektligjit që ka për qëllim të ndryshon mënyrën e financimit të partive politike në Kosovë, transmeton Portalb.mk.

Mungesa e transparencës, fryma anti-kushtetuese dhe neglizhenca e rekomandimeve të Komisionit të Venedikut gjatë hartimit të këtij projektligjit, llogariten si nxitës të këtij marshi.

“Përfaqësues të shoqërisë civile përmes mesazheve të qarta që i vendosën në selitë e partive politike, u rekomanduan atyre që ta refuzojnë këtë projektligj, i cili shpenzon taksat e qytetarëve pa llogaridhënie, bën pazare politike me paratë publike, fsheh emrat e donatorëve të partive, prejardhjen e mjeteve financiare dhe ulë tarifat e gjobave’, thuhet në arsyetimin e shoqërisë civile.

“Marshi i Refuzimi” planifikoi të zhvillohet para zyrave të gjashtë partive parlamentare, por si duket protesta para zyrave të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk i doli si e planifikuan. Para zyrave të PDK-së, kjo protestë u shndërrua në dhunë ndërmjet disa aktivistëve të partisë dhe shoqërisë civile.

Pas këtij incidenti, shoqëria civile e përbërë nga 100 organizatat, reaguan me anë të një komunikate, duke shpreh pakënaqësinë për reagimin e tillë të PDK-së.

“Shoqëria civile, dënon dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të organizatave jo qeveritare dhe i bënë thirrje PDK-së, që si subjekti më i madh në koalicionin aktual qeverisës, të marrë barrën e përgjegjësisë që u takon dhe me veprimet e tyre të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit, duke respektuar standardet e shoqërive demokratike dhe të drejtën elementare për bashkim qytetarë, shprehje të lirë dhe protesta të qeta”, thuhet në reagimin e organizatorëve të marshit protestues.

Ndërsa, reagim krejtësisht ndryshe pati Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila mirëpriti nismën e shoqërisë civile.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrahë kërkesat e drejta të shoqërisë civile dhe kërkojmë që në çdo ndryshim përbrenda projektligjeve për subjektet politike të kërkohet më shumë transparencë, rritje të demokracisë dhe llogaridhënie karshi qytetarëve dhe institucioneve përgjegjëse.”.

LVV gjithashtu reagoi duke kundërshtuar reagimin e dhunshëm të aktivistëve të PDK-së në protestën e shoqërisë civile.

“Dënojmë rëndë sulmin fizik dhe kërcënimin që ju bë aktivistëve të shoqërisë civile nga zyrtarë të PDK-së në selinë qendrore të kësaj partie politike. Ne kërkojmë që ky gjest antidemokratik dhe kriminal të dënohet edhe nga organet e drejtësisë”, thuhet në fund të komunikatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button