Deskoska thotë se sistemi AKMIS po respektohet, gjykatat kanë teknologji të vjetërsuar dhe mungesë të resurseve njerëzore

Në kontrollet e kryera nga Ministria e Drejtësisë në shtatë gjykata të Maqedonisë është konstatuar se deri më tani nuk ka pasur asnjë rast të shpërndarjes së lëndës në mënyrë manuale. Këtë e konfirmoi sot ministrja e Drejtësisë, Renata Desksoka në konferencën “E drejta për gjykatë të paanshme dhe të pavarur – shpërndarje automatike të lëndëve – sistemi AKMIS, Ligji për menaxhim dhe lëvizje të lëndëve”, njofton Portalb.mk.

“Lëvizja e lëndëve në gjykata kryhet sipas sistemit AKMIS, shpërndarja dhe rishpërndarja e lëndëve kryhet në mënyrë elektronike, nuk është evidentuar ndonjë rast të dhënies të lëndëve jashtë procedurës (në duar), gjykatësit i pranojnë lëndët në mënyrë elektronike, ndërrimi i gjykatësve kryhet sipas procedurës ligjore, kyçja dhe heqja e gjykatësve prej sistemit AKMIS bëhet me vendim të arsyetuar, raportet vjetore për orarin e gjykatësve ndërrohen për shkak të nevojave organizative, lëndët caktohen një herë në ditë – në ora 14:30, ndërkaq ato urgjentet menjëherë”, tha ministrja Deskoska, duke shtuar se me Ligjin për Gjykatat është përforcuar mekanizmi për kontrollimin e sistemit AKMIS.

Foto nga konferenca
Foto nga konferenca

Ndonëse nuk ka pasur shpërndarje të lëndëve në mënyrë manuale, Komisioni i ka konstatuar këto lëshime në gjykatat ku ka kryer kontroll: lëndët nuk i kanë arkivuar, në çdo gjykatë ekziston nevojë urgjente për përmirësimin e pajisjeve informatike, ka mungesë të kapaciteteve dhe resurseve njerëzore, në disa gjykata duhet të përforcohet procedura disiplinore, duhet të trajnohen shërbimet e gjykatave për punë me sistemin AKMIS.

Komisioni gjithashtu kërkon nga Këshilli Gjyqësor që më shpesh t’i vizitojë, gjegjësisht kontrollojë gjykatat.

Oficerja politike në Ambasadën e SHBA-së në Shkup, Dijana Palekin, porositi që ata që do t’i shkelin rregullat për shpërndarje të lëndëve, duhet që të ndëshkohen, pasi që sistemi është për llogaridhënie, transparencë dhe efikasitet.

“Sistemi AKMIS është për llogaridhënie, transparencë dhe efikasitet në gjyqësor. Nëse ka keqpërdorim të sistemit AKMIS të ketë edhe ndëshkim, kështu do të mbrohen qytetarët, por edhe gjyqtarët. Jam e impresionuar nga reformat në Ministrinë e Drejtësisë, por miratimi i ligjeve është pjesa më e lehtë, ndërkaq sfida është zbatimi i tyre. Lidershipi juaj është me rëndësi fundamentale, ne ju përkrahim”, tha Palekin.

Komisioni i Ministrisë së Drejtësisë, deri më tani ka kryer kontrolle në Gjykatën Administrative, Gjykatën e Lartë Administrative , Gjykatën Themelore Shkup, Gjykatën Civile Shkup, Gjykatën Themelore Kavadar, Gjykatën Themelore Kumanovë dhe Gjykatën Themelore Tetovë. Deri në fund të vitit pritet të ketë edhe 9 kontrolle në gjykatat e Maqedonisë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike ende nuk ka konstatuar nëse është keqpërdorur sistemi për shpërndarjen e lëndëve gjyqësore AKMIS. Ndonëse ka një vit e gjysmë që Ministria e Drejtësisë e ka dorëzuar raportin nga kontrolli i sistemit AKMIS, Prokuroria ende vazhdon procedurën e mbledhjes së dëshmive.

Nga viti 2010 AKMIS, është operativ në të gjitha 34 gjyqet e Maqedonisë së Veriut, duke e zëvendësuar procesuimin manual të lëndëve. Nevoja për kontroll të sistemit AKMIS erdhi pasi që në raportin e Pribesë u tha se “ka perceptime se lëndët gjyqësore nuk janë duke u ndarë nëpërmjet Sistemit AKMIS”.

Në fund të vitit 2017-të Ministria e Drejtësisë e publikoi raportin që doli nga kontrolli i sistemit AKMIS. Pas kontrollit të bërë në Gjykatën e Apelit, është vërejtur se numri i madh i lëndëve gjyqësore nuk janë ndarë te gjykatësit e procedurës së caktuar për procedurë paraprake dhe se lëndët janë ruajtur në regjistër. Në Gjykatën Supreme është vërtetuar se lëndët janë ndarë në mënyrë manuale dhe se nuk ka qenë i formuar as grup punues për ndarjen e lëndëve. Në Gjykatën Themelore Shkupi 1 plani vjetor për menaxhim me lëndët gjyqësore është sjellë më vitin 2013 dhe për të njëjtin nuk është formuar trup punues, gjë e cila nënkupton se dhe këtu lëndët janë ndarë në mënyrë manuale. Edhe orari i punës në këtë gjykatë nuk ka qenë stabil, vetëm gjatë shtatorit të 2017-s i njëjti është ndryshuar tre herë.

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), të cilët i theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS.

“Ka pasur rregulla të rrepta që e rregullojnë shpërndarjen e lëndëve, të realizuara nëpërmjet një sistemi elektronik të menaxhimit të çështjeve, në shtator, Prokuroria Publike e Shkupit ka marrë në pyetje disa persona, pasi një auditim i vitit 2017 ka zbuluar se sistemi i caktimit të gjyqtarëve për të trajtuar raste specifike ishte manipuluar. Mediat kanë njoftuar se prokurorët kishin thirrur ish “gjykatësin kryesues” të Gjykatës Penale të Shkupit, Vlladimir Pançevski dhe të Gjykatës Supreme të Drejtësisë Jovo Vangellovski”, thuhet në raportin e DASH për vitin 2018-të.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button