RIORIENTIM NË HISTORI

“Më shumë i dua ëndrrat e së ardhmes sesa historinë e së shkuarës.”

(Th. Jefferson) 

Mes këtyre dy segmenteve apo parametrave të jetës, e shkuara dhe e ardhmja, që e ndihmojnë thelbësisht ndërtimin e aktualitetit, sillet edhe kursi ligjërimor i librit Të shkruarit e historisë në epokën globale i Lynn Hunt, profesore në UCLA, ish-kryetare e Shoqatës Historike Amerikane, autore e shumë veprave, përfshirë edhe Historia e re kulturore (1989), Rrëfimi i të vërtetës mbi historinë (1994), Bërja e Perëndimit: popuj dhe kultura (2005) etj.. Libri që i ofrohet lexuesit shqiptar nga Logos-A (2019), në fakt, është një filozofi e historisë, një trajtesë rreth çështjes së kuptimit të saj në epokën kapitalizmit global dhe postmodernizmit. Në këtë tekst historianja e shquar shqyrton çështjen nëse globalizimi mund të fuqizojë shkrimin e historisë si kapital social, nëse mund të përdoret si një kornizë shpjeguese, duke marrë parasysh dilemat metodologjike me të cilat përballen të gjithë historianët e kohës së sotme.

Sipas Julia McLure, nga Universiteti i Harvardit, ky studim niset nga teza se historia – si marrëdhënie simbiotike me nacionalizmat e shekullit XIX dhe XX – ndërtohet në bazë të një agjende politike (f. 3). Ajo argumenton se në vitet 1960, paradigma si marksizmi, modernizimi, Shkolla e Analeve dhe politikat identitare filluan të zbehen, kurse në periudhën vijuese, deri në vitin 1990, morën një pozitë dominuese teoritë kulturore (identiteti, gjinia, klasa dhe kultura), të zëvendësuara në vazhdim nga globalizimi, që po vë në rrezik kategori kryesore si “shoqëria” dhe “vetja”.

Duke sfiduar konceptin West-centrist dhe eurocentrist të modernitetit, Hunt-i na mëson që të studiojmë historinë e etikës, që të mos merremi me utopi dhe të kemi synime modeste për të ardhmen e afërt, pa ndërhyrjen e ekspertëve dhe shenjtërive të jashtme; të debatojmë për vlerat dhe nocionet aktuale (Lynch, 2015). Ajo na tregon se duhet të riOrient-ohemi, duke i kushtuar më shumë rëndësi Lindjes, Azisë dhe në veçanti Kinës; se “historitë e vjetra duhet t’i rirrëfejmë nga një perspektivë globale ose transnacionale. (Ikenberry, 2015)

Sipas saj, globalizmi mbështet supozimin se ekonomia formëson çdo aspekt tjetër të jetës, duke kërcënuar kështu arritjet e historisë kulturore të dekadave të fundit; ndërsa historianët aprovojnë një model perëndimor të vetvetes dhe të shoqërisë, duke e shfrytëzuar atë si etalon, sipas të cilit duhet kuptuar mënyra se si është bërë dhe po bëhet e ndërvarur bota. (Katz, 2015)

Mes të tjerash kjo vepër afirmon mikrohistoritë, nevojën për kërkime ndërdisiplinore dhe bashkëpunuese, për diversalitetin si përballje planetare me globalizmin, në emër të drejtësisë, barazisë, të drejtave të njeriut, në emër të nevojës për shpëtim nga “të dhënat e çoroditura”, nëse duam të çlirohemi nga disnarrativja si çrregullim neurologjik që dëmton aftësinë për të rrëfyer apo për të kuptuar ngjarje.

Historia shqiptare, që në të shumtën e rasteve ka si telos nxirjen e së shkuarës shumështresore, pa analiza të mirëfillta, me “gurëzime narrative”, me zhargonin e shekullit XIX, me hiperbola mitizuese e legjendare, me një oksidentalizëm radikal jokritik, pa zbërthime të shëndosha metodologjike e paradigmatike, mund të mësojë shumë nga Hunt-i dhe nga kjo vepër.

Shpresojmë që Shkrimi i historisë në epokën globale do të krijojë një frymë tjetër te lexuesi shqiptar; se do të gjejë një vend në programet universitare dhe do të ndihmojë në formësimin e një shkolle objektive dhe të një profili më të rafinuar historiani, që e nxjerr historinë nga burime autentike e jo nga filmat ideologjikë dhe historiografia e huaj. Shpresojmë te nisma e një sociologjie të historisë, që për momentin nuk e kemi, në mënyrë që të gjenerojë një aktor/konsumator të historisë që “ha më shumë bukë natyrale dhe më pak histori të shtrembëruar”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button