SHBA, rritet numri i azilkërkuesve të kthyer në Meksikë

Marrëveshja e arritur rishtazi me Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës ka filluar të zbatohet dhe autoritetet amerikane kanë dyfishuar numrin e azilkërkuesve që kthejnë mbrapsht. Për të shmangur vendosjen e tarifave, Meksika ra dakord të zgjerojë programin që detyron emigrantët të qëndrojnë në territorin meksikan ndërsa shqyrtohet kërkesa e tyre në Shtetet e Bashkuara, njofton Zëri i Amerikës.

Shtetet e Bashkuara kanë dyfishuar numrin e azilkërkuesve që kthyen drejt Meksikës nga pika kufitare në El Paso, të Teksasit. Ky është treguesi i parë i efekteve të marrëveshjes së re të arritur me Meksikën, duke shmangur kështu vendosjen e tarifave amerikane.

Nën presionin e Presidentit amerikan Donald Trump, Meksika ra dakord më 7 qershor të zgjerojë programin që detyron emigrantët e ardhur nga vendet e Amerikës Qendrore të qëndrojnë në Meksikë, ndërsa shqyrtohet kërkesa e tyre për azil në Shtetet e Bashkuara.

“Programi është për të gjithë njerëzit që vijnë nga vende spanjisht-folëse dhe jo vetëm për njerëzit nga Amerika Qendrore, vende si Guatemala, Honduras dhe El Salvadori. Dje p.sh. patëm të kthyer që vinin nga vende si Kuba dhe Venezuela. Presim që këto ditë të rriten numrat shumë”, thotë Enrique Valenzuela, koordinator i komisionit të popullsisë në shtetin meksikan Çihuaua.

Programi zbatohet aktualisht në Tihuana, Meksikali dhe Siudad Huarez. Rreth 12 mijë persona janë dërguar mbrapsht drejt Meksikës që kur filloi ky program në muajin janar.

“Nuk kemi ngrënë dhe drekë. Nuk kemi të holla, rroba apo asgjë. Zoti e di se ku do e kalojmë natën”, thotë një emigrant nga Salvadori, i kthyer mbrapsht në Meksikë së bashku vajzën e tij.

Marrëveshja ka shtuar presionin ndaj zyrtarëve meksikanë për rezultatet që duhet të arrijnë. Kreu i Institutit Kombëtar Meksikan për Emigracionin, Tonatiuh Guillen, dha dorëheqjen të premten për “arsye personale”.

Nëse masat e shtuara nuk janë të suksesshme pas 45 ditësh, Meksika ka rënë dakord të shqyrtojë opsionin e shndërrimit të saj në një “vend të tretë të sigurtë”. Nën këtë status, azilantët që mbërrijnë fillimisht në Meksikë, do të duhet të aplikojnë për statusin e refugjatit në Meksikë dhe jo në Shtetet e Bashkuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button