Bisedimet sekrete midis ShBA dhe Rusisë për çështjen e Kosovës

Disa studiues, ekspertë dhe njohës diplomatikë për çështjen e Ballkanit kanë konfirmuar se SHBA dhe Rusia vazhdojnë dialogun dhe bisedimet sekrete për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Sipas tyre, në bisedimet e dy palëve parashikohet që konflikti, kriza dhe ngërçi midis Serbisë dhe Kosovës do të përfundojë deri në fund të vitit. Sipas tyre, në pako ekzistojnë dy skenare. Cili skenar dhe version do të jetë, akoma nuk dihet (?), por sipas planit, në bisedime sekrete do të ketë shkëmbime të territoreve mes dy shteteve.

Para një viti unë kam shkruar një artikull me titull “Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”, pas forumit botëror ekonomik në Davos të Zvicrës. Në këtë forum tre liderët ballkanas – Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, President i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Shqipërisë Edi Rama kanë zhvilluar bisedime sekrete ku kanë pasur si platformë shkëmbimin e territoreve.

Do të thotë që tre liderët janë për shkëmbim të territoreve pa vullnet të popullit, pa konsensus dhe në fund të fundit pa referendum. Në këtë kontekst, në artikullin e mëparshëm unë kam shprehur idenë që kur Kosova të fitojë një ulëse në Kombet e Bashkuara para njohjes ose pas njohjes së Kosovës mund të fillojnë bisedimet për korrigjimin e kufijve, për demarkacionin. Siç parashikohet, Kosova do të humbë një pjesë të sipërfaqes së saj.
Nëse zbatohet plani i korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territorit ku etnikisht banojnë serbët, nga komuna e Loposoviçit deri në kufirin e Serbisë, Kosova do ta ketë të vështirë ta kontrollojë këtë territor dhe do të jetë në të ardhmen vështirë për t’i integruar këto komuna serbe nën sovranitetin e plotë dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Ata në të ardhmen, pas autonomisë, nëpërmjet referendumit do t’i bashkëngjiteshin Serbisë.

Ky territor që është i prerë si me thikë, është etnikisht i pastër. Për shembull, në Loposoviç nuk ka asnjë familje shqiptare dhe fshatra të përzierë me shqiptarë.  Do të ishte në interes të Kosovës korrigjimi i kufijve me shkëmbimin e Luginës së Preshevës. Kurse Sërbia do të hiqte dufin ndaj shqiptarëve të padëshirueshëm të Luginës.

Në pritje të populistëve dhe komandove evropianë

Për sa i përket çështjes së korrigjimit, shkëmbimit të territoreve, një pjesë e elitës politike të Serbisë dhe e popullit serb ka mospajtime dhe kontradikta. Politikanët dhe intelektualët e moderuar të opozitës janë kundër shkëmbimeve të territoreve. Sipas tyre, është humbje kohe. Ata apelojnë që sa më shpejt të zgjidhet konflikti, ngërçi dhe të dilet nga qorrsokaku. Serbia dhe Kosova, duke vazhduar me ‘status quo’-n, do të mbeten si dy ishuj dhe si ‘sandwich’ midis BE-së. Tabori ultranacionalist, populist demagog është kthyer me kokë nga Moska.

Ata pohojnë dhe ngulin këmbë se Serbia duhet të shkojë me vëllain e madh, duke pritur që populistët e djathtë, ultranacionalistët të vijnë në pushtet. Admiruesit e Vladimir Putinit besojnë se me aleatë të tillë si Urbanin, Le Pen dhe komandot autokratë dhe populistët e tjerë besojnë se  në të ardhmen do të shpallet Traktati i Euro-Azisë që përfshin territoret prej Adriatikut deri në Urale. Ndryshimi i aleancave për Serbinë do të jetë një medalje dhe devizë. Kthimi i një ATANT-e të re me aleatë të rinj, sipas imagjinatës dhe utopisë së tyre, do të mundësojë që serbëve t’u rikthehen tokat e humbura, do t’u garantohet pushtimi, ekspansioni, hegjemonia, dhe ata do të jenë aktorë dominues si në fillim të shekullit 20-të në Ballkan.

Pakti NATO – Raihu i Tretë (Dritte Teich)

Sipas projektit, Republika Serpska do të bashkëngjitet me Serbinë; kurse për Malin e Zi, pas ardhjes në pushtet të opozitës pro-serbe, mund të ndodhë shembulli i Ukrainës. Serbët e Malit të Zi do të kërkonin bashkëngjitjen me Serbinë. Kjo është ëndrra e arkitektit, babait të kombit serb Dobrica Qosiq dhe e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë SANU. Një ndër ta është dhe oponenti, protagonisti, eksperti analist ushtarak dhe publicisti Mirosllav Lazanski.

Ai është kundërshtar i rreptë i Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe NATO-s, një ekstremist fanatik rusofil. Lazunski shkruan se dy shtete të fundit – Mali i Zi dhe Maqedonia u pranuan në NATO pa konsensus, në mënyrë arbitrare. Ai më tej vazhdon: “Ne ballkanasve amerikanët na kanë shndërruar në tufa delesh. Ekspansioni dhe hegjemonizmi i NATO-s i ngjan Rajhut të Tretë. Sipas agjendës së tyre, gjithë Ballkani duhet të jetë nën ombrellën e NATO-s. Sipas Lazanskit, anëtarësimi i shteteve në NATO bëhet pa kushte, pa kritere. Mund të pranohen dhe shtete të bananeve dhe kanabisit, siç është Shqipëria.

Këtë Lazanski e thotë më shumë nga xhelozia, pasi në revista që kam lexuar në ish-Jugosllavi, në shkrimet e tij ai më shumë kishte urrejtje për shqiptarët se për regjimin feudalo-stalinist të Enver Hoxhës.

Sipas prognozës së Lazanskit, në të ardhmen e ka radhën Bosnja dhe në fund Serbia. Hyrjen e Bosnjës në NATO SHBA-ja dhe NATO-ja mund ta llogarisin pa Republikën Sërpska, pa serbët e Bosnjës. Për Republikën Sërpska dhe Serbinë NATO-ja është sikur “Rajhu i Tretë”.  Sipas tyre, bombardimet mbi një shtet sovran për më se 72 ditë, duke bombarduar pa reshtur, duke vrarë fëmijë, civilë të pafuqishëm ishin të padrejta. “Hyrja në NATO për ne serbët”, thonë ata “do të thotë që në të ardhmen ushtarët tanë do të rekrutohen në shtetet baltike në kufirin rus dhe po qe se fillon konflikti ose lufta, ata do t’ua kthenin pushkën vëllezërve të tyre, do të përgjaknin historinë e një populli etnogjen që rrjedh nga i njëjti gjak, fis dhe tokë.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button