Saraçini apelon kompanitë, investoni në zgjidhje efikase energjetike!

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini sot morri pjesë dhe u paraqit me fjalim në ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve për kompanitë me projekte më të mira për efikasitet energjetik. Në evenimentin e organizuar nga Banka evropiane për rimëkëmbje dhe zhvillim, ministri Saraçini theksoi se vetë prezantimi dhe ndarja e shpërblimeve dëshmojnë se kompanitë e vendit kanë filluar të investojnë në efikasitet energjetik.

‘Efikasiteti energjetik është prioritet numër një, jo vetëm  i Qeverisë dhe sektorit publik, por edhe i industrisë ku mënyra efikase e shfrytëzimit të energjisë është një ndër faktorët më të rëndësishëm për rritje të konkurrencës dhe ekonomisë në vend’, deklaroi Saraçini.

Sipas tij, zhvillimi dhe implementimi i projekteve nga fusha e efikasitetit energjetik dhe burimeve të ripëtërishme të energjisë kanë kapacitet të krijojnë vende të reja të punës, të përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve, të ulin importin e energjisë dhe ti përmirësojnë mundësitë për anëtarësim në BE. Krahas kësaj, ministri Saraçini theksoi edhe rolin që kanë burimet e ripërtërishme të energjisë në përparimin e efikasitetit energjetik në ruajtjen e ambientit jetësorë.

“Kur të shihni se me një investim në vlerë prej 900 mijë eurosh, kursimet vjetore janë plot 300 mijë euro, ndërsa kthimi i investimit bëhet për vetëm 3 vite, do të pajtoheni se me të vërtetë është mençuri të investohet në zgjidhje të këtilla’, deklaroi gjatë ndarjes së mirënjohjeve ministri Saraçini. 

Ambasadori i BE-së në vend, Aivo Orav i pranishëm në eveniment tha se efikasiteti enrgjetik tek kompanitë nuk do të ketë ndikim vetëm në uljen e shpenzimeve për energji, por do ta përmirësoj edhe konkurencën mes tyre.

‘Çdo euro e investuar, kursen më shumë se dy euro nga shpenzimet për energji elektrike. Gjithashtu e mbrojmë ambientin jetësorë, edhe pse arritja e këtyre qëllimeve kërkon mund dhe para’, deklaroi ambasadori Orav.

Drejtoresha e përfaqësisë së Bankës evropiane për rimëkëmbje dhe zhvillim në Maqedoni, Elena Urumovska njoftoi se deri në fund të vitit do të ketë fonde shtesë nga BERZH-i, për projekte për efikasitet energjetik, të cilat përveç sektorit privat do të mund ti shfrytëzojnë edhe institucionet publike.

 Për projekte për efikasitet energjetik në Maqedoni përmes WeBCEFF Programit janë paraparë 12 milion euro. Mjetet ndahen përmes bankave komerciale, Ohridska banka, Halk bank dhe Tutunska banka. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button