Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutë mbi anulimin e zgjedhjeve vendore

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë në lidhje me vendimin e presidentit të vendit, Ilir Meta, mbi anulimin e zgjedhjeve vendore, duke e kundërshtuar këtë dekret, raporton Anadolu Agency.

Pas disa orësh debat në seancën parlamentare, rezoluta u miratua me 100 vota pro, 7 vota kundër dhe 2 abstenime, ndërsa me anë të saj i bëhet thirrje presidentit Meta “të reflektojë duke kthyer institucionin e presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta”.

Në rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste (PS) theksohet se Kushtetuta e Shqipërisë dhe Kodi Zgjedhor i Shqipërisë nuk i njohin presidentit të vendit të drejtën për të anuluar zgjedhjet.

“Akti i presidentit, në mënyrë të kundërligjshme, ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, ashtu si është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor 2019”, thuhet ndër të tjera në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë.

Më tej theksohet se Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë institucion të vijojë të “mbrojë pacenueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019”.

Ndërkohë, në një deklaratë nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se dekreti për anulimin e zgjedhjeve vendore “është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë”.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët sot u shpreh se “30 qershori ligjërisht nuk përbën më nga pikëpamja kushtetuese një datë zgjedhjesh”.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, zyrtarizoi më 10 qershor vendimin për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore, por pa dekretuar datë të re, duke shkaktuar reagime pro dhe kundër. Meta ka vendosur që të dekretojë shfuqizimin e dekretit të datës 5 nëntor 2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe anulimin e datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore.

Në lidhje me këtë vendim, partia në pushtet, PS, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka paralajmëruar fillimin e procedurave për shkarkimin e presidentit Meta nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdon fushatën për zgjedhjet vendore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button