Forumi Rinor i Lëvizjes BESA i dhuroi Teuta Arifit një trëndafil për premtimet e parealizuara

Forumi Rinor i Lëvizjes BESA sot në konferencën për media i kanë rikujtuar kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifit, të gjitha premtimet, që sipas tyre, ua ka borxh qytetarëve të Tetovës. Ata për këtë, në shenjë proteste nga përgjimet e fundit që janë publikuar, i kanë dhuruar edhe një trëndafil, transmeton Portalb.mk.

“Situata politike në Maqedoninë e Veriut, vazhdon të mbetet kaotike dhe me pak shpresë për ndërtimin e një të ardhme të shëndosh dhe kualitative. Tetova vazhdon të përballet me probleme të shumta, për ujin e pijshëm, rrugët me gropa e shumë probleme të tjera që u tangojnë qytetarëve”, thuhet në kumtesën e Forumit Rinor të Lëvizjes Besa.

Ata i kanë numëruar disa nga punët e pakryera në Tetovë, si: ndërtimi i bulevardit v.s Bato, ndërtimi i stacionit te autobusëve, vënia në funksion e transportit publik, furnizimi i pajisjeve urbane, pastrimi i deponive të egra, ndërtimi i deponisë për mbeturinat komunale, ndërtimi i sistemit të ujësjellësit në fshatin Llacë, ndërtimi i urës në rrugën Tetovë – Brodec, rikonstruimi i rrugëve nga gropat e ndryshme.

Ndryshe, Komuna e Tetovës më 16 maj të këtij viti njoftoi se do të aplikojë për kredi afatgjate në vlerë prej 60,640,956.97 denarë, apo 1 milion euro, nga Banka Botërore për ndërtimin e Bulevardit “V.S. Bato”, vendim i cili u miratua nga Këshilli i Komunës së Tetovës, ndonëse Komuna vetëm se ka marrë një tjetër kredi në vitin 2016 për ndërtimin e të njëjtës.

Gjithashtu, Komuna e Tetovës nuk e ka zgjidhur ende problemin e mbeturinave dhe deponive që krijohen vend e pa vend.
Mungesa e deponisë për materiale ndërtimore ka shkaktuar kaos me hedhjen e mbeturinave. Deponia rreth lumit Shkumbin sa vjen e shtohet, premtimet e Komunës së Tetovës ende të parealizuara.

Sa për rikujtim, shoferët sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë në luftë me gropat në rrugë, dhe të njëjtat sa vijnë e shtohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button