Mosfunksionimi i Këshillit Rinor i Komunës së Tetovës, pengon implementimin e Strategjisë Lokale Rinore (VIDEO)

Mosfunksionimi i Këshillit Rinor i Komunës së Tetovës vështirëson implementimin e Strategjisë Lokale Rinore, në vend që ta ndihmojë të njëjtën, u tha sot në debatin publik për prezantimin e draft versionit të Strategjisë Lokale Rinore 2020-2022 që por e përgatit Shoqata Multikultura, transmeton Portalb.mk.

Meqë Strategjia Lokale Rinore aktuale e Komunës së Tetovës vlen deri në fund të vitit 2019, Shoqata “Multikultura” në kuadër të projektit “Ndikimi i organizatave joqeveritare te të rinjtë”, ka marrë përsipër të formulojë një strategji të re për të rinjtë për periudhën 2020-2022.
Megjithatë, në debatin ku u prezantua draft versioni i strategjisë u tha se Këshilli Rinor i Komunës së Tetovës duhej të ndihmonte implementimin e strategjisë së ardhshme por edhe kësaj aktuale, dhe mund të ishte bazë për realizimin e të njëjtës, por i njëjti has probleme në funksionim.

Përpara se të formulohet draft strategjia, “Multikultura” ka realizuar një anketë me 1009 të rinj për të parë se sa ata janë të informuar për organizatat joqeveritare, janë identifikuar nevojat dhe problematikat me të cilat përballen të rinjtë dhe është ofruar zgjidhje për të njëjtat.

Të pranishmit sugjeruan që strategjia të përmbajë projekte praktike dhe të realizueshme.

“Nga anketa kanë dalë disa fusha të cilat ne i kemi marrë parasysh gjatë përgatitjes së strategjisë, ka qenë fusha e punësimit të rinjve dhe migrimi, fusha për zhvillimin e vullnetarizmit në Komunën e Tetovës, dhe kryesore ka qenë fusha e arsimit, kulturës dhe sportit, dhe pjesëmarrja e të rinjve vullnetarë në Komunën e Tetovës”, theksoi Arlinda Ilazi nga “Multikultura”.

Ata theksuan se debati i parë publik i mbajtur sot është për të grumbulluar ide nga të rinjtë për plotësim të strategjisë. Strategjia do të publikohet dhe do jetë e hapur edhe për qytetarët, që të mund të japin idetë e tyre.

Të pranishëm në debat ishin nxënës të shkollave të mesme, studentë, përfaqësues nga komuna dhe vullnetarë nga organizata joqeveritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button