Edhe një skandal me gjuhën shqipe në RMV: Nënshtetësia në dëftesat shkollore “maqedonase” e jo “e Maqedonisë” (FOTO)

Zbatimi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut përcillet me skandalin e radhës. Koordinimi i keq dhe konfuziteti i institucioneve kanë sjellë në përdorim të gabuar të nënshtetësisë në dokumentet zyrtare, sipas ndryshimeve kushtetuese të Marrëveshjes së Prespës. Konkretisht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Arsimit dhe Shkencës japin udhëzim të gabuar, Qeveria propozon “përkthim të përshtatshëm”, kurse Agjencia për Zbatim të Gjuhës Shqipe nuk përfillet, transmeton Portalb.mk.
Skandali ka dalë në pah me dëftesat e
 nxënësve shqiptar.

Në dëftesat e shqiptarëve, MASH-i dhe MPJ-ja udhëzojnë se nënshtetësia duhet të jetë  “maqedonase/ qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Në këtë reagoi Agjencia për Zbatim të Gjuhës Shqipe duke thënë se forma e duhur është “e Maqedonisë/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Ndërkaq se duhet të jetë “e Maqedonisë/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” propozuan edhe njohësit e gjuhës shqipe dhe letërsisë.

“Duke e pasur parasysh se shumë shkolla paraqiten në Ministri të Arsimit dhe Shkencës në lidhje me dokumentacionin pedagogjik, Ju njoftojmë se duhet të veproni në bazë të ndryshmeve të Kushtetutës, respektivisht në pajtim me Amendamentin XXXIII të Kushtetutës dhe Nenin 2 paragrafi 2 të Ligjit kushtetues për zbatim të amendamenteve XXXIII dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë (Gazeta zytare e R.M. nr.06/19). Në dëftesa në pjesën “shtetësia” duhet të theksohet “Maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që as nuk ka përkthim shqip, dërguar shkollave fillore me mësim në gjuhën shqipe në Shkup.

Shembulli se si duhet të shkruhet nënshtetësia në dëftesa sipas MASH-it
Shembulli se si duhet të shkruhet nënshtetësia në dëftesa sipas MASH-it

Ka dy ditë që redaksia jonë ka kontaktuar MASH-in për të pyetur PSE nuk ka udhëzim adekuat në gjuhën shqipe siç ankohen shkollat, por ata nuk janë përgjigjur ende.

Drejtori i Agjencisë për Gjuhën Shqipe, Ylber Sela

Reagimet e qytetarëve, siç thonë nga Agjencia për Zbatim të Gjuhës Shqipe e nxitën atë të reagojnë në lidhje me mënyrën se si duhet të shkruhet shtetësia në shqip sipas ndryshimeve kushtetuese. Sipas drejtorit të Agjencisë, Ylber Sela shtetësia duhet të shkruhet “e Maqedonisë/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

“Pas ankesave të shumta të qytetarëve të drejtuara në adresë të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës sa i përket çështjes së dëftesave të nxënësve dhe reagimeve për të njëjtat në media, ndjehemi të obliguar për të dhënë përgjigje në lidhje me këtë çështje. I udhëzojmë të gjithë institucionet shtetërore që gjatë ndryshimeve në dokumentet zyrtare, sa i përket çështjes së emrit të shtetit, shtetësisë dhe të obligimeve të tjera që burojnë nga Marrëveshja e Prespës, duhet të merren parasysh ndryshimet kushtetuese të miratuara në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht, Amandamentet Kushtetuese XXXIII, XXXIV, XXXV dhe  XXXVI. Shtetësia në dokumentet zyrtare në gjuhën shqipe është: “e Maqedonisë / Qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Sela.

Se nënshtetësia duhet të shkruhet “e Maqedonisë/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” patën propozuar edhe profesorët universitar të gjuhës shqipe dhe letërsisë, kohë më parë në një artikull të publikuar nga Portalb.mk.

Qeveria e Maqedonisë

HESHTJE NË INSTITUCIONE!

Portalb përpos që kontaktoi MASH-in, iu drejtua institucioneve relevante përgjegjëse për të përpiluar dokumente udhëzimi për mënyrën se si në bazë të ndryshimeve kushtetuese të dala nga Marrëveshja e Prespës, duhet të shkruhet në dëftesa dhe dokumente personale shtetësia në gjuhën shqipe.
Nga Qeveria shkurt u përgjigjen se ndryshimet duhet të jenë “të përkthyera në mënyrë të përshtatshme në gjuhët zyrtare.”

“Të gjitha komunikimet zyrtare duhet të jenë në pajtueshmëri me ndryshimet e Kushtetutës (Amandamenti XXXIII, neni 2, alineja 2), të përkthyera në mënyrë të përshtatshme në gjuhët zyrtare. Për më shumë detaje ju lutemi të kontaktoni me Ministrinë e arsimit dhe shkencës”, thanë nga Qeveria.

Forma e gabuar gjendet në udhëzimin për publikun dhe mediat që qëndron në uebfaqen e Ministrisë për Punë të Jashtme, kumtohet se shtetësia duhet të shkruhet “maqedonase/ qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Portalb.mk ka dërguar pyetje deri atje për të kumtuar se nëse i njëjti udhëzim vlen edhe për të gjitha institucionet tjera shtetërore, kush ka realizuar përkthimin e këtij udhëzimi dhe a është dërguar i njëjti Udhëzim edhe në MASH, nga MPJ-ja pa përgjigje.

Udhëzimi i MPJ-së

Në procesin e përshtatjes së ligjeve me ndryshimet kushtetuese, partitë opozitare shqiptare patën premtuar se do të angazhohen që të përmirësohet emërimi i nënshtetësisë në “E Maqedonisë”, ashtu siç rekomandojnë albanologët dhe ekspertët, megjithatë gabimi ende është evident. 

Nga dëftesat, nëse ndiqen rekomandimet e MPJ-së, çështja e nënshtetësisë në shqip do të përcillet në dokumentet personale të qytetarëve të RMV-së, të cilat duhet të ndryshohen brenda pesë vitesh ose më së voni deri më 2024.

Përndryshe, tashmë kanë kaluar 6 muaj nga hyrja në fuqi e Ligjit për përdorimin e gjuhëve me të cilin parashihet përdorim i gjerë i gjuhës shqipe. Jo të gjitha institucionet kanë vendosur tabela edhe në shqip, ndërkaq ende nuk është përpiluar edhe ligji për themelimin e Inspektoratit që do të jetë i obliguar t’i sanksionojë institucionet në rast të moszbatimit të drejtë të gjuhës shqipe. Në RMV nuk ka as Komision për licencim në gjuhën shqipe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button