Datë megjithatë do të ketë

Sot Maqedonia e Veriut mori dy lajme të rëndësishme për perspektivën e saj lidhur me integrimet evropiane. Lajmi i parë është se vizita e Kryeministrit Zaev në Berlin dhe takimi me Kancelaren gjermane Merkel ka rezultuar në fitimin e një sigurie të re që jemi në rrugën e duhur për të marrë përfundimisht datën e hapjes së negociatave për aderim në BE. Pas këtij takimi informohemi që të gjitha opsionet mbeten të hapura, bile edhe ai më optimisti, që këtë datë ta marrim në korrik të këtij viti, gjë që nuk është përjashtuar si mundësi.

Megjithatë, duket të jetë më i mundshëm dhe real opsioni i dytë, që Bundestagu gjerman në shtator të japë dritën jeshile për hapjen e negociatave, ndërsa diskutimi rreth kapitujve të parë, që padyshim edhe në rastin tonë do të jenë kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës, të fillojë diku mes nëntorit dhe dhjetorit.

Ajo që del si informatë shumë e rëndësishme nga takimi Merkel-Zaev është se Merkel ka konstatuar që Maqedonia e Veriut ka përmbushur detyrimet e veta lidhur me këtë fazë, dhe se rruga e ndjekur është ajo e duhura. Ky po që është një lajm shumë i mirë që jep një energji të re në përparimin e vendit në këtë proces. Ky po që është një lajm që na bën të besojmë se të gjitha vështirësitë që u tejkaluan me shumë mundim gjatë tri viteve të kaluara në fakt ia vlejnë, dhe ne së shpejti mund të marrim atë që na takon, një fillim të mbarë të negociatave për aderim në BE. Dhe është vërtet e pritshme dhe logjike që kjo datë të merret, pa marrë parasysh se cili do të jetë muaji vendimtar i fillimit të negociatave, sepse ndryshimi që bëri Maqedonia e Veriut për një periudhë të shkurtër është vërtet për t’u përshëndetur dhe për t’u respektuar e shpërblyer me hapje të perspektivës më të sigurt për integrim në BE.

Të mos harrojmë, bëhet fjalë vetëm për marrje të datës për hapje të negociatave, negociata këto që mund dhe pritet të zgjasin gjatë, me mundësi të ndryshme për t’u ndërprerë ose bllokuar në çdo moment. Por nga ana tjetër, ne kemi më shumë se një dekadë që rrotullohemi në rreth vicioz ku marrja e një date të tillë për fillim të këtyre negociatave kaq të rëndësishme, për një kohë shumë të gjatë është dukur si ëndërr e parealizueshme.

Lajmi i dytë me rëndësi i ditës së sotme është se Parlamenti holandez ka votuar kundër dy rezolutave identike të ngritura nga parlamentarë të atjeshëm që kanë kërkuar mos-hapje të negociatave për aderim të Maqedonisë së Veriut në UE. Të dy rezolutat kanë dështuar të marrin votat e nevojshme dhe nuk janë pranuar nga parlamenti, me të cilën gjë është hequr një mundësi për bllokimin e marrjes së datës për fillim të këtyre negociatave.

Të mos harrojmë përsëri, që parlamenti Holandez duhet të votojë pro rezolutës për hapje të negociatave me Maqedoninë e Veriut, por ky është hap të cilin ata do e ndërmarrin sipas të gjitha gjasave pasi Bundestagu gjerman të ketë dhënë dritën jeshile për këtë punë. Nga ana tjetër, rezoluta e ngritur në parlamentin holandez për mos-hapje të negociatave për aderim të Shqipërisë në UE për fat shumë të keq është votuar me shumicë votash. Ky është me të vërtetë një lajm shumë i keq që edhe një herë e vërtetoi faktin se vendet si Holanda por ndoshta edhe Franca, janë shumë kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë ndërsa nuk janë edhe aq antagoniste sa i përket hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut. Faktikisht, kjo ishte edhe arsyeja pse Bundestagu gjerman dhe Kancelarja Merkel vendosën që ta shtyjnë vendosjen për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për në vjeshtë duke shpresuar se gjer atëherë do të binden edhe Holanda dhe Franca që të japin dritë jeshile për të dy vendet. Por siç duket, votimi në Parlamentin holandez këtë e bën gati se të pamundur, dhe në një farë mënyre, ky është një realitet i ri që imponon atë që quhet “de-coupling” apo ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në UE.

Ajo që është me rëndësi të nxirret si mësim nga ndodhitë e ditës së sotme është se Maqedonia e Veriut është në rrugë të mbarë sa i përket fitimit të datës për hapje të negociatave për aderim në BE. Ky është një lajm që kemi kohë që e presim dhe ngadalë po bëhet realitet. Nëse deri në Tetor arrijmë ta marrim këtë datë dhe nëse në dhjetor vërtet arrijmë t’i hapim negociatat për kapitujt e parë, dhe meqenëse në dhjetor pritet të mbarojë plotësisht edhe anëtarësimi jonë në NATO, atëherë vërtet kemi arsye për të shpresuar se një ditë do të bëhemi vend normal ku drejtësia dhe vlerat evropiane do të funksionojnë. Në këtë drejtim, është koha që prej tani të tregojmë se jemi në gjendje t’i zbatojmë ato vlera, duke filluar që nga bartja e përgjegjësie për korrupsion dhe skandale tjera për të gjithë pushtetmbajtësit e kaluar dhe të tashëm që kanë guxuar të keqpërdorin detyrën dhe pozitën e tyre zyrtare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button