BE me projekt për konkurrencë të barabartë ekonomike në Kosovë (VIDEO)

Zyra e Bashkimit Evropian në bashkëpunim me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, Komisionin Kosovar të Konkurrencës, Departamentin e Ndihmës Shtetërore dhe Komisionin për Ndihmë Shtetërore organizuan sot konferencën ekonomike “Konkurrenca është e mirë, e rregulluar është edhe më e mirë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën ku u shpalos projekti i BE-së për krijimin e standardeve të qëndrueshme ekonomike, u tha se synohet inkurajimi i efikasitetit të ndërmarrjeve, eliminimi i privilegjeve të pajustifikuara dhe zvogëlimi i privilegjeve ndaj kompanive.

Zëvendës shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, tha se po mbështesin Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin për Ndihmë Shtetërore për të zhvilluar më tej kapacitetin e tyre institucional për të krijuar bazën për standarde të qëndrueshme ekonomike në pajtim me kërkesat e BE-së.

“Kur jemi tek gjërat që janë bërë, mendoj se ka edhe mjaft punë për t’u bërë në Kosovë. Për t’u siguruar një jetë e barabartë për të gjithë në të gjitha fushat. Për ta eliminuar patronazhin. Për t’i eliminuar privilegjet. Për krijuar qasje të barabartë për kompanitë. Dhe, për këtë është dhe ky projekti yni, përkrah gjërave të tjera që po bëjmë me ju”, tha Serri i cili shtoi se Kosova ka mjaft potencial të madh ekonomik dhe mund të mbështetet në forcën punëtore të rinisë së saj.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se do jenë në përkrahje të konkurrencës së lirë. Ai tha se projekti i BE-së do të mbështesë përmbushjen e obligimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në Kosovë gjegjësisht inventarin gjithëpërfshirës dhe legjislacionin primar dhe sekondar të Ndihmës Shtetërore.

“Projekti do të forcojë kapacitetet funksionale dhe teknike të Departamentit të Ndihmës Shtetërore si dhe të Komisionit për të siguruar mbikëqyrje më të madhe në fushën e Ndihmës Shtetërore. Po e ritheksoj që është diçka e re që para më pak se dy vjet realisht nuk ka ekzistuar fare”, tha Hamza.

Politika e shëndoshë e konkurrencës, siç u tha nga pjesëmarrës të konferencës, synon zgjedhje më të gjerë për konsumatorët duke nxitur inovacion, cilësi më të mirë dhe çmime më të ulëta.

Ky projekt do të zgjasë nga janari i vitit 2019 deri në maj të vitit 2022 ndërsa buxheti i përgjithshëm është rreth 3 milionë euro. Konferenca zhvillohet në kuadër të fushatës së Zyrës së BE-së në Kosovë “Let’s Talk Economy!”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button