Mocioni për Metën, PS: Nuk tërhiqemi nga 30 qershori (VIDEO)

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur të enjten në një seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga Partia Socialiste, për të diskutuar vendimin e presidentit të vendit për anulim të zgjedhjeve lokale si pasojë e krizës politike në vend, njofton REL.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend, deklaroi se ditën e sotme, në vend që Kuvendi të merrej me rezolutën që do i drejtohej shteteve të Bashkimit Evropian për t’i kërkuar “njohjen e meritës së Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të vëna prej tyre dhe për nisjen e negociatave”, po merret me “me një akt brutal, të papërgjegjshëm dhe të pa-tolerueshëm të Ilir Metës”, duke iu referuar dekretit të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve.

Ai ka shtuar se partia e tij nuk do të tërhiqet nga 30 qershori, si datë e caktuar e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

“Anti – dekreti i Ilir Metës është një arsye më shumë për t’i bërë zgjedhjet më 30 qershor, për t’i dalë përballë frontalisht këtyre katër aventurierëve (presidentit dhe krerëve të opozitës) që duan të ndalojnë shtetbërjen shumë të mundimshme të këtij vendi dhe ta katandisin vendin njësoj si vetveten”, tha Rama.

Ndërkohë, presidenti Ilir Meta është takuar me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses- Ones, si dhe ka filluar takimet me përfaqësues të opozitës për konsultime për një datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve.

Ai ka shfuqizuar dekretin presidencial për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale në Shqipëri për 30 qershor dhe ka thënë se zgjedhje në Republikën e Shqipërisë “nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e presidentit”.

Ai këtë vendim e mori pasi që opozita në Shqipëri ka djegur mandatet në Kuvend, dhe ka disa muaj që proteston duke kërkuar largimin e qeverisë.

Deri tani, qeveria dhe opozita nuk kanë gjetur rrugë të përbashkët për të dialoguar për zgjidhjen e kësaj krize politike në vend.

11:30 – Në Kuvendin e Shqipërisë ka filluar seanca për shqyrtimin e vendimit të presidentit Ilir Meta për ç’dekretim të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Grupi parlamentar në krye me Edi Ramën – kryeministër sot do të diskutojë edhe për mocionin ndaj Metës.

09:15- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar pak më parë me anë të një njoftimi në Twitter se sot në Kuvend do të flasë mbi vendimin e presidentit për zgjedhjet, ndërkohë që do zhvillohet dhe mocioni me debat për këtë të fundit.

Rama shton se do të flasë në orë 12:00.

“Sot në 12.00 në Kuvendin e Shqipërisë, fjala ime në debatin e Rezolutës MBI AKTIN E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS PËR SHFUQIZIMIN E DEKRETIT Nr. 10928, DATË 05.11.2018 “PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE”. Live në ERTV natyrisht?”, shkruan Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button