Greqia në zgjedhje të parakohshme kombëtare

Greqia do të mbajë zgjedhje në korrik, pasi presidenti i këtij vendi, Prokopis Pavlopoulos, e miratoi kërkesën e kryeministrit Alexis Tsipras për zgjedhje të parakohshme, raporton REL.

Zgjedhjet pritet të zhvillohen më 7 korrik. Njoftimi vjen vetëm pak javë pasi Partia Syriza e Tsiprasit pësoi humbje shkatërruese në zgjedhjet evropiane dhe lokale.

Tsipras më herët ka premtuar zgjedhje kombëtare në fund të mandatit të tij në tetor, por pas një diference prej 9% midis Partisë Syriza dhe partisë konservatore Demokracia e Re në zgjedhjet e majit për Parlamentin Evropian, ai ka vendosur të veprojë më herët.

Pas tri fitoreve të njëpasnjëshme që nga viti 2014, Tsipras i humbi edhe zgjedhjet lokale në fundjavë. Tsipras tha se me vendimin për zgjedhje të parakohshme synon të shmangë disa muaj fushatë që do të mund të rrezikojnë ekonominë e vendit dhe të dëmtojnë përparimin që ka bërë gjatë viteve të fundit.

“Ju kërkoj të shpërndani parlamentin dhe të bëni thirrje për zgjedhje kombëtare, siç thotë Kushtetuta dhe ligji përkatës, për të rinovuar mandatin popullor”, i tha Tsipras presidentit.

Sondazhet sugjerojnë se Demokracia e Re pritet t’i fitojë edhe zgjedhjet e hershme kombëtare.

Kreu i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, e akuzoi Tsiprasin për “mashtrimin” e grekëve, duke rritur taksat dhe duke mos i realizuar premtimet për eliminimin e masave të kursimit.

“Nuk dua që edhe një herë të keni një kryeministër që vjen në pushtet duke ju thënë gjëra që nuk mund të bëhen”, tha Mitsotakis në një tubim në ishullin Kos.

Përpara se të vinte në pushtet për herë të parë, në janar të vitit 2015, Tsipras është zotuar se do t’i luftojë masat shtrënguese, të kërkuara nga huadhënësit e Greqisë, në këmbim të ndihmave financiare, pas viteve të krizës ekonomike.

Partia e tij Syriza është detyruar të ndryshonte qëndrim dhe të pranonte një tjetër paketë shpëtimi, ose rrezikonte që Greqia të dëbohej nga Eurozona.

Tregjet e mirëpritën vendimin për zgjedhje të reja. Rezervat greke u rritën në nivelin më të lartë në 13 muaj, duke shënuar fitime prej 3.3%.

Është hera e parë që nga rivendosja e demokracisë në Greqi, në vitin 1974, që zgjedhjet kombëtare do të mbahen në korrik, në mes të sezonit turistik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button