LIGËSIA QË S’KA FUND

Shtimje. Qershor i vitit 1998. Po kthehesha nga Prizreni me familjen, me fëmijë. Në kthesë nga Shtimja për Ferizaj na ndalën policët. Pesë policë serbë të armatosur me kallashë.

Dokumente (dokumentet)! më urdhëroi ai që ishte kah dera ime me dritare të hapur. Ia dhashë. Aha, Ahmeti si ti dakle. (Aha, Ahmeti qenke ti). Me të dëgjuar të mbiemrit tim që e tha me zë, të tjerët i drejtuan kallashët kah ne. I nxora dokumentet.  Derisa ai i shikonte, katër të tjerët “e studionin” veturën nga jashtë me kallashët në gatitu. Shta radish bre ti, gdje radish? (Çfarë punon bre ti, ku punon?), më pyeti me një ton që ta bënte me dije se ata janë susperiorë, se janë shteti e pushteti dhe zoti vetë.

Gazetar jam, i thashë qetë.

Vidi ti njega, zhurnalista! (Shikoje ti këtë, zhurnalist).

(Izagji!) Dil! më urdhëroi. Dola. (Otvori gepek)! Hape gepekun! E hapa. (Imash li oruzhja unutra?) A mos ke armë brenda?

Jo, i thashë.  Njëri nga policët i hallakati teshat. Pastaj u mblodhën të pestët krye më krye, biseduan diçka dhe ai u kthye.

Neqesh moqi dalje da idesh!) Nuk do të mund të shkosh tutje! tha. Unë nuk e pyeta pse, sepse e dija që do të ketë  një “arsye”, “për të marrë masa të mëtejme”. “Vrati se!) (Kthehu!), më urdhëroi. U ktheva për Prizren.

Në hyrje të Prizrenit, grupi tjetër i policëve. Edhe këta na ndalën.

Vozio si brzo! (Ke vozitur shpejt)! më tha ai që u afrua te vetura. Pastaj m’i kërkoi dokumentet. Edhe ky e tha me zë mbiemrin tim, ta dëgjojnë të tjerë! Tridest evra! (Tridhjetë euro!). E pagova dënimin.

Të nesërmen u nisa kah Brezovica. Ndoshta do të kalojmë më lehtë, menduam. Ndoshta nuk do të ketë kontrolla në çdo hap. Brezovica e Shtërpca, ndërkaq, vlonin nga policët, si gjithkund nëpër Kosovë. Vozisja me kujdes që të mos u jap mundësinë të më akuzojnë se kam vozitur shpejt. Megjithatë edhe kujdesi im nuk më solli fat. Në dalje të Shtërpcës përsëri më ndalën. Edhe këtu e rrethuan veturën e m’i kërkuan dokumentet. Edhe këtu ishin po ato fytyra të etshme për tallje, për fyerje e për hakmarrje. Edhe këtu kërkuan ta hap gepekun. E njëjta punë, i njëjti avaz. Këtu njëri polic kërkoi që ta skajoj veturën rreth rruge. Pastaj e mori kutinë e dritave, e nxori një dritë nga kutia edritave rezervë, e ngriti në ajër e bërtiti:

(Ova sijalica ti je pregorena, shok! (Këtë dritë e paske të djegur, o shok”) më tha duke u munduar atë fjalën shok ta shtrembërojë fonetikisht për t’u tallur e për të ma fyer gjuhën dhe pa një, pa dy e hodhi larg në livadhin e pakositur. Shta da radimo sad kad na put idesh nespreman! (Çfarë të bëjmë tash kur del në rrugë i papërgatitur?), më tha dhe ashiqare priste që unë ta kundërshtoj që “të ketë arsye” të veprojë, të marrë masa fizike.

Nuk i fola asgjë.

Sad qesh çekati tu dok ne nagjesh naçin da obezbedish sijalicu! (Tash do të rrish këtu derisa ta gjesh mënyrën ta sigurosh dritën), më tha. E, minutat bëheshin të gjata si orët në atë rrethim policor.

Ndërkohë para nesh e pamë një njeri që po vraponte e arriti i mbushur në frymë.

“Zakasnih” (u vonova), u tha ai policëve që na mbanin këtu.

“A gdje idu, ovi”? ( e ku po shkojnë këta?) pyeti njeriu. Idem s njima (po shkoj me këta). Pastaj polici që ma hodhi dritën në barin e pakositur m’u afrua. Imate srequ (Paskeni fat)! më tha. To je nash kolega kome se zhuri! (Është kolegu ynë që ngutet). Treba da ga prebacite na Partizanski Put (Duhet ta çoni në Udhë të Partizanit).

E lamë atë në vendin ku ndahen rrugët për Tetovë e Ferizaj dhe vazhduam kah Tetova. Rrugës nuk këmbyem asnjë fjalë të vetme. Në Glloboçicë, para kufirit silleshin me dhjetra policë serbë. Edhe këtu mbiemri paraqiste problem dhe mund të më bënte telashe, por rendi i gjatë i veturave dhe kallaballëku i fshatarëve që prisnin ta kalojnë kifirin ishin ata që nuk u dhanë hapësirë policëve të kërkonin qime në qull.

Nga ajo kohë kanë kaluar mjaft vite. Kur i lexoj ose dëgjoj sot mediat dhe politikanët e shkrimtarët serbë si kukasin që paskan qenë viktimë, kurse ne paskemi qenë ata që kemi ushtruar dhunë,  them o zot ligësia nuk paska fund! Dhe, më dhem shpirti për mijëra e mijëra shqiptarë të keqtrajtuar, të dhunuar, të vrarë e të zhdukur nga këta që pa fije turpi bëjnë zhurmë se janë viktima!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button