Shefi i UNMIK-ut: Situata në Kosovë është e brishtë

Situata në Kosovë dhe midis Prishtinës dhe Beogradit është e brishtë, tha shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, duke shtuar se angazhimet produktive ndërmjet palëve mungojnë qysh në vjeshtë të vitit 2018, njofton REL.

“Udhëheqësit e të gjitha palëve duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe ta drejtojnë situatën larg përshkallëzimit”, tha Tanin në një adresim para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përmes video-lidhjes nga Prishtina.

Tanin përmendi në mënyrë të veçantë operacionin e 28 majit të Policisë së Kosovës – i përqendruar kryesisht në komunat veriore me shumicë serbe – i cili ka pasur në shënjestër të dyshuar për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Tanin tha se gjatë këtij operacioni, dy pjesëtarë të UNMIK-ut në Zubin Potok – një ndërkombëtar dhe një i rekrutuar në nivel lokal – janë arrestuar dhe plagosur në incidente të ndara.

Ai tha se “imunitetet e tyre nga arrestimi dhe paraburgimi” nuk janë respektuar.

“Jam i alarmuar se dy anëtarët e stafit i janë nënshtruar dhunës së tepruar gjatë arrestimit nga policia, me ç’rast u janë shkaktuar plagë që kanë kërkuar hospitalizim. Kjo është një çështje që do të jetë pjesë thelbësore e hetimeve që i kemi iniciuar”, tha Tanin.

Më 28 maj, Policia e Kosovës ka ndaluar 19 zyrtarë policorë, prej të cilëve 11 serbë, katër shqiptarë dhe katër boshnjakë, nën dyshimet për shpërdorim të detyrës, krim të organizuar, kontrabandë dhe marrje dhe dhënie të ryshfetit.

Gjatë këtij operacioni, pjesëtari rus i UNMIK-ut, Mikhail Krasnoshchenkov, dhe një tjetër pjesëtar i këtij misioni janë arrestuar, pasi janë gjendur në afërsi të disa barrikadave, përmes së cilave është tentuar të pengohet Policia e Kosovës, teksa ka qenë duke realizuar aksionin.

Ata më pas janë liruar, ndërsa Krasnoshchenkov është transferuar në Beograd për trajtim mjekësor.

Qeveria e Kosovës po ashtu e ka shpallur person “non-grata” (të padëshirueshëm) Krasnoshchenkovin, ndërsa Tanin tha se doktrina e “persona non-grata” nuk zbatohet te personeli i OKB-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button