SPAK për Maqedoninë e Veriut

Struktura e Posaçme Antikorrupsion, siç njihet me inicialet SPAK, është strukturë e përbërë nga prokurorë dhe gjyqtarë të përzgjedhur të cilët para së gjithash kanë kaluar me sukses në filtrat e vetingut të subjekteve të drejtësisë, ku avantazh në përzgjedhje kanë prokurorët që janë vlerësuar për punën e tyre ndër vite dhe kanë një numër të lartë dosjesh të hetuara me sukses. Në rastin e Republikës së Shqipërisë, SPAK-u përbëhet nga Prokuroria e Posaçme, Njësia e Posaçme Hetimore me emrin “Byroja Kombëtare e Hetimit”, struktura këto që do hetojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe Gjykata e Posaçme që do të vendosë drejtësinë lidhur me këto krime.

Në duart e prokurorëve, të 15 prokurorëve të posaçëm të SPAK-ut, dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato të krimit të organizuar. Prokurorët e SPAK-ut mund të hetojnë që nga Presidenti, Kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të Qeverisë ose jo. Çështjet që hetohen nga prokurorët e posaçëm gjykohen nga Gjykata e Posaçme. Këto gjykata kanë kompetencë që të gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

Për arsye të qëndrueshmërisë ne nivelin e duhur të detyrës, prokurorët e SPAK-ut duhet që të miratojnë që në fillim që llogaritë e tyre bankare dhe komunikimet e tyre elektronike dhe telefonike t’u nënshtrohen kontrolleve periodike pa qenë nevoja që më parë të kërkohet një autorizim, siç është procedura aktuale. Kontrolle të llogarive dhe të tabulateve telefonike do t’i nënshtrohen familjarët e afërt, mbi 18 vjeç, duke nisur që nga bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët apo persona që jetojnë në të njëjtën banesë me prokurorin e SPAK-ut për një periudhë kohore relativisht të gjatë.

Se sa e rëndësishme është kjo strukturë e re antikorrupsioni, si pjesë e fuqishme e reformimit të sistemit të drejtësisë në R.Shqipërisë, mbështetur dhe trajnuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, tregon më së miri reaksioni publik i figurave të korruptuar të politikës që zvarritjën  ngritjen e kësaj strukture antikorruptive, e cila tashmë është drejt finalizmit të saj, dhe do të jetësohet njëlloj si jetësimi i vetingut në drejtësi.

Sa i takon Maqedonisë së Veriut, është e vërtetuar edhe publikisht nga dalja e përgjimeve që korrupsioni dhe krimi i organizuar ndër vite i funksionarëve publik nga qeveri të ndryshme, është një prej shqetësimeve më të mëdha që ka shkaktuar dhe shkakton regresin shtetëror dhe varfërinë e popullatës. Është e ditur dhe e kritikueshme nga institucione relevante se edhe gjatë këtyre viteve të qeverisë së re, të ashtuquajturat reforma në sistemin e drejtësisë, me këtë strukturë gjykatash dhe prokurorish, bëhen vetëm histori dështimi, dhe realisht në këtë formë nuk mund të kenë sukses as në të ardhmen, siç nuk mund të kishin sukses prokuroritë dhe gjykatat e rregullta në R.Shqipërisë, pasi kriminaliteti i niveleve të larta shtetërore ka marrë përmasa tragjike edhe në vetë korruptimin e sistemit të drejtësisë, ku domosdoja tanimë kërkon një intervenim të këtillë në system (veting dhe SPAK), të dëshmuar në praktikën ndërkombëtare.

Pastaj për faktin që Prokuroria Speciale e themeluar para dy vitesh në R.Maqedonisë së Veriut, është një prokurori e lëndeve të kufizuara dhe me afat të kufizuar që shqyrton vetëm çështjet të dala nga përgjimet, tashmë na lind nevoja emergjente e një strukture SPAK-ku në drejtësi. Theksojmë përsëri se kjo strukturë del si rrjedhojë dhe ecën paralel me filtrin e vetingut në drejtësi, pa të cilën do ishte e pamundur nxjerrja e një kualiteti të tillë moral dhe profesional prokurorësh dhe gjykatësish, si bartës të luftës së korrupsionit të niveleve të larta shtetërore.

Me modelin ligjor dhe trajnimin e drejtëpërdrejtë nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian të kësaj strukture hetimore dhe gjyqësore të posaçme, e ngritur në shtetin fqinj, e kemi me të lehtë themelimin e një SPAK-u në Maqedoninë e Veriut, për ti dhënë goditjen e merituar korrupsionit zyrtar, propagandave zgjedhore dhe akuzave të ndërsjella partiake të cilat e kanë lodhur popullatën, por që avazi i hajdutërisë fakteqësisht ka vazhduar qeveri më qeveri. Ndërsa kryesit e veprave penale të niveleve të larta kanë kaluar pa u hetuar dhe gjykuar nga drejtësia (pos atyre të Prokurorisë speciale me raste të kufizuara në kohë dhe lëndë).

Tashmë ne mund të ngrisim këto struktura të SPAK që çojnë para drejtësisë kryesit e veprave penale, në një formë të sigurtë – fuqishme dhe të drejtë, skemi pse humbim kohë dhe bëjmë lojëra qeveritare të reformave boshe në drejtësi. Me këtë akt reforme të mundshëm, jo vetëm që do fillonte pastrimi serioz  nga të korruptuarit e funksioneve të rëndësishme të aparatit shtetëtor, por edhe pastrimi i partive politike nga zhvatësit e fshehur dhe të dukshëm që dëmtojnë politikat shtetërore, por edhe vetë strukturën dhe të ardhmen e partive përkatëse politike.

Që të formohet SPAK-ku, duhet fillimisht të ngritet struktura e vetingut të drejtësisë, në filtrin e të cilës do të dilnin organet e SPAK-ut, por që fatkeqësisht partia më e madhe udhëheqëse me qeverinë, LSDM-ja e kryeministrit Zaev, nuk ka disponim për një gjë të tillë, nga frika ose jo, dhe këtë mundohet ta mbulojë me arsyetime të paqena.

Megjithatë shpresojmë që BDI-ja tashmë si iniciator i vetingut në drejtësi, bashkë me partitë mbështetëse shqiptare të kësaj çështjeje, të jenë konsekuent në kërkesën dhe ngritjen e këtyre strukturave të drejtësisë aq të nevojshëm për shtetin e së drejtës, dhe me arsyetime logjike të arrijnë të bindin edhe kryeministrin Zoran Zaev, pavarësisht kostos që mund të ketë ky SPAK për funksionarët e partive të cilët në numër të konsiderueshëm i nënshtrohen veseve të hajdutërisë, por edhe të ish funksionarëve, pasi kjo është shumë e rëndësishme të ndiqen ata që janë pasuruar me pa të drejtë, që tani janë larguar nga pozitat duke menduar se kanë shpëtuar nga hetimi.

Pa luftën serioze kundër korrupsionit dhe reformimit të sistemit të drejtësisë, nuk ka integrim në Bashkimin Evropian, qoftë nëse Kryeministri kërcënon BE-në me zgjedhje të reja apo lëshim mandati nësë nuk merret tani datë për fillimin e negociatve, por dhe nëse merret një datë e tillë, kjo sdo të thotë se është meritë e reformave antikorrupsion apo të sistëmit të reformuar të drejtësisë, por thjesht kthim borxhi politik për përpjekjen e ndryshimit të emrit të shtetit që bëri Maqedonia e Veriut tashmë. Kjo është diçka e kuptueshme nga të gjithë. Në të gjitha rastet kërkohet zbatimi i reformave prej vërteti, e që SPAK-u do të ishte ideale dhe e mirëseardhur për mbarë shoqërine tonë, gjithashtu përshpejtim në bashkangjitjen e vendit në Bashkimin Evropian.

Luftimi i korrupsionit në ndërtimin e shtetit ligjor, është standart i burrështetasve të qeverive vizionare. Me ndryshimin e emrit të shtetit dhe arritjes së klimës paqësore me fqinjët, mund të merret çmim Nobël, të avancohet politikisht (jo me meritë) në disa struktura euro-atlantike, por që të marrësh meritat e ndërtimit të shtetit ligjor, zhvillim ekonomik, duhet sakrificë dhe përballje me drejtësinë, si për drejtësinë e vetes, bashkëpuntorëve ashtu edhe për të gjithë klasën politike dhe subjekteve të rëndësishëm të aparatit shtetëror. Dhe këtë gjë në shtetet si Maqedonia e Veriut,  mund ta bëjë vetëm forma e organizimit struktural siç është Vetingut në drejtësi dhe SPAK-u për antikorrupsionin dhe krimin e organizuar.

Sa më shumë e vonojmë këtë metodologji efikase, aq më favorshëm do të jetë për të korruptuarit në mundësinë e asgjesimit të fakteve dhe vjetërsimin e lëndëve penale në gjykatat dhe prokuroritë aktuale, të zhytur në paaftësi dhe korrupsion. Nëse nuk ndodh diçka e reformave të këtilla serioze, edhe pas shumë vitesh do të jemi dëshmitarë të shkatërrimit të mëtejshëm të vendit. Nëpërmjet vetingut përmbushet kërsesa për reformën në drejtësi që kërkon tashmë partneri shqiptar i koalicionit qeverisës, BDI-ja. Por pa SPAK-un, nuk mund të bëhet kontroll dhe luftë e korrupsionit të figurave të rëndësishme politike, pasi pa kaluar në veting, është alogjike të pretendojmë veting mbi politikën, sepse realisht sdo kishte kush ta realizojë atë.

Për më tepër SPAKU-un dhe Vetingun duhet ta kërkojë para se gjithash opozita, veçanërisht ajo shqiptare, sepse opozita maqedonase është e zhytur në korrupsion dhe ska si të kërkojë diçka të tillë.  Ndërsa opozita shqiptare për hir të së vërtetës në këtë drejtim është shumë e zbehtë dhe gati sikur nuk e kupton akoma se çdo të thotë Vetingu në drejtësi dhe SPAK-u i antikorrupsionit të niveleve të larta. E çështja erdhi deri sa që ja lë partisë shqiptare qeverisëse të marrë kryesuesin e nismës  parlamentare të vetingut, e jo këtë ta bëjë opozita e cila duhet të jetë me komode në raport me frikën nga një system i drejtë gjyqësor, për arsye e thjeshtë të rolit joqeverisës – mundësisë shumë më të vogël për korrupsion në rradhët e saj.

Partitë serioze bëjnë nisma parlamentare, elaborojnë ligjërisht dhe publikisht iniciativat, marrin modelet dhe përvojat nga më adekuatet në rajon dhe më gjërë, dhe vetëm kështu bëhen bartës të proceseve të rëndësishëm dobiprurës, që pastaj qytetarët të japin votëbesim për ti përfaqsuar në qeverisje të vendit. Shpresojmë të ketë reflektim nga të gjithe palët.

Për një shqyrtim dhe analizim më të detajuar të kompetencave dhe përbërjes së SPAK-ut, mund të shërbehemi me ligjin nr. 95/2016, datë 6.10.2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, të Republikës së Shqipërisë. Kjo strukturë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është një strukturë kushtetuese e themeluar me nenin 148/dh të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button