Lista e hapur zgjedhore – sfida e radhës e Maqedonisë Veriore!

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, përsëri po e riaktualizon debatin e madh në vend në lidhje me çështjen e sistemit zgjedhor. Ai dha mbështetje për nismat e disa partive politike të dorëzuara në periudhën e kaluar deri te kabineti i tij për reforma në modelin zgjedhor përmes Kodit Zgjedhor, për krijimin e modelit zgjedhor proporcional me lista të hapura dhe uljen apo reduktimin e numrit të njësive zgjedhore në territorin e vendit. Ai madje u bëri apel pa përjashtim partive politike në vend, pozitë-opozitë, që ta shqyrtojnë mundësinë për reforma në modelin zgjedhor përmes ndryshimit të Kodit Zgjedhor dhe me konsensus politik të arrihet marrëveshje për modelin zgjedhor proporcional me lista të hapura.

Apeli i Presidentit është për t’u vlerësuar dhe përshëndetur. Ajo që është për t’u vlerësuar është ambienti demokratik që ka ekzistuar dhe ekziston për momentin në Maqedoninë Veriore tek partitë politike sa i përket kësaj çështjeje si ato të pozitës por edhe të opozitës, për dallim të VMRO-DPMNE-së, të cilët nuk kanë qëndrim të qartë dhe se qëndrim konkret do të marrin pas marrjes së iniciativës në Kuvend, me çka do t’i analizojnë edhe efektet pozitive dhe negative të këtij modeli, kurse nga ana tjetër LSDM-ja e përkrah idenë e Presidentit, Stevo Pendarovski duke pas parasysh se ajo është edhe pjesë e programit të saj zgjedhor. Tek partitë shqiptare ekzistojnë mendime të ndryshme, unanim janë sa i përket listave të hapura, por dallimet e tyre konsistojnë tek njësitë zgjedhore, ku numri i tyre lëviz nga tre deri në tetë njësi zgjedhore.

Pyetja që shpesh parashtrohet dhe është elaboruar në teorinë juridiko-politike është çështja e modelit ideal zgjedhor, se cili model është më i përshtatshëm për një shtet apo shoqëri?
Kjo pyetje natyrisht kërkon elaborim më të thellësishëm me argumente të qarta, por sidoqoftë mund të thuhet se një “model” i tillë nuk ekziston duke pas parasysh përparësitë dhe mangësitë e secilit prej tyre.

Republika e Maqedonisë së Veriut, përgjatë historisë së saj që nga themelimi e deri në ditët tona, kushtimit thënë i ka “provuar” të gjitha modelet zgjedhore parlamentare si të vitit 1990, 1994, si modele të shumicës zgjedhore parlamentare, pastaj modeli i kombinuar zgjedhor në vitin 1998, proporcional në zgjedhjet e vitit 2002, 2006, 2008, 2011 dhe 2014, me gjashtë njësi zgjedhore. Pra, siç shihet në RMV debatet e tilla për “modelin ideal zgjedhor” nuk janë ndalur, por gjithmonë është synuar një gjë e tillë.

Procesi i zgjedhjeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i rregulluar me Kodin Zgjedhor të saj, ku parashihet në dispozitën e nenit 4, modeli zgjedhor, ku thuhet se: “Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut zgjedhen prej 120 deri 123 deputetë, prej të cilëve 120 deputetë zgjedhen sipas modelit proporcional, me ç’rast territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut ndahet në gjashtë njësi zgjedhore të përcaktuara me këtë kod dhe në secilën zgjedhën nga 20 deputetë dhe 3 deputetë zgjedhen sipas modelit proporcional në një njësi zgjedhore që i përfshinë Evropën, Afrikën, Amerikën Veriore dhe Jugore, Australinë dhe Azinë.”
Pra, RMV aktualisht zbaton modelin proporcional me gjashtë njësi zgjedhore, me lista të mbyllura, gjë që synohet vetëm në ndryshim të saj, në një njësi zgjedhore, me lista të hapura, që në esencë, nuk paraqet ndonjë reformim të hollësishëm të Kodit Zgjedhor, por më tepër paraqet çështje teknike.

Të mbyllura vs të hapura?

Edhe njëra edhe tjetra kanë përparësitë si dhe mangësitë e tyre, andaj përsëri mund t’i kthehemi pyetjes më lartë se nuk ekziston “model ideal zgjedhor”. Por, përse Republika e Maqedonisë së Veriut duhet synuar në model zgjedhor me njësi të reduktuar zgjedhore, mundësisht një njësi zgjedhore dhe me lista të hapura?
Në këtë drejtim, mendoj se vendit tonë i ka ardhur koha ta aplikoj këtë sistem zgjedhor, më tepër për shkaqe pragmatike sesa teorike apo diç tjetër. Maqedonia Veriore, me një njësi zgjedhore, me prag të ulët zgjedhor ose pa prag zgjedhor do ta demokratizonte Kuvendin e RMV-së, me çrast ky model më tepër do të shkonte në favor partive më të vogla politike, pa pasur nevojë për koalicione zgjedhore, të cilët deri më tani nuk kanë arritur të sigurojnë ulëse në Kuvend, me këtë model zgjedhor, ata fare lehtë mund të ulen në institucionin ligjvënës në vend. Pra, njësia e vetme zgjedhore, pa prag ose me prag të ulët zgjedhor shkon në maksimalizimin e votës së qytetarëve, ashtu që asnjë votë e tyre nuk do të shkojë dëm.

Përmes listave të hapura do të vijë në shprehje më tepër preferencat e zgjedhësve dhe jo të liderëve partiak siç ka qenë deri më tani. Pra, përmes listave të hapura, zgjedhësit do të kenë mundësi që të zgjedhin kandidatin të cilin e preferojnë, pa marrë parasysh renditjen e kandidatëve në listën e përcaktuar nga udhëheqësi partiak, në atë mënyrë që zgjedhësi para emrit të kandidatit më të preferuar do të shënonte preferencën e tij. Mënyra e tillë e votimit edhe sipas Prof. Dr. Jeton Shasivarit, citoj se do të rritë përgjegjësinë e kandidatëve të zgjedhur ndaj zgjedhësve, në atë mënyrë që, kandidatët do të bazoheshin më tepër në mbështetjen e zgjedhësve se sa në mbështetjen e liderëve partiakë dhe nga ana tjetër, vetë partitë politike do të kandidonin personalitete më të afta dhe me autoritet më të lartë para trupit zgjedhor, gjë që do të rriste nivelin e profesionalizmit dhe përgjegjësisë së funksionit të deputetit dhe në përgjithësi të Kuvendit të RMV-së. Nga ana tjetër, zakonisht në RMV procesi i kandidimit është mjaft i centralizuar dhe ekskluzivisht varet nga kreu partiak, me çrast në masë të madhe është e përjashtuar anëtarësia më e gjërë dhe simpatizuesit partiak, gjë që në një masë të madhe ndikon në vetëpromovimin dhe vetëprodhimin e elitave partiake. Kandidatët e listës partiake nuk zgjedhen por, emërohen ose caktohen nga kreu partiak (edhe atë 5 minuta para orës 24, si afat i dorëzimit të listës kandiduese) edhe pse formalisht procesi i selektimit të kandidatëve rrjedh nga poshtë-lartë, andaj pritet që një dukuri e tillë të përmirësohet me inkorporimin e listave të hapura në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale. Pra, sipas Prof. Dr. Jeton Shasivarit, pa marrë parasysh se listat e hapura do të jenë sfidë e madhe për “bosizimin” e deritanishëm të partive politike dhe partikracinë e theksuar të shoqërisë sonë, si dukuri patologjike të sistemit tonë politik dhe partiak, sepse për këto lloj listash partive politike do t’u nevojiten persona profesionistë dhe njerëz që gëzojnë autoritet në popull ose thënë ndryshe personalitete që do të ngrisin njëinfrastrukturë të duhur profesionale, ekipore, intelektuale dhe logjistike për funksionimin efikas dhe demokratik të Kuvendit të RMV-së, e jo deri më tani siç ka funksionuar ku deputetët e partive politike kanë qenë “makineri votuese” e pazareve të ndryshme politike të liderëve të tyre partiak.

Në përgjithësi lidhur me listat e mbyllura mund të theksohet ajo që pohon Donald Horowitz kur shprehet se sistemi proporcional me listë kombëtare zakonisht vë një pushtet të madh në duart e liderëve partiak në vendosjen se cilët kandidatë do të kenë vende të favorshme në listat partiake me gjasa më të mëdha për zgjedhje. Kur liderët partiak të qendrës kanë një pushtet të tillë, konsiderohet se është cenuar sovraniteti i zgjedhësit për të zgjedhur kandidatin, në vend se vetëm të zgjedh ndërmjet kandidatëve. Andaj, sipas tij, modeli më i mirë zgjedhor është ai që në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të saktë i shpreh preferencat e zgjedhësve.
Meqenëse, Republika e Maqedonisë së Veriut synon anëtarësimin në UE duke pranuar vlerat evropiane në sistemin e saj të brendshëm juridik, rrjedhimisht edhe aplikimi i modelit zgjedhor, një njësi zgjedhore me lista të hapura, do të kontribuonte edhe më tej në demokratizimin e saj të brendshëm, kështu duke u afruar edhe më afër trendeve evropiane si dhe botërore

Siç pohon edhe Xhovani Sartori, në teorinë dhe praktikën zgjedhore sintagma “Kali i Kaligulës” (rasti kur perandori romak Kaligula ka caktuar kalin e tij Incitatus për Senator) domethënë se secili (madje edhe vetë kali) mund të zgjedhet, mirëpo kali i Kaligulës më vështirë mund të zgjedhet kur votohet për personalitetin se sa kur votohet për listën partiake në njësinë zgjedhore ku zgjidhen disa përfaqësues.
Lista e hapur në Maqedoninë Veriore do të jetë sfida e radhës, por kjo nuk duhet të shihet si diçka utopike, por shumë reale dhe pragmatike për vendin tonë, duke pas parasysh përparësitë e saja, por edhe si nevojë e kohës. Veçanërisht, partitëpolitike shqiptare ta tejkalojnë vetveten dhe të insistojnë në këtë model zgjedhor edhe pse do të jetë shumë sfiduese për to, por të jenë të sigurt dhe të mos ngurrojnë sepse kjohap një proces shumë të mirëfilltë demokratik zgjedhor, edhe vetë brenda partivepolitike por edhe ndaj vendit në përgjithësi. Listat e hapura synojnë konkurrencën e aty ku ka konkurrencë, ka kualitet.

Autor: Emir Kurtishi – student në ciklin e dytë të studimeve në Fakultetin Juridik – UEJL.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button