Myslimanët në Itali festën e mbylljes së Ramazanit ia dedikuan Papa Françeskut

Moment historik për besimtarët myslimanë në Itali. Mbi 1000 organizata të komuniteteve të huaja, qendra kulturore, xhami, shoqata myslimane në Itali ia kanë dedikuar Papa Franceskut 3 ditët e festës së mbylljes së muajit të shenjtë të Ramazanit, duke e konsideruar personalitetin simbol të dialogut botëror ndërfetar pa kufi, njofton Ora News.

Kjo iniciativë e nivelit të lartë u promovua nga Kryetari i organizatës së mjekëve të huaj në Itali, Dr. Foad Aodi, në të cilët aderojnë dhe mjaft mjekë shqiptarë, si dhe u përkrah nga përfaqësuesit rajonalë, provincialë e bashkiakë të komunitetit myslimanë në Itali.

Përkrahja e gjerë e kësaj iniciative konfirmon rolin e Atit të Shenjtë në rrugën e dialogut ndërfetar, solidaritetit e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Dedikimi i një feste kaq të rëndësishme për myslimanët, kreut të Katolicizmit Botëror është shembull i hedhjes së hapave kurajozë në paqen e bashkëjetesën mes besimeve te ndryshme fetare në Itali.

Gjatë udhëtimeve të tij apostolike Papa Françesku ka udhëtuar dhe në tokën arabe e ka vizituar xhami e lutjet e tij kanë qenë terapia më e mirë kundër frikës, diskriminimit fetar e paragjykimeve.

“Me këtë iniciativë,”-thotë kryetari i mjekëve të huaj në Itali, Foad Aodi, “shprehim mbështetjen tonë ndaj Papa Françeskut e reformizmit të tij fetar”.

Aktualisht në Itali jetojnë 2.6 milionë myslimanë, baraz me 4.3 % të popullsisë. 56% e tyre janë me kombësi të huaj e 44 %: italianë.

Në Itali jetojnë dhe rreth 201 mijë myslimanë shqiptarë e në Romë është ndërtuar një nga xhamitë më të mëdha të Europës.

Sipas të dhënave të shoqatave e organizatave myslimane në Itali, gjatë vitit të fundit është shënuar një rritje me 30% e rasteve të diskriminimit ndaj personave të besimit myslimanë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button