Racizëm i pandëshkuar demokratik

Nuk është kolumna e parë të cilën detyrohem ta nis me thënien emblematike të filozofit të madh Platonit, i cili para më shumë se dy mijë e pesëqind vitesh ka thënë se më i mirë dhe më i dashur për njerëzit është shteti që ofron më shumë liri, siguri, të drejta dhe mirëqenie.

Dëshminë e kësaj thënieje të pavdekshme e gjejmë edhe sot në shpërnguljet dhe ekzodet masive të njerëzve fatkëqinj, që detyrohen të braktisin atdhetë e tyre për shkak të pushteteve despotike, të cilët e kanë bërë jetën e padurueshme dhe të paperspektivë.

Për fatkeqësinë tonë, Maqedonia ka qenë vend i tillë që nga viti 1945, kur u bë njëra prej 6 njësive të federatës jugosllave. Në të gjyshërit dhe baballarët tanë vuajtën të zitë e ullirit vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse jetonin në tokat e të parëve. Kjo për shkak se Maqedonia e asokohshme u shndërrua në poligon serb për matjen e pulsit tonë. Për ta kuptuar këtë, mjafton të kujtojmë shpërnguljet e dhunshme dhe masive në shkterëtirat e Anadollit, elaboratet për zhbërjen e shqiptarëqve, kërbaçin e përhershëm policor, burgjet politike, dhunën e ushtruar me pretekstin e kërkimit të armëve, sekuestrimin e pasurive të patundshme, përdhosjen e varreve, diferencimet ideo-politike, ndryshimet e toponimeve shqipe, dënimet për shkak të pagëzimit të fëmijëve me emra shqip, diskriminimet në punësime dhe në arsim (kujto paralelet e përziera, ku për një nxënës maqedonas, të futur kastile në klasat e stërmbushura me nxënës shqiptarë, arsimtarët tanë detyroheshin të ligjërojnë në gjuhën e kombit biblik)…

Mjerisht, ky mekam vazhdoi edhe pas vitit 1991, kur Maqedonia (tani e Veriut), pa plotësuar asnjë kerkësë legjitime të shqiptarëve, u shpall shtet më vete dhe u vetëstolis me epitete demokracie. Kjo zhgënjeu edhe ata që pandehën se e keqja mbeti prapa nesh dhe se sistemi i ri do t’i trajtojë të gjithë njësoj dhe do të jetë i përshtatshëm për jetë si shteti i preferuar i Platonit. Statusi beter monizmit u bë i dukshëm kur “të drejtat” tona u kthyen në nivelin e asaj që gëzonim në Jugosllavinë e para vitit 1968, të njohur si mesjeta rankoviqiste. Këtë e vulosi Kushtetuta maqedonase e vititi 1991, e cila qe shumë më rigjide se kushtetuta jugosllave e vitit 1974.

Tani më ishte i qartë kursi i anijes me lukuninë e kapitenëve titistë dhe tendenca për krijimin e një shteti etnik maqedonas, ku për ne u rezervua e drejta për të qenë pakicë e dëgjueshme apo për t’u shpërngulur përgjithmonë ku ha pula gur, gjoja vetëm për shkaqe ekonomike që rëndokan njëjtë edhe mbi kurrizin e të tjerëve. Për të funkcionuar kjo ashtu si qe planifikuar në kuzhinat albanofobe, fillimisht u shpik afera e armëve e shoqëruar me sulme policoro-ushtarake, si në rastin e Bit Pazarit, Reçicës së Vogël, Gostivarit, Brodecit, apo Lagjes së Trimave në Kumanovë, të cilin muaj më herët e paralajmëroi publikisht dhe me detaje gjeneral-majori Stojançe Angellov. Krahas dhunës së hapur e me plot viktima në njerëz, që, për paradoks, u përsëritën edhe pas konfliktit të vitit 2001, pushteti inskenoi shumë afera dhe mbushi burgjet me të rinj të pafajshëm, të akuzuar më së shpeshti si terroristë islamikë. Me një fjalë, ne u bëmë delja e zezë dhe fajtorë për të gjitha dështimet dhe ngecjet e ndodhura për shkak të politikave anarkike.

Kuptohet, gjatë kësaj periudhe ndodhën dhe disa ndryshime pozitive në jetën e shqiptarëve: u hapën 3 universitete, u avancua përdorimi i Gjuhës shqipe, u rrit numri i të punësuarve në administratën shtetërore e lokale…, por e gjitha rezultoi e pamjaftueshme në raport me atë që është dashur dhe ka mundur të bëhet gjatë viteve të shkuara. Për këtë flet më së miri ekzodi i paparë i rinisë, që ka shprazur për tmerr, në veçanti vendbanimet shqiptare.

Për shkak të kësaj që u tha më lart, nuk arrij ta kuptoj histerinë e një pjese të popullatës maqedonase, që vazhdon të kërkojë vend e pa vend komora gazi për shqiptarët, edhe në festa edhe në morte. Akoma më pak arrij t’i kuptoj organet e drejtësisë, që, edhe kësaj here, presin raportin e Ministrisë së brendshme për të ndëshkuar racizmin e hapur demokratik.

Kjo mungesë gatishmërie për të vënë para ligjit vampirët që kërkojnë me ngulm vdekjen e shqiptarëve, fashit pakthyeshëm shpresat për një të ardhme ndryshe, sepse, shkon nga shkon, laraska merr bishtin me vete. Shi për këtë, jam i sigurt se skena mesjete do të shohim edhe në të ardhmen, për aq kohë sa nuk do të merret askush seriozisht me fajtorët kyç të krimit të paralajmëruar: me përpiluesit e enciklopedisë “së ndaluar” maqedonase, me gënjeshtrat e pseudohistorianëve albanofobë, me “lëshimet teknike” të teksteve fyese shkollore, me televizionet dhe analistët antishqiptarë…, që në vazhdimësi të pashkëputur helmojnë shpirtëra e tru të painformuar për të vërtetën tonë.

Megjithatë, më shqetësuese se gjithçka mbetet paaftësia e politikanëve dhe intelektualëve shqiptarë (respekt përjashtimeve!) për ta ndryshuar një herë e mirë statusin tonë të kurfartë prej përqindjeje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button