Gomari i fshatarit dhe eurointegrimet

Rrugëtimi euro-integrues i Maqedonisë së Veriut, në dekadën e fundit, i përngjet asaj përralle “ezopiane” për Pusin dhe Gomarin: “Një ditë gomari i një fshatari kishte rënë në pusin e oborrit. Gomari i mjerë ulëriti me orë të tëra, derisa fshatari e gjeti të rënë në pus. Në fillim u përpoq ta nxjerrë, por ishte e vështirë kjo punë, ndaj dhe vendosi ta mbulojë me tokë, pasi e kishte më lehtë se sa ta nxjerrë jashtë pusit. Fshatari ftoi  fqinjët e tij për ta ndihmuar. Të gjithë morën nga një lopatë dhe filluan të hedhin tokë në pus. Gomari e kuptoi se çfarë po ndodhte dhe u trishtua edhe më shumë. Pastaj, papritur, filloi të qetësohet, sepse ndodhi diçka e mahnitshme…Çdo lopatë dheu të hedhur mbi shpinë, gomari e shkundte nga trupi dhe toka derdhej pranë këmbëve, që shtypej nga shkelja. Shumë shpejt pa që gradualisht ngrihej më lart e më lart dhe i afrohej daljes së pusit. Më në fund, edhe kishte dalë prej tij shëndoshë e mirë…!”

Ngritja dhe rënia e një regjimi

Ngjashëm po ndodh edhe këtu. Periudha e dhjetëvjeçarit të fundit, në të cilën kaloi ish-IRJM (FYROM) – pas Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimeve kushtetuese, Republika e Maqedonisë së Veriut – ishte shumë e vështirë dhe e pa shpresë për këtë vend, sidomos pas vitit 2008 dhe Samitit të NATO-s në Bukuresht, kur ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, hapur iu vu kundër ndryshimit të emrit të Maqedonisë në kontest me Greqinë, si i vetmi kusht për aderim në këtë aleancë të fuqishme veri-atlantike, në kuadër të projektit të përbashkët të Kartës së Adriatikut, ku ishin edhe Shqipëria dhe Kroacia, të cilat bënë hapin e tyre vendimtar të aderimit, ndërsa Maqedonia e Veriut ndërroi kursin e ecjes euro-integruese, duke kthyer shikimin nga Lindja, në radhë të parë nga Rusia. Qeveria Gruevski, në vend që të punonte në realizimin e reformave të duhura për euro-integrime, forcoi pushtetin me një vistër manipulimesh propagandistike, për të vendosur fuqishëm regjimin e tij retrograd dhe kontrollin mbi të gjitha segmentet e jetës.

Ky avaz pushtetmbajtës forcohej prej viti në vit, përderisa nuk doli në skenë Zaevi, lideri socialdemokrat, me vendosmërinë e tij dhe guximin për të publikuar të ashtuquajturat “bomba” nga afera e përgjimeve që kishte përfshirë mbi 20 mijë persona, që nga kreu shtetëror e deri në eshalonët më të ulët. Kjo ishte arma e fortë në duart e Zaevit dhe, në atë moment, mënyra e vetme për lëkundjen dhe rrëzimin e regjimit të ushtruar fuqishëm nga ish-kryeministri Gruevski. Dhe, siç u pa më vonë, në këtë punë Zaevi pati sukses, edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve, në radhë të parë të SHBA-së dhe BE-së, si dhe të ambasadorëve të akredituar në Shkup, për ta hequr nga pushteti absolutistin Gruevski, i cili, duke “koketuar” me Rusinë, jo vetëm që thellonte krizën politike dhe ekonomike të vendit, por prekte edhe interesat gjeostrategjike të Perëndimit, përballë pretendimeve të Putinit mbi vendet e Ballkanit, që të mos jenë pjesë e euro-integrimeve.

Pas zgjedhjeve të imponuara të jashtëzakonshme parlamentare, në dhjetor të vitit 2016, që pasuan pas viteve dramatike për fatin e këtij vendi të vogël ballkanik, Zaevi arriti një “fitore” të Pirros, në saje të partive politike shqiptare dhe votave të pastra shqiptare që arriti t’i përvetësojë nga situata shterpe politike në vend, që të krijojë një qeveri të koalicionit me këmbë të qelqta, e cila arriti të qëndrojë ashtu e brishtë dhe të japë disa rezultate, sidomos në planin e politikës së jashtme, me përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët, por ky angazhim shkoi në dëm të marrëdhënieve të brendshme, sidomos në raport me shqiptarët, të cilëve Zaevi u mbeti borxh deri në ditët e sotme.

Borxhi i “harruar” ndaj shqiptarëve

Qëndrimet e Zaevit ndaj shqiptarëve ishin dhe janë në diskrapancë të thellë mes premtimeve dhe realizimeve praktike, pos në disa raste të përmirësimeve kozmetike. Kjo gjendje nuk i siguron atij një koalicion stabil qeverisës dhe një perspektivë pushtetmbajtëse, sepse shqiptarët e këtushëm nuk janë më ata të fundshekullit të kaluar pre e mashtrimeve dhe manipulimeve politike, qofshin ato të njërës apo nomenklaturës tjetër politike, por ata janë ndërgjegjësuar, sidomos në pesë vjetët e fundit, duke shfrytëzuar forcën e votës për ndryshime rrënjësore politike, duke shpërblyer njërën apo duke dënuar partinë tjetër. Fitorja më e madhe e trupit votues shqiptar ishte imponimi mbi partitë politike shqiptare, që në asnjë rast e mënyrë të bëjnë koalicion qeverisjeje me VMRO-DPMNE-në antishqiptare, anti-NATO dhe anti-BE.

Kryeministri i tashëm, Zaev, të cilin e konsiderojnë si promotor të reformave në rrafshin euro-integrues, duhet të jetë mjaft i vëmendshëm me shqiptarët, të cilët nuk do të lejojnë më “lojëra të ndyta” dhe “kute të dyfishta” në dëm të tyre, sepse janë në gjendje të imponojnë, me forcën e tyre votuese, edhe pezullimin e koalicionit të partive shqiptare me LSDM-në, që do të bllokonte funksionimin e shtetit. Shqiptarët kanë dëshmuar tashmë se janë faktor kyç në këtë shtet, për të gjitha rrjedhat politike dhe ekonomike, ndonëse pala tjetër ende këtë fakt po e injoron apo nuk është e vetëdijshme për këtë.

Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut është në mbyllje të kapitullit për aderim në aleancën më të fuqishme ushtarake, në NATO, e cila, pas Marrëveshjes me Greqinë dhe ratifikimin e dokumentit nga të dyja palët, që rezultoi me ndryshimin e emrit të vendit, kapërceu barrierën e fundit të anëtarësimit fuqiplotë, që pritet të bëhet në dhjetor të këtij viti në samitin e NATO-s në Londër, ku do të shënohet 70-vjetori i themelimit të saj. Vendi, nuk ka më kurrfarë dyshimi që do të bëhet anëtar i 30-të i NATO-s, me çka do të përfitojnë edhe shqiptarët, si shtetas të tij.

Aktualisht, tërë vëmendja e nomenklaturës politike dhe pushtetmbajtëse të këtij vendi është përqendruar në marrjen e datës për negociata me BE-në, që pritet të bëhet në qershor apo nga fundi i korrikut të këtij viti, që do të hap rrugën e euro-integrimeve përmes bisedimeve sipas kapitujve, të cilat parashihet të përfundojnë nga viti 2026. Zaev, i cili shprehu bindjen kohëve të fundit se i kishte përmbushur reformat e nevojshme për fillim të bisedimeve, kishte drojën se do të ishte peng i zhvillimeve “jo të favorshme” në Shqipëri në kuadër të euro-integrimeve, duke konsideruar vendin e vet si “viktimë” të saj, nëse nuk merr datën e bisedimeve.

Buzëqeshja e Zaevit në Bruksel

Ende s’dihet nëse dilemat do shuhen si flluska sapuni. Më shumë shtete anëtare të BE-së refuzojnë fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që ishte përsëritur edhe në fillim të qershorit në takimin e Zaevit me komisarin e zgjerimit Johanes Hahn në Bruksel dhe të ambasadorëve të anëtarëve të BE-së. Sepse, për këtë duhet të bien dakord edhe përfaqësuesit e 28-vendeve të tjera anëtare. Analistët e jashtëm konsiderojnë se vizita e Zaevit në Bruksel nuk ka ndryshuar asgjë, sidomos sa i përket refuzimet të hapur të përfaqësuesve të Francës dhe Holandës, ndonëse nuk janë indiferentë edhe ata të Gjermanisë dhe Danimarkës, që pretekst kanë shkaqet procedurale. Kjo do të jetë e vështirë, përkundër faktit se Komisioni Evropian dha në raportin e vet të muajit maj një rekomandim të pastër për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Për fillim të negociatave është edhe shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogerini, e cila këtë akt e quan si obligim i BE-së ndaj këtij vendi, pas zgjidhjes diplomatike të kontestit me Greqinë.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, në fillim të qershorit i dha mbështetje Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, i cili u zotua se do të bëjë çmos për hapjen e bisedimeve qysh në qershor të këtij viti. “Në mbështetje të vlerësimeve faktike, Maqedonia e Veriut është e gatshme që të bëjë hapin e ardhshëm. Ky vend i ka përmbushur kërkesat, tash është radha te BE-ja”, ka thënë Junker. Ky euro-diplomat kishte hequr velin e misterit në takim me Zaevin në Bruksel, në fillim të qershorit, pas një pyetjeje të gazetares maqedonase të agjencisë shtetërore për atë nëse Maqedonia e Veriut do jetë “viktimë” e Shqipërisë, për shkak të ngecjes së saj në reforma. “Këtu pranë meje është Zaevi dhe jo edhe Edi Rama. Pra, Maqedonia e Veriut shkon një hap para”, kishte qenë kategorik Junker, për çka Zaev kishte “reaguar” me një buzëqeshje.

Nëse ndodh e kundërta, sipas disa analistëve të vendit, që të mos merret datë gjatë kësaj vere për negociata me BE-në, Maqedoninë e Veriut e pret një periudhë e zymtë e krizave politike, e dëshpërimit dhe e humbjes së besimit për integrime evropiane, mbase edhe mund të përfundojë me imponim të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Autor: Ismail Arsllani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button