Kur urrejtja nuk dënohet

Jeta e përbashkët si qytetarët të barabartë në një shoqëri multietnike ka disa predispozita që duhen plotësuar. Njëra prej tyre është sigurimi i ambientit ku të gjithë qytetarët dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi të ndihen të sigurt dhe të parrezikuar në mënyrë imediate dhe direkte. Një shtet që shoqërinë multietnike e promovon si vlerë duhet qartazi t’i përcaktojë dispozitat e ruajtjes së asaj vlere dhe duhet pa asnjë kompromis të luftojë çdo dukuri që në mënyrë të vazhdueshme e sulmon pikërisht atë vlerë.

Rasti i festimit të faktit që klubi privat i hendbollit “Vardar” u bë kampion i ligës evropiane të hendbollit është edhe një tregues i qartë i gjendjes së mjeruar së shtetit sa i përket urrejtjes ndërnacionale. Është shumë idioteske të festosh fitoren duke sharë tjetrin, që është i ndryshëm prej teje. Por njerëz që bëjnë veprime idioteske ka gjithandej nëpër botë. Ajo që i dallon shtetet dhe shoqëritë është qasja institucionale ndaj atyre veprimeve idioteske. Kjo qasje e institucioneve tona është e papranueshme dhe e pafalshme. Nuk ndërtohet shoqëria për të gjithë duke mos i dënuar ashpër së pari me deklaratë të qartë e pastaj edhe me veprim konkret të gjitha aktet e mbjelljes së urrejtjes ndërnacionale. Sepse të kërkosh dhoma gazi për një kolektivitet të tërë, si dhe të brohorasësh se ky shtet duhet të jetë etnikisht i pastër nuk është thjesht mbjellje e urrejtjes ndërnacionale por është fashizëm dhe shovinizëm par exclellence.

Të mos harrojmë që njëra ndër pikat kyçe të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian e ku vendi mori vlerësim posaçërisht pozitiv është pikërisht fakti që në Kuvend kanë kaluar amendamentet e Kodit Penal të cilat zgjerojnë sferën e përgjegjësisë penale për kriminalitetin e urrejtjes. Në njërën anë bëjmë ndryshimet e duhura të cilat me vite u vonuan në realizim, e në anën tjetër kur këto krime ndodhin para syve tanë, institucionet nuk arrijnë të japin mesazhin e duhur se ato nuk do të falen dhe nuk do të tolerohen. Në një gjendje të tillë, kur ky lloj kriminaliteti injorohet dhe kur dhuna e shprehur në mënyrë verbale nuk ndëshkohet duke pasur edhe dëshmi të pakontestueshme në këtë kuptim, është shumë e qartë pse veprimet e tilla përsëriten pafund herë dhe shkaktojnë shprehje të tjera të urrejtjes nga anë të ndryshme dhe në vazhdimësi, duke bërë kështu një garë të pafund për atë se kush do të jetë më “kreativ”, më i pacipë dhe më vulgar në shprehjen e asaj urrejtjeje.

Të gjithë bartësit e pushtetit, nga niveli lokal dhe deri në kreun e nivelit qendror duhet pa vonesë dhe pa asnjë kompromis, pa asnjë kalkulim ta dënojnë urrejtjen e shprehur përmes fashizmit dhe shovinizmit të pafre, edhe atë ta dënojnë pa u menduar shumë, pa mëdyshje dhe pa as më të voglën hamendje. Përveç kësaj, ata duhet me veprime konkrete të ndërmarrin masa që u takojnë, sipas funksionit shtetëror që e kanë por edhe si qytetarë të këtij vendi me qëllim që këto dukuri të marrin dënimin e duhur penal.

Përfundimisht, nëse shteti ka para nga buxheti për të shpërblyer një klub privat sportiv për sukseset e treguara, domosdoshmërish duhet të ketë disafish më shumë vullnet dhe mjete për të ndaluar, gjykuar dhe ndëshkuar përhapjen e urrejtjes, sepse ajo bie ndesh me të gjitha politikat promovuese të diversitetit dhe vlerave civilizuese të një shoqërie.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button