Gjuha e urrejtjes, reflektim i nacionalizmit maqedonas ndaj shqiptarëve

Organet e rendit dhe drejtësisë thonë se po punojnë për ndriçimin e plotë të rastit që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe demolimin e shumë objekteve, gjatë kremtimit të shpalljes së Klubit të Hendbollit Vardar, Kampion në Evropë, shkruan REL.

Gjatë festimit të fitores së Vardarit në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, në Shkup, për dy ditë me radhë tifozët kanë përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, ndërkohë që mësohet se janë demoluar edhe vetura kryesisht në pronësi të shtetasve kosovarë, të cilët gjatë vikendit ndodheshin në Shkup.

Gjuha e urrejtjes ka qenë e pranishme edhe në rrjetet sociale.

Uranija Pirovska, drejtuese e Komitetit të Helsinkit në Shkup, për Radion Evropa e Lirë thotë se institucionet duhet të veprojnë sa më shpejtë për të nxjerrë para organeve të drejtësisë të gjithë ata që kanë përdorur gjuhë të urrejtjes gjatë kremtimit të fitores së Vardarit, në të kundërtën, kjo do të paraqesë inkurajim për të vazhduar hovin me shprehje të rënda fashiste ndaj shqiptarëve.

“Kemi të bëjmë me një nivel të lartë të gjuhës së urrejtjes dhe përdorimin me më shumë shprehjeve fashiste gjatë kremtimit të fitores që shënoi Klubi i Hendbollit Vardar. Vetë përdorimi shprehjeve ‘Dhoma gazi për shqiptarët’ paraqet gjuhë fashiste”.

“Ne si Komitet i Helsinkit e kemi dënuar këtë veprim dhe menjëherë kemi denoncuar të gjitha rastet e regjistruara në Ministrinë e Punëve të Brendshme presim që sa më parë të procedohen”, thotë Pirovska.

Sipas saj, mosndëshkim i të gjithë atyre që përdorin gjuhën e urrejtjes paraqet rrezik tepër të madh për stabilitetin dhe sigurinë e vendit, në një shtet shumetnik, siç është Maqedonia e Veriut.

“Mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes prodhon dhunë dhe më shumë i inkurajon kryerësit e kësaj vepre, që të vazhdojnë me kryerjen e kësaj vepre pa frikë se do të ndëshkohen për këtë veprim. Disa herë e kam theksuar se të miturit janë kryes të veprës, po të njëjtën kohë edhe viktima të gjuhës së urrejtjes. Gjuha e urrejtjes në mesin e të rinjve është shumë e rrezikshme sepse prodhon dhunë”, thotë Pirovska.

Ndërkohë për sociologët, veprimet e fundit që kanë të bëjnë me brohoritjet anti-shqiptare nuk duhet të gjeneralizohen.

“Mendoj se bëhet fjalë për një ishull tifozerie rinore, e cila është e infektuar me virusin e nacionalizmit VMRO-ist, përkatësisht kulturën e Gruevizimit (referencë për ish-kryeministrin Nikola Gruevski), e cila bazohej në segmentimi social, gjegjësisht në ndasitë sociale, etnike dhe kulturore, në vijën maqedonas-shqiptarë, gjegjësisht padron dhe qytetarë të kategorisë së dytë. Euforia e këtij segmentimi apo ndasitë e këtilla nuk është lehtë të tejkalohen menjëherë”, vlerëson Ali Pajzit, ligjërues i shkencave të sociologjisë, në kuadër të Universiteti të Evropës Juglindore në Tetovë.

Ai njëherësh thotë se sporti shfrytëzohet nga qarqe të caktuara për të thyer shtizat politike.

“Disa këtë e kanë kuptuar si një kulturë për të treguar muskujt politik të një kombi apo bashkësie etnike, karshi bashkësive etnike të tjera”, thotë Pajaziti.

Ndaj shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes , gjatë festës së tifozëve të Klubit të Hendbollit Vardar, të cilët për herë të dytë e fituan titullin e Kampionit të Evropës, ka reaguar dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, me ç’rast të martën në mbrëmje nga Brukseli ka porositur se shoqëria në Maqedoninë e Veriut duhet të reflektojë kulturën evropiane.

“Ne kemi fituar titull në Evropë, jo në ndonjë rajon barbar dhe për atë të gjithë duhet që të sillemi në mënyrë evropiane”, ka porositur kryeministri Zoran Zaev.

Ndërkohë Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë u ka bërë thirrje gazetarëve dhe mediave në përgjithësi, që gjatë raportimit të tyre për këto lloje të veprave penale të raportojnë në mënyrë të përgjegjshme, duke respektuar Kodin e gazetarëve.

“Duke pasur parasysh të drejtën themelore të lirisë së medias, përkujtojmë gazetarët dhe redaktorët se raportimet e mediave duhet të përmbajnë të vërtetën dhe të mos fillojnë polemika dhe diskutime që do të nxisin tensionet dhe të përkeqësojnë marrëdhëniet midis qytetarëve”, theksohet në komunikatën me shkrim të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply to test Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button