KE e ndëshkon Italinë, nis procedurë disiplinore për borxhin publik

Rregullat për borxhin publik nuk janë respektuar në vitet 2018 dhe 2019, e nuk do të bëhet as në vitin 2020, ndaj është e justifikuar procedura disiplinore për Italinë, që sidoqoftë nuk do të fillojë menjëherë.

Komisioni rekomandoi fillimin e procedurës, por Këshilli Europian do të marrë në konsideratë nëse do të japë “dritën jeshile” apo jo për procedurën kundër Romës, që mund të rezultojë në miliarda euro gjoba, transmeton Top Channel.

Kjo pason komentet e zv.kryeministrit të Italisë, Matteo Salvini, që i quajti rregullat e BE-së të vjetëruara, ndërsa qeveria e tij planifikon të prezantojë reduktime të mëdha taksash, që do të rrisin edhe më shumë deficitin.

Italia kishte një borxh publik prej 132 për qind të GDP-së në vitin 2018, që është shumë më lart sesa limiti prej 60 për qind i përcaktuar nga BE-ja.

Gjatë krizës së Eurozonës në vitin 2010, Banka Qendrore Europiane u detyrua të ndërhynte për të shpëtuar Portugalinë, Irlandën, Greqinë, Qipron dhe Spanjën, pasi ato nuk mundën të ripaguanin borxhet e tyre.

Nëse ndonjë nga ato vende do të falimentonte, atëherë borxhet e tyre do të rrënonin euron.

Italia ka borxhin e dytë më të madh në BE pas Greqisë, por si ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës përbën një rrezik shumë më të madh për ekonominë europiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button