Inspektori i arsimit Ilievski: Ministri Ademi është bërë docent në Universitetin e Tetovës në mënyrë të paligjshme

Jemi për respektim të të gjitha dispozitave ligjore dhe në këtë procedurë të cilën e ka drejtuar Universiteti, ata e janë kompetentë për të shpallur konkurse për zgjedhje dhe ri-zgjedhje. Prandaj insistojmë që të gjitha rregulloret ligjore të implementohen në mënyrë konzistente, ka thënë ministri Ademi për Fakulteti.mk, transmeton Portalb.mk.

Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit do të hetojë nëse ministri i arsimit dhe shkencës Arbër Ademi është zgjedhur në mënyrë të paligjshme në titullin docent ne Fakultetin juridik të Universitetit shtetëror në Tetovë, në vitin 2017, derisa ende ka qenë ministër pa portofol në Qeveri.

Ministri Ademi, për Fakulteti.mk, thotë se atë nuk e ka kontaktuar asnjë institucion kompetent dhe se nuk e din nëse për të është hapur ndonjë lëndë.

“Sidoqoftë, ne mbështesim respektimin e të gjitha rregullave ligjore edhe në këtë procedurë e cila është realizuar nga Universiteti sepse ata janë kompetentë për të shpallur konkurse për zgjedhje dhe ri-zgjedhje. Prandaj, do të insistojmë që të gjitha rregulloret të implementohen në mënyrë konzistente. Kjo do të thotë që së pari duhet të kem informacione çka dhe si, e pastaj të shoh nëse ka ndonjë procedurë të tillë”, thotë Ademi.

Ankesa është parashtruar te komisioni Antikorrupsion
Ankesa është parashtruar te komisioni Antikorrupsion

Ku është bërë shkelja e ligjit?

Ankesën te Antikorrupsion e ka parashtruar inspektori për arsim të lartë Gjorgji Ilievski pas një kontrolli të rregullt në universitetin e Tetovës në prill të këtij viti.

Ilievski për Fakulteti.mk pohon se gjatë kontrollit të rregullt kanë gjetur se ministri aktual për arsim dhe shkencë, Arbër Ademi, është zgjedhur në mënyrë të paligjshme në titullin shkencor docent për shkak se periudhën kur është zgjedhur vendi i tij i punës ka pushuar. Edhe dy zyrtarë të Qeverisë, sipas Ilievskit, kanë avancuar në mënyrë të paligjshme në tituj shkencor në universitetin e Tetovës.

– Qëllimi i kontrollit tonë në universitetin e Tetovës ishin zgjedhjet në tituj shkencor në Fakultetin juridik.

Gjetëm se Arbër Ademi, ministri për arsim dhe shkencë, përkatësisht zgjedhja e tij për docent ka qenë e paligjshme. Më 13 prill 2016, Universiteti shtetëror në Tetovë ka marrë vendim për të vënë në pushim marrëdhënien e punës për Ademin si asistent në Fakultetin juridik derisa e kryen funksionin e ministrit pa portofol në Qeveri, në pajtim me Ligjin për marrëdhënie të punës. Por, gjatë kësaj periudhe Universiteti ka ngritur procedurë për të zgjedhur një mësimdhënës. Rektorati më 3 shkurt 2017 ka marrë vendim me të cilin asistenti m-r Arbër Ademi zgjidhet në titullin shkencor docent për lëndët e drejta ndërkombëtare private dhe e drejta e arbitrazhit. Unë si inspektor i arsimit konstatova se kjo procedurë është e paligjshme për shkak se marrëdhënia e tij e punës ka qenë në pushim si ministër pa portofol në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Zgjedhje e tillë është në kundërshtim me nenin 135, paragrafi 3 i Ligjit për arsim të lartë- thotë Ilievski. Ai sqaron se vendi i punës i ministrit për arsim e shkencë është vënë në pushim edhe nga 24 dhjetori i vitit 2017, për sa kohë ai e kryen funksionin e zëvendës-ministrit për arsim, si dhe nga 5 gusht 2018 kur ia kanë vazhduar pushimin e marrëdhënies së punës derisa e kryen funksionin ministër për arsim e shkencë.

Përveç Ademit, Ilievski ka gjetur se edhe dy funksionarë aktualë shtetëror gjithashtu kanë avancuar në titujt shkencorë në Fakultetin juridik pranë USHT-së.

Ademi: Pres që Universiteti të ketë respektuar ligjet

Në pyetjen vallë e ka ditur që, derisa është në funksion publik dhe derisa vendin e punës në fakultet e ka në pushim, nuk guxon të avancojë në tituj shkencor ministri Ademi thotë.

“Jo, sipas të gjitha praktikave që i kemi pas në të kaluarën dhe tani. Përndryshe me Ligjin e ri për arsim të lartë është rregulluar në mënyrë eksplicite se mund të avancohet në titull nëse ka kontinuitet. Me kërkesë të vetë palës mund të hapet konkurs për rizgjedhje”, thotë Ademi.

Ai e theksoi edhe një herë se edhe për këtë rast duhet të respektohen të gjitha rregulloret.

“Duke pasur parasysh që kemi dhe do të kemi politikanë që vijnë nga komuniteti akademik, si unë, ka pas edhe situata tjera ku funksionarë publikë edhe në të kaluarën janë avancuar, pres se s’ka implementim jo konzistent në këtë rast. Pres që Universiteti t’i ketë marrë parasysh të gjitha rregulloret dhe se i ka respektuar”, thotë Ademi.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arbër Ademi

Për atë se deri ku është procedura lidhur me ankesën parashtruar nga Ilievski, më 13 maj këtë vit, për tre funksionarët pyetëm edhe në Komisionin shtetëror për parandalim të korrupsionit. Kryetarja Biljana Ivanovska deklaroi se kanë shumë material dhe se ende janë duke punuar në atë rast.

“Për këtë lëndë do të hapim procedurë për hetim të mëtejshëm”, thotë Ivanovska.

USHT pohon se nuk ka pranuar vendime nga Inspektorati

Inspektori Ilievski ka parashtruar edhe një plotësim të ankesës deri te Komisioni Antikorrupsion për shkak se shërbimet në universitetin e Tetovës nuk i kanë pranuar shkresat me vendimet në bazë të raporteve. Ilievski na i tregoi shkresat e kthyera. Afër vulës shkruan “nuk e pranon”.

Për këtë rast u përpoqëm të marrim deklaratë edhe nga universiteti i Tetovës. Rektori Vullnet Ameti nuk iu përgjigj thirrjeve tona, por ia dolëm të marrim deklaratë nga sekretari i përgjithshëm Adem Beadini. Ai vetëm shkurt tha se zyrtarisht nuk kanë pranuar kurrfarë vendimi nga Inspektorati shtetëror i arsimit rreth avancimit të paligjshëm në tituj shkencor të funksionarëve aktual shtetërorë.

“S’kemi pranuar asgjë zyrtarisht dhe s’mund të komentoj. Madje edhe nuk jam kompetent për komente, është Senati i universitetit”, tha ai.

Ndërsa Ilievski thotë:

“Në universitetin e Tetovës nuk m’i pranojnë vendimet dhe procesverbalet në të cilat janë konstatuar veprimet e paligjshme. Në raportet e postës shkruan se nuk i pranojnë”, thotë Ilievski.

Ai pohon edhe se ka presion ndaj tij për të ndërprerë procedurën. Këtë e ka shënuar edhe në ankesën, deri te Antikorrupsioni, të cilën e patëm në dispozicion.

“Veprimet e këtilla të paligjshme nga funksionarë publikë, ministra, drejtorë dhe tjerë duhet të ndërpriten dhe të ngritën procedura dhe të bartin përgjegjësi morale dhe të tjera. Unë, Gjorgji Ilievski, Inspektor i lartë i arsimit, jam i vetëdijshëm për pasojat, por gjithashtu jam i vetëdijshëm se duhet të funksionojë edhe shteti juridik dhe ligjshmëria, e jo politika dhe frikësimet dhe kërcënimet. Jam në dispozicion të Komisionit për çdo sqarim plotësues”, thuhet në parashtresën deri te Antikorrupsioni.

Iliveski thotë se s’do të heq dorë nga ky rast pavarësisht presioneve që i pëson.

– Për aktivitetet që i kam ndërmarrë është i informuar edhe ministri i arsimit dhe shkencës Arbër Ademi, si dhe kryeministri Zoran Zaev.

Këta funksionarë në vend se të jenë shëmbëlltyrë për sundim të ligjit, ata vetë nuk i respektojnë ligjet. Përçojnë mesazhe negative, nuk japin shembuj të mirë për trajtim të barabartë në shoqëri – thotë Ilievski.

Pas këtij rasti inspektorët kanë realizuar kontrolle në më tepër fakultete, përkatësisht në fakultetet që kanë të punësuar funksionarë aktual.

Deri tani nuk janë gjetur parregullsi në fakultetet tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button