Veliaj në Njësinë 2: Kundërshtarët u larguan sepse s’kishin shans të fitonin në Tiranën që po transformohet

Nga shkolla e re “Kosova” në njësinë Nr. 2, kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Erion Veliaj, i cili garon për një mandat të dytë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, u bëri thirrje qytetarëve që më 30 qershor të votojnë për NR. 2 dhe për PS, për të vijuar projektet tranformuese për kryeqytetin, transmeton Top Channel.

Veliaj përshëndeti edhe kandidatin tjetër në këtë garë, Arben Skënderin, teksa kërkoi që gjer më 30 qershor të jetë një fushatë qytetare. “Pse e kam këtë bluzën me numrin 2? Sepse po kandidojmë për një mandat të dytë për PS-në, për të vazhduar transformimin e Tiranës, dhe se janë dy kandidatë në Tiranë. Nuk është se është pa garë. Dua ta përshëndes kandidatin tjetër.

Quhet Arben Skënderi, është i partisë Bindja Demokratike. Kam komunikuar me të, i kam uruar një fushatë të mbarë, një fushatë qytetare”, tha Veliaj.
Kandidati socialist u shpreh se në ndryshim nga ata që gjuajnë me vezë dhe me molotovë, kjo fushatë civile është edhe një mundësi shumë e mirë për të treguar diferencën.

Veliaj theksoi se arsyeja e largimit të opozitës është frika nga gara, pasi nuk ka asnjë shans për të fituar në Tiranën që transformohet çdo ditë nga socialistët.

“Ne në dallim nga partia prej së cilës ata u shkëputën, ne nuk i gjuajmë me vezë, as me gurë, as me molotov, as me bojë në ditën e verës me fëmijë rrethuar, kundërshtarëve tanë. Së pari, sepse nuk i konsiderojmë armiq, ne i konsiderojmë njerëz që kanë një bindje tjetër dhe ofrojnë një alternativë tjetër.

Unë besoj që bashkë me Arbenin, ai numri 1 në fletën e votimit dhe unë numri 2, do kemi një fushatë civile, do kemi mundësinë tí themi njerëzve si i shohim ne këto punë dhe në fakt do të kemi një mundësi të tregojmë se ku dallojmë ne që garojmë në mënyrë qytetare nga ata që u larguan nga gara, jo për arsye të tjera, por sepse nuk kishin shans të fitonin kurrë në Tiranën që qeveriset nga socialistët dhe transformohet çdo ditë. Asnjë shans”, tha Veliaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button