Hapet Panairi i 21-të i Librit në Prishtinë

“Të krijosh një ngjarje kulturore të rëndësisë së tillë është një fitore e madhe për një vend të vogël si ky yni”, thanë organizatorët e panairit, transmeton Anadolu Agency.
Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë sot është hapur edicioni i 21-të i Panairit të Librit me rreth 1.500 tituj të rinj.

Panairi të cilin e organizon Shoqata e Botuesve të Kosovës, mblodhi shumë qytetarë që në orët e para të hapjes. Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, tha se ka ngritje të numrit të vizitorëve çdo vit e më shumë në këtë ngjarje kulturore.

“Të mbash gjallë e madje edhe më shumë, të krijosh një ngjarje kulturore të rëndësisë së tillë është një fitore e madhe për një vend të vogël si ky yni. Të shohësh vizitorë pa fund tek vijnë dhe vizitojnë panairin përbën një kryelajm dhe kënaqësi të jashtëzakonshme për ne. Kjo, për të treguar se, me gjithë sfidat e panumërta, lexuesi është i vetëdijshëm dhe më i pranishëm se kurrë”, tha Zeneli.

Megjithatë, ai përmendi si fakt shqetësues shifrat e dala në fillim të këtij viti nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), se ka rënie të numrit të lexuesve në bibliotekat publike në vitin e fundit, për 120 mijë lexues më pak brenda Kosovës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se promovimi i ngjarjeve të tilla kulturore është në të mirën e vendit, teksa përmendi ndikimin jo të mirë të teknologjisë tek lexuesit.

“Sivjet isha duke shikuar një aplikacion, që sapo ish plasuar. Emrin e kishte Blinkist; thotë që, nëse nuk keni kohë të lexoni libra, ua japim versionin pesë minutësh të cilitdo libër. Pra, paramendojeni në çfarë faze kemi ardhur që, po themi, nëse jemi në telefon dhe s’keni kohë të lexoni një libër, ua japim versionin e shkurtuar e ju bëheni kinse e keni lexuar librin, apo e dini për çfarë po flitet. Kjo me të vërtetë është sulm ndaj librit ndërsa në anën tjetër ne duhet ta prezantojmë mbrojtjen më të mirë, e ajo është panairet si kjo, botimet si kjo”, tha Ahmeti.

I ftuar special në hapjen solemne të këtij panairi, ka qenë edhe shkrimtari shqiptar, Fatos Kongoli, i cili erdhi në Kosovë pas disa vitesh. Ai tha se shpreson të takojë sa më shumë lexues kosovarë në këtë panair.

“Unë personalisht i detyrohem Kosovës me gjithë kuptimin e fjalës. Sepse, jam ndier i mbështetur nga lexuesit dhe nga shkrimtarët e Kosovës, nga mjedisi këtu”, tha Kongoli.

Gjatë këtij edicioni po marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Numri i titujve të viteve të fundit është rreth 5.500.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40 mijë vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button