Prokuroria: Fotografia e prezantuar nga Brovina nuk ka të bëjë me dhunë seksuale

Prokuroria Speciale e Republikës e Kosovës ka konkluduar se ngjarja nga fotografia e paraqitur nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, është nxjerrë nga interneti dhe nuk ka të bëjë me ndonjë rast të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, transmeton REL.

Prokuroria Speciale kishte hapur hetimet, pas paraqitjes së fotografisë nga deputetja Brovina, përmes së cilës ajo pretendonte se po dëshmonte për një rast dhunimi të një gruaje gjatë luftës së fundit në Kosovë nga ana e forcave serbe.

“Fotografia në fjalë është dërguar për ekspertizë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, e cila ka konstatuar se fotografia e paraqitur nga deputetja, Flora Brovina, është e printuar në format A4 kolor dhe nuk ka asnjë të dhënë, e cila kishte mundësuar hulumtimin e origjinës së fotografisë dhe nuk ka asnjë shenjë nga është printuar. Kjo fotografi është krahasuar me një fotografi tjetër të siguruar nga interneti dhe u konstatua se në të dy fotografitë është paraqitur ngjarja e njëjtë”, është thënë në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina kishte publikuar javë më parë në hollin e Kuvendit një fotografi me pamje të rënda grafike, të cilën e prezantoi si dëshmi të dhunimit seksual të një gruaje shqiptare nga forcat ushtarake serbe në prani të familjarëve të saj, por ajo doli të jetë fotografi e falsifikuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button